Kështu policia e Durrësit do të garantojë rendin për zgjedhjet

·        Për mbarëvajtjen e takimeve elektorale u angazhua 1568 uniforma blu dhe 279 automjete

·        Prej datës 15.4.2013 deri më 26.4.2013 u trajnuan 279 punonjësi policie të strukturave të DPQ Durrës; efektivë të Drejtorisë së Policisë së Qarkut, Komisariateve të Policisë Durrës, Krujë, Shijak dhe Komisariatit të Trafikut Rrugor Durrës dhe 179 punonjës policie nga Drejtoria Rajonale për Kufirin dhe Migracionin; roli zbatues dhe roli i parë drejtues

·        Për Qarkun e Durrësit do të angazhohen në total me detyra të mirëpërcaktuara për ruajtjen e QV-ve 491 punonjës policie, teksa numri i objekteve zgjedhore është 444 qendra votimi, 7 KZAZ, 7 VNV

·        Më 20 qershor 2013, u morën masa për shoqërimin me automjet dhe punonjës policie të materialeve zgjedhore nga Rezervat e Shtetit në fshatin Lundër drejt 7 KZAZ-ve të qarkut: 5 në Durrës, 1 në Krujë dhe 1 në Shijak

DURRËS, 21 qershor 2013 –Agjencia e lajmeve “Dyrrah” po boton të plotë njoftimin për shtyp të ditës së sotme të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës, lidhur me masat për përballimin me sukses të procesit zgjedhor për zgjedhjet parlamentare të datës 23 qershor 2013.

Duke vlerësuar rolin që i është besuar Policisë së Shtetit si institucion në drejtim të garantimit të një procesi të qetë, të sigurt dhe ku e drejta për t’u shprehur me anë të votës konsiderohet sublime; eksperiencën tashmë të konsoliduar të organizatës policore nga njëri proces zgjedhor në tjetrin; edhe gjatë këtij procesi, serioziteti me të cilin kemi planifikuar dhe po aplikojmë detyrimet tona, vazhdon të mbetet maksimal, në mënyrë që këtë eksperiencë ta pasurojmë gjithmonë e më tepër me vlera profesionale.

Që prej fillimit të angazhimit në këtë proces zgjedhor Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës dhe gjithë strukturat në vartësi të saj janë bazuar në detyrimet e parashikuara nga legjislacioni në fuqi për të garantuar një proces zgjedhor sipas standardeve. Përpjekjet tona shkojnë në funksion të zhvillimit të një procesi të qetë zgjedhor nga pikëpamja e rendit e sigurisë publike, në mënyrë që t’i sigurojnë komunitetit vendas mundësinë e shprehjes së lirë nëpërmjet votës, të drejtën për të zgjedhur dhe për të qenë të përfaqësuar, si dhe mundësinë për të marrë shërbim nga një organizatë  e depolitizuar që ruan paanësinë.

Më poshtë paraqesim masat e aplikuara deri tani nga institucioni ynë në kuadër të procesit zgjedhor.

Në zbatim të programit të punës së Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit gjatë periudhës zgjedhore në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë, qershor 2013 dhe programit mbi bashkëpunimin me medien dhe realizimin e transparencës së policisë gjatë procesit zgjedhor për Kuvendin e Shqipërisë, qershor 2013, nga ana jonë janë hartuar e po zbatohen

1-Plani i Masave i cili parashikon në mënyrë të detajuar detyrimet e Policisë para, gjatë dhe pas procesit zgjedhor të datës 23 qershor.

Planifikimi dhe realizimi i këtij plani-masash po kryhet në katër faza: parazgjedhore (përgatitore); fushata zgjedhore; zhvillimi i votimit dhe shoqërimi i kutive të votimit; numërimi i votave dhe shpallja e rezultateve.

