Dosja “Bleona Mata”, arrestohet 20-vjeçari i dyshuar

TIRANE, 01 prill 2013- Një 20- vjeçar është arrestuar në flagrancë mbrëmjen e së shtunës në Kukës, pasi akuzohet se rrëmbeu një fëmijë për qëllime trafikimi. Kapja e tij, hap një dritë jeshile edhe për zhdukjen e Bleona Matës në të njëjtën zonë 3 vjet më parë. Policia, por edhe familjarët dyshojnë se i riu ka gisht në zhdukjen e saj. Shoqërohet edhe kushërira e parë, dyshohet si bashkëpunëtore. Burime policore kanë konfirmuar se arrestimi i 20-vjeçarit Begzim Isa u bë pas një hetimi intensiv që përfshiu dhe përgjimin e celularit të të riut. Sipas Policisë së Kukësit, Begzim Isa, ka rrëmbyer 7-vjeçarin A.F, pasditen e së premtes, me qëllim trafikimin e tij drejt Kosovës. Policia thotë se 20-vjeçari ka pasur si qëllim trafikimin e tij drejt Kosovës për një shumë të konsiderueshme deri në 40 mijë euro.

Asnjë avokat nuk merr përsipër mbrojtjen e 20-vjeçarit Isa

Nën masa të forta sigurie, Begzim Isa është sjellë në Gjykatën e rrethit gjyqësor, Kukës në një seancë e cila, ndryshe nga sa parashikohej, ka zgjatur për më shumë se një orë. Në këtë seancë është dhënë edhe masa e sigurisë “Arrest me burg” për 20-vjecarin Isa, i cili dyshohet se ka rrëmbyer për qëllime trafikimi të miturin me iniciale A.S. Sipas burimeve nga seanca e zhvilluar pa pranine e mediave mësohet se dy janë akuza ndaj të riut, konkretisht ajo e “trafikimit të të miturve”, sipas nenit 128 pika B dhe ajo e “trafikimit të mbetur në tentavitë”, neni 22 I Kodit Penal.Seanca është drejtuar nga prokurori i rrethit Dritan Prenci dhe gjyqtare Alma Ahmetaj, ndërkohë që asnjë prej avokatëve të Kukësit, nuk ka pranuar që të jetë mbrojtës i të riut. Çështja pritet që t’i kalojë Prokurorisë së Krimeve të Rënda për hetime të mëtejshme.
Nga ana tjetër, familjarët e Begzimit, nuk besojnë në asnjë mënyrë që ai ka rëmbyer 7-vjeçarin për qëllime trafikimi. “Vëllai ka qenë në gjumë kur e ka arrestuar policia, ndërsa 7-vjeçari në banesën e prindërve të tij, ka deklaruar i vëllai i Begzimit. “Nuk pranojmë asnjë nga akuzat e policisë dhe prokurorisë. Vëllai im ka qenë në gjumë kur u arrestua nga policia, kurse fëmija ka qenë në banesën e tij në momentin kur u arrestua Begzimi”,- tha Blerimi. Madje vëllai shprehet se nëse Begzimi gjendet fajtor, atëhere të pushkatohet. Nëna e Begzimit, thekson se djali i saj dhe 7-vjeçari patën një zënkë të vogël, por hedh poshtë pretendimet se i biri ka rrëmbyer dhe ka mbajtur në banesë fëmijën. “Djali im nuk është i përfshirë në trafik dhe i bëjmë thirrje policisë dhe prokurorisë të zbardhin të vërtetën”,- thanë nëna dhe vëllai i Begzim Matës.

Rrëmbimi i fëmijës 7-vjeçar

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Orgjost, ku 20- vjeçari, Begzim Isa, ka rrëmbyer dhe mbajtur për rreth 24 orë në shtëpi një 7-vjeçar me inicialet A.F. Arrestimi i tij është bërë pas denoncimit të familjarëve në policinë e rrethit Kukës. Nga të dhënat e para mësohet, se i riu e kishte grabitur 7-vjeçarin, për qëllime trafikimi në Kosovë. ”Begzim Isa, student në Kosovë, është vënë nën pranga dhe ndaj tij kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti”,- thanë burimet e policisë. Nga informacionet e mbledhura, policia e Kukësit dyshon se Isa kishte rrëmbyer dhe herë të tjera djalin me inicialet A.F. Nga ekspertiza mjeko-ligjore nuk rezultoi që i mituri të jetë abuzuar seksualisht. Ndërkohë, burime pranë grupit hetimor bëjnë të ditur se fëmija në momentin e gjetjes nga uniformat blu ka paraqitur shumë probleme psikologjike duke deklaruar se rrëmbyesi e ka kërcënuar atë me pistoletë dhe për këtë arsye është në praninë edhe të një psikologeje. Policia po heton për ngjarjen, pasi dyshohet se 20-vjeçari mund të ketë tentuar edhe herë të tjera të rrëmbeje fëmijë. I riu 20-vjeçar, që ka qëndruar për studime për një kohë të gjatë në Kosovë, tashmë është në dhomat e paraburgimit, në drejtorinë e policisë së qarkut Kukës, ku po merret në pyetje në lidhje me ngjarjen.  Pista e hetimit për 20-vjeçarin shton dyshimet tek policia se në këtë zonë vepron një rrjet i trafikimit të fëmijëve drejt Kosovës. Tre vjet më parë në fshatin Zapod u zhduk në rrethana misterioze vajza 6-vjeçare Bleona Mata, e cila nuk është gjetur ende.

Babai i Qamiles: Nëse ka gisht në zhdukjen e Bleonës, do t’i fus 7 plumba ballit 

Pas ndalimit të Qamile Matës, kushërirës së parë të Bleona Matës, vjen edhe reagimi i babait të saj. Babai i Qamiles, Bastri Mata, hedh poshtë dyshimet që vajza e tij mund të jetë përfshirë në rrëmbimin e mbesës.  “Nuk besoj se vajza ime është e përfshirë në këtë punë. Nëse e ka bërë vajza ime këtë gjë, do t’i fus 7 plumba ballit”,- shprehet ai.  Bastriu dyshon se në rrëmbimin e Bleonës “janë të përfshirë persona të tjerë”.  Mësohet se Qamilja, kushërira e parë e Bleonës ka lidhje farefisnore me 20-vjeçarin Begzim Isa. Ata janë kushërinj të dytë dhe njihen mirë me njëri-tjetrin.

Zhdukja e Bleonës

Bleona Mata humbi para 3 vitesh në muajin maj në zonën e Zapodit të Kukësit. 6-vjeçarja u zhduk në mënyrë misterioze rreth orës 17:00 të datës 22 maj të vitit 2010, ndërsa për zbardhjen e së vërtetës u angazhuan shumë forca policie. Në momentin e humbjes, vajza ka qenë në shoqërinë e 5 kushërirave. Vajzat pohuan se vogëlushja iu drejtua shtëpisë dhe ato nuk dinin më gjë për fatin e saj

 

Na bëni like në facebook!: 
Total votes: 17