Durrës, punime restauruese në xhami, ja pse kontribuan edhe ortodoksë

foto: Restaurimi i minares së Xhamisë së Madhe (Mirësjellje: Gëzim Kabashi)

·        Përveçse “shtëpia e Zotit”, godina e objektit të kultit në qendër të qytetit përbën vlerë të trashëgimisë së re historike

·        Fasadat dhe minarja po i nënshtrohen restaurimit dhe gjithçka do të jetë gati, para fillimit të muajit të Ramazanit

·        Për harmoninë ndërfetare kanë kontribuar klerikët e shquar të viteve 1930 Mustafa Varoshi, Erazmi Jorgo, Vinçenc Prendushi, të cilët i bënin së bashku shëtitjet nëpër rrugët e qytetit

DURRËS, 7 qershor 2013 –Përveç “sadakave” nga besimtarët myslimanë, për restaurimin e minares së Xhamisë së Madhe të Durrësit, kanë dhënë mjete financiare edhe besimtarë ortodoksë, lajmin kuptimplotë për “Dyrrah”-un e ka dhënë myftiu i Durrësit, Redi Quku.

Fasadat dhe minarja e Xhamisë së Madhe në Durrës po i nënshtrohen restaurimit dhe gjithçka do të jetë gati, para fillimit të muajit të Ramazanit.

Myftiu i Durrësit, Redi Quku, tha për gazetarët se projekti po zbatohet me ndihmën financiare prej 500 mijë lekë të rinj të vetë besimtarëve, të cilët e ndiejnë se, përveçse “shtëpia e Zotit”, godina e objektit të kultit në qendër të qytetit përbën një vlerë të trashëgimisë së re historike.

Me këtë shpjegohet dhe fakti pse përfaqësues nga komuniteti ortodoks i Durrësit kanë kontribuar me fonde për këtë restaurim, thotë Quku.

Qyteti bregdetar është i njohur për harmoninë ndërfetare midis myslimanëve, ortodoksëve dhe katolikëve, harmoni për të cilën kanë kontribuar klerikët e shquar të viteve 1930 Mustafa Varoshi, Erazmi Jorgo, Vinçenc Prendushi, të cilët i bënin së bashku shëtitjet nëpër rrugët e qytetit.    

Punimet kanë nisur disa javë më parë dhe pas përfundimit të fasadës të godinës dhe kubesë, tashmë po punohet në restaurimin e minares së Xhamisë.

Sipas Qukut, janë bërë paraprakisht konsultime me arkitektë dhe piktorë.

“Financimin e restaurimit mund ta kishim zgjidhur me anë të donacioneve nga firma të ndryshme”, - tha myftiu Quku, duke shtuar se “ndjeshmëria e komunitetit të besimtarëve në këtë drejtim ishte e madhe. Pjesa më e madhe e parave u grumbulluan nga “sadakatë”, dhuratat financiare të besimtarëve dhe qytetarëve, jo vetëm nga Durrësi, por edhe nga qytete të tjera në Kosovë dhe Maqedoni”.

Xhamia e Madhe e Durrësit është ndërtuar në vitin 1940. Minarja e saj u shkatërrua, ndërsa mjediset e godinës u kthyen në pallat kulture në vitin 1967.

Pas rikthimit në destinacionin e saj fillestar në fillim të viteve 1900, Xhamia e Madhe është rindërtuar në vitin 2003.

/ th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/ 

Në foto: Myftiu i Durrësit Redi Quku duke folur për agjencinë e lajmeve “Dyrrah” (Mirësjellje: Mark Brunga)
Na bëni like në facebook!: 
Total votes: 6