2-Programi “Mbi bashkëpunimin me medien dhe realizimin e transparencës  së Policisë gjatë procesit zgjedhor për Kuvendin e Shqipërisë, qershor 2013”. Në këtë program parashikohen detyrime të veçanta që lidhen me informimin në kohë të publikut  nëpërmjet medies lidhur me situatën  e rendit dhe sigurisë publike. Detyrimet e këtij programi janë parashikuar veçmas, do të zbatohen në mënyrë paralele dhe kjo lidhet me vetë rëndësinë që i atribuojmë  transparencës,  informimit në kohë të publikut dhe ndjekjes në kohë të problematikës së trajtuar nga media në një moment të rëndësishëm siç është procesi zgjedhor.

Për sa i përket angazhimit për respektim rigoroz të detyrimeve ligjore nga ana e Policisë gjatë procesit zgjedhor, është kryer trajnimi i gjithë efektivit policor që do të angazhohet me detyra zgjedhore. Kështu, pas trajnimeve të zhvilluara në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit për stafin drejtues të policisë, këta të fundit kryen trajnimin e gjithë efektivit në bazë mbi detyrimet e Policisë së Shtetit si dhe ndryshimet e kryera në legjislacionin penal që lidhen me zgjedhjet.

Në total që prej datës 15.4.2013 deri më 26.4.2013, në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës u trajnuan “Mbi rolin dhe detyrat e Policisë së Shtetit gjatë procesit zgjedhor” 279 punonjësi policie të strukturave të DPQ Durrës; efektivë të Drejtorisë së Policisë së Qarkut, Komisariateve të Policisë Durrës, Krujë, Shijak dhe Komisariatit të Trafikut Rrugor Durrës dhe 179 punonjës policie nga Drejtoria Rajonale për Kufirin dhe Migracionin; roli zbatues dhe roli i parë drejtues.

Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe Prokuroria e rrethit Durrës kanë ndërmarrë edhe trajnimin e efektivëve të strukturave për hetimin e krimit lidhur me veprat penale që cenojnë zgjedhjet  e lira si dhe ndryshimet e Kodit Penal mbi këtë kategori veprash. Gjithë punonjësit e angazhuar me detyra zgjedhore janë pajisur edhe me librin kujtesë mbi detyrimet e Policisë gjatë zgjedhjeve.

Për sa i përket ecurisë së deritanishme të fushatës zgjedhore bëjmë me dije se janë mbuluar me shërbim nga ana jonë të gjitha aktivitetet elektorale të subjekteve të ndryshme politike duke marrë masa dhe bërë të mundur  kështu që ecuria e tyre nga pikëpamja e rendit të jetë normale. Në total, bazuar në çdo rast në një plan të veçantë masash, janë mbuluar me shërbim 194 takime elektorale, ku vlen të përmendet se gjatë zhvillimit të tyre nuk është shënuar asnjë incident.

Për mbarëvajtjen e këtyre takimeve janë angazhuar me detyra 1568 punonjës policie dhe 279 automjete. Gjithashtu shërbimet e Policisë Rrugore kanë marrë masa në drejtim të garantimit të lirshmërisë në lëvizje përgjatë zhvillimit të veprimtarive elektorale. Vlen te theksohet se në asnjë nga këto aktivitete elektorale nuk ka pasur probleme dhe nuk është shënuar asnjë incident elektoral gjatë zhvillimit të tyre apo në rruge gjatë lëvizjes.

Një problem i konstatuar përgjatë kësaj fushate zgjedhore ka qenë mosrespektimi i përhershëm i detyrimit ligjor nga subjektet elektorale për njoftim në polici mbi aktivitetet e parashikuara për t’u zhvilluar, gjë e cila ka vështirësuar edhe procesin e planizimit dhe marrjes së masave nga ana e policisë, por nga ana jonë për të gjitha takimet që kemi pasur informacion kemi marrë masat tona për garantimin e sigurisë publike.

