Durrës, nisin ditët e "Open Port"

DURRES, 22 maj 2013- Porti i Durrësit hap dyert për të katërtin vit radhazi për të gjithë qytetarët e tij të të gjitha grupmoshave në eventin “Open Port”. Sipas zëdhënëses së APD-së Vilam Hoxha, për tre ditë radhazi, nga e premtja deri të djelën porti do të jetë i hapur për të gjithë ata që dëshirojnë të ndjekin veprimtari kulturore, artistike dhe sportive në eventin “Open Port”.

Ideja e krijimit të “Open Port” ka ardhur si eveniment që porti ka dashur ta krijojë vetë, sepse në vetvete porti është një koncept i mbyllur, pra është një vend ku lejohen vetëm hyrjet e autorizuara, ku publiku ka pak mundësi që të prekë realitetin e portit në të gjithë dimensionin e tij.

Eventi “Open Port” gjatë 3 ditëve të festimeve do të dhurojë për durrsakët koncerte me këngëtarë dhe orkestrina vendase dhe nga Italia, talentet e vegjël dhe të rinj të Superspektakleve, Deejay dhe Karaoke, ekspozita të ndryshme, ndeshje minifutbolli dhe gara noti, animatorë dhe kostume tradicionale, gjithçka që publiku durrsak dëshiron të shikojë brenda së njejtës mbrëmje në një mjedis ku nuk do të mungojë as ndeshja finale e “Europa Champions League”.

Gjithashtu qytetarët janë të lirshëm të kryejnë vizita në institucionet portuale, në Panairin e agjencive turistike dhe mekanizmave si dhe në anijet tregtare dhe ushtarake të ankoruara në kalata. Të gjitha këto do të jenë pjesë e Megafestës “Open Port 2013”.

Pra, të premten me datë 24 maj në programin e tij të hapjes “Open Port” ka një Supershow me artistë nga qyteti bregdetar i Durrësit dhe nga spektakli “100 vjet muzikë” Orkestra “Spettacolo da ballo” nga Italia.

Ditën e shtunë me datë 25 maj do të jetë një mbrëmje speciale me talentet e spektakleve “Gjeniu i vogël” dhe “X Factor”, gjithashtu në ekranet e TV do të shfaqe finalja e Campions League “Bayern” – “Borussia Dortmund”.

Në mbrëmjen finale ditën e diel më datë 26 maj në programin e “Open Port” do të ketë Yjet e Muzikës “100 këngë nga bota”, me artistët e superspektaklit TV “Amici”, talentet nga Shqipëria dhe Italia gjithashtu në ekranet madhështor TV do të shfaqet takimi final i Kupës së Italisë “Roma” – “Lazio”dhe Karaoke.

Këtë fundjavë në datat 24-25-26 qershor, duke filluar nga ora 19:00, porti do të jetë i hapur për të gjithë publikun durrsak gjithë fundjavën.

 

Video: 
Na bëni like në facebook!: 
Total votes: 11