Durrës. Ekzekutim mafioz i një ndërtuesi afër “Kalit të Trojës”

DURRËS, 2 shtator 2013 – Java e re fillon me vrasje qysh në mengjes, teksa vritet një biznesmen ndërtimi me atentat të stilit mafioz në afërsi të “Kalit të Trojës” në Plazh. Burime nga policia e qytetit bregdetar bëjnë të ditur për durreslajm.com se rreth orës 8,30 të mëngjesit të së hënës, 2 shtator 2013, në një lokal që ndodhej përballë stacionit hekurudhor Plazh-Shkozet, afër “Kalit të Trojës”, në lagjen nr. 13 (Plazh) ka ndodhur në ekzekutim mafioz sipas skenave kinematografike italiane. Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, dy persona me kaska janë afruar me motoçikletë kanë nxjerrë armë zjarri dhe kanë qëlluar në drejtim të 40-vjeçarit Plaurend Cani, me banim në qytetin e Durrësit, i cili ka gjetur vdekjen në spital. Atentatorët janë larguar me shpejtësi. Në këtë kohë, i ndjeri, një biznesmen ndërtimi, sipas dëshmitarëve, që e kanë identifikuar, po pinte kafe me personelin e firmës në një lokal pranë njërit prej godinave që po ndërtonte. Policia ka filluar hetime për identifikimin e autorëve dhe motivet e krimit (lajmi do të përditësohet në vazhdim në pritje të informacioneve zyrtare të plota të saktësuara).

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/

 
 
 
Na bëni like në facebook!: 
Total votes: 8