Konkurrencë për funeralet, përplasje me thika në QSUT

TIRANE, 20 prill 2013 - Një i vdekur është kthyer në mollë sherri mes pronarëve të dy agjencive funerale në Tiranë, të cilët janë përleshur me grushte e thika brenda Urgjencës së sëmundjeve të brendshme te spitali “Nënë Tereza” në Tiranë. 

Konkurrenca se kush do merrte përsipër ceremoninë mortore, ka shkaktuar një të plagosur me thikë dhe dy të tjerë me dëmtime në pjesë të ndryshme të trupit. Ndërsa pronari i agjencisë funerale është ndaluar dhe hetohet në gjendje të lirë si autor i plagosjes së “rivalit” e dy të tjerë janë shpallur në kërkim.
Në kohën kur në sallë vazhdonte të kryhej ndërhyrja kirurgjikale e një të moshuari, dy pronarët e dy agjencive të ndryshme funerale, shtetasit Aldont Rrahmani, 45 vjeç dhe Daniel Qemalit, 28 vjeç, kanë nisur konfliktin se kush do ta merrte kufomën, nëse personi që po operohej do të vdiste. Në sherrin e dhunshëm janë përfshirë edhe 4 persona të tjerë, dy miq të autorit dhe dy të tjerë të të dëmtuarit. 

Burime nga Policia e Tiranës thanë se Rrahmani, i dënuar më parë për vjedhje, ka plagosur me thikë në parakrah konkurrentin e tij, Daniel Qemali, edhe ky i dënuar më parë për shitje lëndësh narkotike. Po kështu, dy persona të tjerë të paidentifikuar që kanë qenë me autorin, kanë goditur me sende të forta edhe shtetasit Dëfrim Sula, 21 vjeç dhe Ledi Heri, 25 vjeç. 

/Gazeta "Panorama"/

Na bëni like në facebook!: 
Total votes: 5