Kërcënimi nga SIDA, 60% e të infektuarve në Tiranë

 19 gusht 2013- Specialistët e ISHP: Pjesa dërrmuese e të prekurve janë të martuar, deri në 45 vjeç



Sëmundja po kërcënon heshturazi të gjithë vendin e më së shumti metropolin. Që numri i të prekurve me SIDA ka shënuar rritje të ndjeshme, sidomos vitin e fundit, është pranuar nga të gjitha autoritetet shëndetësore.  Por, për hartën ku shtrihen bartësit e këtij virusi dhe tipologjinë e të infektuarve është folur shkarazi. Ashtu siç masivisht mendohet për virusin vdekjeprurës, duke e konsideruar si një të keqe që është gjithmonë larg nesh. Instituti i Shëndetit Publik, diskret në dhënien e informacionit, vazhdimisht është mjaftuar me numrin e të prekurve dhe rrugët e transferimit të tij. Deri përpara disa vitesh, ishin emigrantët të parët në listë, të cilët zbulonin rastësisht për sëmundjen pas marrëdhënieve seksuale të pambrojtura që kishin kryer jashtë vendit. Tashmë, virusi HIV qarkullon brenda vendit dhe të infektuarit janë të një lloji krejt tjetër.

Tirana, “boom” të infektuarish

Rreth 60% e të infektuarve me virusin HIV pranojnë se banojnë në Tiranë, në momentin kur pyeten nga specialistët për vendbanimin. “Mund të jenë infektuar gjetkë apo mund të kenë jetuar në një qytet tjetër, por kur u marrim të dhënat, pasi i konfirmojmë infektimin nga sëmundja, pranojnë se jetojnë në kryeqytet”, thotë shefi i laboratorit në ISHP. Sipas tij, numër të lartë rastesh kanë edhe qendrat e tjera të mëdha urbane, siç janë Elbasani, Vlora, Durrësi apo edhe Saranda. Kjo e fundit ka shumë emigrantë të rikthyer. “Ndoshta kjo lidhet edhe me përqendrimin e popullsisë në kryeqytet, por gjithsesi, referuar shifrave që zbulojmë, mund të themi se Tirana është e para në listë”, thotë shefi i laboratorit. Ai shton se që nga fillimi i vitit janë zbuluar edhe dy fëmijë të infektuar me virusin. “Virusi është transmetuar në rrugë vertikale nga nëna te fëmija. Fillimisht i janë zbuluar prindërit e pastaj kemi testuar fëmijët”, thotë Shpëtim Qyra. Në total, që nga fillimi i vitit, numri i të prekurve ka arritur në 68. Prej tyre, 21 janë femra, ndërsa 57 meshkuj. 

Të prekurit të martuar

“Pjesa më e madhe e të infektuarve nga sëmundja janë të martuar. Janë të rinj të moshës 25-45 vjeç, por përgjithësisht kanë një familje. Sigurisht që nuk mungojnë edhe rastet e tjera, por në raport me ta janë më të ulët në numër”, thotë Shpëtim Qyra, shefi i laboratorit mikrobiologjik në Institutin e Shëndetit Publik. Sipas tij, në këtë mënyrë ekziston risku i një infektimi më të gjerë i bashkëshortëve apo edhe fëmijëve që mund të vijnë në jetë. Sa u përket testimeve, për 8 muaj janë rreth 1000 persona që kanë kryer analizat e SIDËS. “Për hir të së vërtetës, numri i qytetarëve që vijnë vullnetarisht për të kryer analizat, është i ulët. Pjesa më e madhe na referohen nga klinikat e QSUT”, tha Shpëtim Qyra. 

Rastet në Shqipëri

Në total, që pas vitit 1994 kur është zbuluar rasti i parë, numri i të prekurve nga SIDA ka arritur në 623 raste. Sipas specialistëve, mund të jetë edhe më i lartë, pasi periudha e inkubacionit të virusit është deri në 5 vjet. Gjatë këtij harku kohor, të prekurit janë infektues potencialë. Në Shqipëri predominon rruga seksuale e transmetimit, në total 92%, ku 81% i përket rrugës heteroseksuale dhe 11% homo-biseksuale. Rreth 65% e rasteve i përkasin grupmoshës 25-45 vjeç, një grupmoshë seksualisht aktive. Për sa i përket shpërndarjes totale sipas gjinisë, 70% e rasteve janë meshkuj dhe 30% e tyre janë femra. Gjatë dy viteve të fundit shihet se ka një rritje të përqindjes së femrave të infektuara, e cila shkon në 34%. 



Te prekurit në vite 

Viti 2007

42 raste

 Viti 2008

35 raste

Viti 2009
55 raste

Viti 2010
41 raste

Viti 2011
65 raste 

Viti 2012
70 raste



Janar-15 gusht 2013

68 raste



Testimi në 16 qendra, 71% zbulojnë sëmundjen rastësisht

Janë rreth 16 qendra të këshillimit dhe testimit vullnetar konfidencial (VCT) në mbarë vendin që funksionojnë. Ato bëjnë të mundur ofrimin e shërbimeve të testimit dhe këshillimit për HIV. Analizat kryhen falas, por interesi i qytetarëve është tepër i ulët. “Edhe pse sot në të gjitha rrethet e vendit ekzistojnë qendra ku ekzaminimet kryhen falas, numri i personave që shkojnë vullnetarisht është tepër i ulët. Rreth 3% e popullsisë mund t’i ketë kryer, ndërkohë që numri i të infektuarve është disa herë më i lartë se shifrat zyrtare”, thonë specialistët e ISHP-së. Instituti i Shëndetit Publik sqaron se koha kur virusi sillej nga emigrantët, ka kaluar. “Tani sëmundja qarkullon brenda vendit, ndaj sidomos të rinjtë duhet të bëjnë kujdes dhe të kryejnë marrëdhënie seksuale të mbrojtura. Vetëm kështu mund të shmangin infektimin jo vetëm nga SIDA, por edhe nga dhjetëra sëmundje të tjera seksualisht të transmetueshme”, thonë specialistët. Rreth 71% e rasteve të reja me SIDA mësojnë rastësisht për sëmundjen. Ata drejtohen në spital për shqetësime të tjera me shëndetin dhe, pas analizave, rezulton se janë të infektuar me virusin e rrezikshëm. Vetëm 7% e rasteve paraqiten vullnetarisht pranë ISHP-së apo spitalit infektiv. 



QSUT pa kite

Prej dy vjetësh mungojnë kitet për kryerjen e analizës së virusit HIV. Këtë e konfirmojnë burime të sigurta pranë spitalit infektiv në QSUT. Sipas tyre, çdo dyshim që kanë mjekët, e referojnë pranë Institutit të Shëndetit Publik, ku vërtetohet nëse një person është i prekur apo jo nga sëmundja. Burime nga ISHP-ja pranojnë se vazhdimisht edhe ky Institut ka pasur mungesa të kiteve. Për momentin është i furnizuar me të tilla dhe analizat bëhen rregullisht. Të paktën kështu deklarojnë drejtuesit e këtij Instituti. Deri tani janë kryer më shumë se 1000 testime. 

/panorama/

Na bëni like në facebook!: 
Total votes: 9