Aktivitetet e Bashkisë së Tiranës për festimin e 28 nëntorit

TIRANE, 28 nentor 2013 - Me rastin e festave kombëtare, Pavarësia e Shqipërisë dhe Çlirimi i Atdheut, më datë 28 Nëntor 2013, Bashkia e Tiranës do të organizojë një sërë aktivitetesh festive e kulturore. Programi i propozuar për këtë ditë festive nis me homazhe tek varrezat e Dëshmorëve, në orën 10:00. Më tej në orën 11:00 do të zhvillohen homazhe dhe tek Memoriali i Komandantit Legjendar Adem Jashari tek rruga e Durrësit. Ndërkohë në rrugën pedonale "Murat Toptani' do të hapet Panairi, i vizitueshëm nga të gjithë qytetarët. 

Gjatë të gjithë ditës së nesërme do të zhvillohen lojëra popullore në ambientet e parkut “Rinia”, duke u bërë kështu pika e takimit mes të rinjve, adoleshentëve dhe qytetarëve të Tiranës që duan të ndajnë mes tyre dinamikën e lojërave popullore, të inkuadruar nga animatorë profesionistë. 

Gjithashtu Ansambli i Tiranës do të performojë valle të të gjitha krahinave, për t’i shtuar frymën festive të gjithë qytetarëve të cilët do të mbushin rrugët në qytet, për të festuar Pavarësinë e Shqipërisë. Ansambli do të vendoset në sheshin para monumenteve të Vëllezërve Frashëri në orën 11.00-12:00, dhe në sheshin para Galerisë Kombëtare në orën 12:00-13:00. 

Ndërkohë Banda e qytetit do të performojë një sërë këngësh patriotike si dhe një repertor të përzgjedhur enkas për këto festime, përgjatë rrugës pedonale "Murat Toptani" dhe bulevardit "Dëshmorët e Kombit". 

Si çdo vit, Aktorët e Teatrit të Metropolit do të vishen me veshje të personazheve historike, si Ismail Qemali, Isa Boletini, Luigj Gurakuqi, etj., në një background me imazhe që të kthejnë në kohë, në vitet e ngritjes së flamurit dhe do të krijojnë kështu këndin e fotografisë, ku qytetarët do të mund të bëjne foto me këto personazhe. 

Na bëni like në facebook!: 
Total votes: 12