Ballkan, më shumë femra në ushtri

Femra shqiptare, para nisjes me kontingjentin shqiptar në Afganistan

Shqipëria tani ka 10,300 ushtarë nga të cilët 1,100 janë femra. Shumë nga gratë e ushtrisë kanë shërbyer në operacionet ndërkombëtare paqeruajtëse, duke përfshirë misionin 2008 ISAF në Afganistan dhe misionet në Kabul e Kosovë. Shqipëria është gjithashtu e vëmendshme ndaj pjesëmarrjes së grave në ushtri. Lorisa Ylli, zëdhënëse e ministrisë së mbrojtjes të Shqipërisë, tha se çështja gjinore dhe roli i grave në ushtrinë shqiptare u bë pjesë e programeve arsimore disa vjet më parë.

“Gratë profesioniste në forcat e armatosura do të jenë deri 15 për qind e numrit gjithsej [në të ardhmen e afërt], - tha Ylli për portalin shumëgjuhësh “SETimes”. - Kjo do të thotë se nuk është vetëm dëshira por gjithashtu baza e kërkuar ligjore për rolin e grave në forcat e armatosura”.  Msc Suzana Jahollari, në një prezantim në NATO, deklaroi se më 4 shkurt 2011 u krijua shoqata “Gratë në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”.

Forcat e Sigurisë të Kosovës (FSK) llogarisin 2,500 ushtarë, nga të cilët 188 janë femra, përfshi oficerë dhe nënoficerë. Ibrahim Shala, zëdhënësi i FSK-së, tha për “SETimes” se ministria e FSK-së rregullon “procesin e ngritjes në përgjegjësi në ushtri, që është i hapur e transparent. Mendojmë të kemi përfaqësim më të madh të grave... në FSK, - tha Shala, duke shtuar se “ky është element i rëndësishëm në përmbushjen e integrimit në BE dhe standardeve të NATO-s”. Ministria vepron në përputhje me politikën e të drejtave të njeriut dhe barazisë gjinore, me një plan veprimi “që parashikon hapa konkretë për të përparuar barazinë gjinore dhe të komuniteteve”. Përfaqësimin e komuniteteve dhe grave në ministri dhe FSK e mbikëqyr një njësi e të drejtave të njeriut.

Sipas ministrisë së mbrojtjes të Maqedonisë, ushtria e vendit ka 3,707 ushtarë, nga të cilët 110 femra. Fatmir Besimi, Ministër i Mbrojtjes i Maqedonisë, tha se është formuar një komitet i barazisë gjinore për të përfshirë më shumë gra në strukturat drejtuese të ushtrisë dhe ministrinë e mbrojtjes. “Gratë duhet të përfshihen në procesin vendim-marrës në të gjitha nivelet, kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare, në parandalimin e konfliktit, menaxhim dhe zgjidhje dhe në bisedimet paqeruajtëse”, tha Besimi për “SETimes”. Më 2009 Maqedonia miratoi një program për të nxitur barazinë gjinore në ushtri dhe ministrinë e mbrojtjes, me buxhet vjetor prej 25,000 euro. 

Na bëni like në facebook!: 
Total votes: 19