Që prej fillimit të fushatës elektorale, në territorin e qarkut Durrës janë shënuar 3 raste sporadike konflikte elektorale: thyerje e derës së një zyre elektorale, pengim për të mos bërë fushatë elektorale për një kandidat dhe pengim në shpërndarjen  e materialeve promocionale të një subjekti.

Për secilin nga rastet nga ana jonë janë kryer veprimet proceduriale; në vijim të hetimeve të kryera janë identifikuar si autorë të dyshuar të përfshirë në këto ngjarje  3 shtetas, të cilët procedohen në gjendje të lirë për veprat penale: më 30.5.2013, vepra penale “shkatërrim prone”, parashikuar nga neni 150 i Kodit Penal; më 15.6.2013, vepra penale “pengim i subjekteve  për zgjedhjet në organet përfaqësuese”, parashikuar neni 325 i Kodit Penal; më 18.6.2013, vepra penale “Pengim i subjekteve për zgjedhjet në organet përfaqësuese”, parashikuar neni 325 i Kodit Penal. Aktet proceduriale të përpiluara në çdo rast i janë përcjellë për vlerësim e ndjekje Prokurorisë Rrethit Durrës.

Aktualisht jemi në fazën ku ka përfunduar hartimi i listave të punonjësve të policisë që do të angazhohen me detyra zgjedhore të ruajtjes së objekteve zgjedhore, garantimit të rendit e të qetësisë gjatë zhvillimit të votimit, sigurimit të shoqërimit të kutive të votimit tek vendi i numërimit të votave, ruajtjes së vendeve të numërimit të votave dhe KZAZ si dhe rivendosjes së rendit në qendrat e votimit apo edhe ato të numërimit të votave.

Për Qarkun e Durrësit do të angazhohen në total me detyra të tilla, të mirëpërcaktuara 491 punonjës policie. Në shkallë Qarku, numri i objekteve zgjedhore është 444 qendra votimi, 7 KZAZ, 7 VNV.

Për sa u përket ditëve të para, gjatë dhe pas procesit zgjedhor, konkretisht datave 22, 23 dhe 24 qershor, masat do të jenë intensive. Aktualisht, që prej datës 10.6.2013 efektivi i Drejtorisë së Policisë së Qarkut ka kaluar në shërbim të përforcuar, i cili do të vazhdojë deri në daljen e rezultateve të votimit.

Ditën e djeshme, datë 20.6.2013, nga ana jonë u morën masa për shoqërimin me automjet dhe punonjës policie të materialeve zgjedhore nga Rezervat e Shtetit në fshatin Lundër drejt 7 KZAZ-ve të qarkut: 5 në Durrës, 1 në Krujë dhe 1 në Shijak. Mbrëmjen e djeshme, ora 20.00, punonjësit e policisë të planizuar me shërbim filluan marrjen në ruajtje te këtyre objekteve zgjedhore.

Në orën 11.00 të datës 22.06.2013, të gjithë efektivët e planizuar me shërbim, do të marrin orientimin  e nevojshëm profesional për detyrimet ligjore si dhe do të kryhet kontroll mbi pajisjen me dokument identifikimi, pajisjet e shërbimit, uniformë, librin e kujtesës, etj. Këto orientime për punonjësit e Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Durrësit do të përçohen gjatë një takimi në ambientet e stadiumit të qytetit, ndërsa për komisariatet e policisë Krujë e Shijak në ambientet e këtyre strukturave.

Aktet ligjore që normojnë punën e Policisë Shtetit përgjatë procesit zgjedhor përcaktojnë rolin e punonjësit të Policisë në ruajtjen e selisë së KZAZ-së nga momenti kur në të mbërrijnë materialet e votimit deri në datën e zgjedhjeve; ruajtjen e QV gjatë natës para ditës së votimit  duke filluar nga momenti kur në KQV mbërrijnë materialet zgjedhore deri në momentin kur KQV-ja fillon veprimet paraprake për çeljen e votimit; ruajtjen e ambienteve të VNV prej orës 18.00 të ditës së zgjedhjeve deri në momentin e nxjerrjes së tabelave të rezultatit nga KZAZ; ndërhyrjen me vendim të KQV për të rivendosur rendin në QV dhe, pas rivendosjes së tij, të largohet me vendim të po këtij komisioni nga QV; ndërhyrjen me vendim të KZAZ për të larguar nga ambientet e VNV gjatë procesit të numërimit të votave personat e tjerë veç atyre të përcaktuar në Kodin Zgjedhor; të rivendosë rendin në këto ambiente në rast cenimi dhe pas këtyre veprimeve, me vendim të largohet; pajisjen me uniformë, dokument identifikimi, armatim sipas specifikës së shërbimit; shoqërimin e materialet e votimit nga QV për në VNV.

Punonjësit e policisë të ngarkuar me detyra zgjedhore, me përjashtim të atyre të angazhuar në ruajtjen e objekteve zgjedhore, në 24 orët para zgjedhjeve dhe në ditën e zgjedhjeve do të qëndrojnë brenda komisariateve apo në vende dislokimi larg qendrave të banuara, të përcaktuara tashmë. Qarkullimi i shërbimeve të policisë të ngarkuara me detyra zgjedhore do të bëhet vetëm me mjete policie dhe vetëm në rast se kërkohet ndërhyrja e tyre respektivisht nga KQZ-ja, KZAZ-ja apo KQV-ja.

Aktualisht vijon zbatimi i masave nga ana e Policisë deri në përfundim të fushatës zgjedhore në drejtim të garantimit të rendit gjatë aktiviteteve. Ndërkohë, në Drejtorinë e Policisë janë ngritur e po funksionojnë grupe pune që lidhen me drejtimin dhe koordinimin e shërbimeve si dhe monitorimin e medies e transparencën e policisë. Kështu, salla operative është parashikuar të funksionojë me shërbim të përforcuar në funksion të drejtimit dhe koordinimit sa më efikas të veprimeve e shërbimeve në bazë të ndarjes administrative, pritjes në kohë të dinamikës së pritshëm të telefonatave qytetare dhe menaxhimit në kohë të situatës.

Gjatë gjithë fushatës zgjedhore është ruajtur kontakt koherent me medien, me qëllim përcjelljen në kohë jo vetëm të aktiviteteve elektorale të zhvilluara në territor dhe mbarëvajtjes së tyre, por edhe të ngjarjeve të natyrës kriminale apo aksidentale që nuk lidhen me procesin zgjedhor. Rëndësi e veçantë i është kushtuar përcjelljes së informacionit mbi masat që policia e Durrësit po ndërmerr për të garantuar më shumë siguri publike: masa që lidhen me kontrollin dhe monitorimin me shërbime përgjatë 24-orëshit të territorit, parandalimin e veprimtarisë kriminale, forcimin e punës nga strukturat për hetimin e krimeve për mbledhjen e të dhënave mbi persona të mundshëm për të zhvilluar veprimtari kriminale, etj. Marrëdhënia me medien do të vijojë të jetë po kaq e ngushtë deri në fund të procesit zgjedhor.

Është vendosur dhe do të mbahet kontakt i vazhdueshëm me përfaqësues dhe vëzhgues të OSBE dhe ODIHR, të ftuar nga qeveria shqiptare për të vëzhguar zgjedhjet.

Drejtoria e Policisë Qarkut Durrës dhe strukturat në vartësi të saj angazhohen dhe garantojnë për përmbushje të detyrave ligjore duke vënë në dispozicion përkushtimin dhe vepruar në çdo rast me paanësi.

Gjejmë rastin t’u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve, banorë të qarkut tonë, që pavarësisht bindjeve të tyre politike, të tregojnë maturi, qytetari dhe të ushtrojnë të drejtën e votës duke respektuar rregullat e procesit të votimit.

/red. th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/

Na bëni like në facebook!: 
Total votes: 5