Shefat e reparteve me klinika private tek spitali

 

Skaneri i Pizës mbetet peng i interesave të ngushta të privatëve, që ofrojnë këtë shërbim

Thuajse të gjithë shefat e pavioneve dhe reparteve në spitalin e Durrësit kanë klinika private. Përgjithësisht ato janë diku në pjesën e jashtme të murit rrethues të spitalit, ose jo shumë larg që aty. Klinikat e laboratoret u sjellin mjekëve fitime të mëdha me fare pak shpenzime. Janë kryesisht pacientë të spitalit ata që detyrohen të bëjnë analiza, grafi, eko, skaner dhe gjithçka tjetër në klinikat e këtyre shefave. Drejtoria spitalore e njeh këtë fenomen shumë të përhapur. Aktiviteti i këtyre klinikave si dhe veprimet e mjekëve e kirurgëve kryhen ditën për diell, në prani të bordit të spitalit, të përfaqësuesve të administratës apo të vizitorëve që vijnë nga Ministria e Shëndetësisë. Kanë dështuar një nga një të gjitha përpjekjet e drejtuesit të spitalit për të vendosur këtë kategori mjekësh në mes të alternativës: ose të mbajnë klinikën private e të heqin dorë nga përgjegjësitë e administrimit të pavioneve dhe reparteve, ose të mbyllin klinikën, për aq kohë sa ushtrojnë detyra të tilla. Spitali i Durrësit ka infrastrukturë e pajisje ndër më modernet në vend, por shërbimet përgjithësisht kryhen në klinika e laboratore private. Janë vetë mjekët dhe infermierët, që adresojnë pacientët tek privati.

Këtë veprim e justifikojnë me pohimin se laboratorët në spital nuk janë të standarteve të duhura, solucionet dhe lënda e parë nuk janë cilësore, pajisjet janë të amortizuara etj. Çdo ditë pacientëve të interesuar u thuhet se shërbimet ofrohen jashtë spitalit, pasi pajisjet janë prishur, nuk punojnë, kanë një pjesë të dëmtuar, presin riparimin e të tjera deklarime të pavërteta, ndërsa i dërgojnë në klinikat e tyre dhe të miqve. Kjo është mënyra më e rëndomtë që konstatohet çdo ditë dhe që u kushton shtrenjtë qytetarëve. Mjekët në këtë rast nuk duan t’ia dinë nëse pacienti është pensionist, invalid, pa të ardhuara ekonomike, familje e vobektë, student, i papunë… Bluzat e bardha të përfshira në skema të tilla mashtrimi nuk marrin mundimin tu ofrojnë shërbim të sëmurëve. Burime jozyrtare thonë se në disa raste ka pasur ngjarje të rënda, si pasojë e mosndërhyrjes në kohë e me cilësi nga mjekët. Madje flitet se një numër jo i vogël i mjekëve kanë pasur e kanë proçese penale të hapura si pasojë e këtyre abuzimeve të rënda. 

Zgjidhja, sipas palës së shëndoshë në mesin e bluzave të bardha, mund të vijë vetëm nëse kjo kategori mjekësh nuk do të përfitojë “ofiqet”. Ata thonë se nuk duhet lejuar për asnjë lloj arsye që një mjek të jetë shef në një pavion a repart dhe të ketë klinikë private. Veç pacientëve që orientohen me apo pa dashje për në klinikë e laboratore private, mjekët marrin me vete jo rrallë edhe pajisjet e spitalit e ilaçet. Fitimet në raste të tilla për një shërbim që ofrohet falas nga shteti në spitalet publike janë të mëdha, në mijëra lekë në muaj. Në këto klinika e laboratore përgjithësisht nuk ka kartelë për pacientët, emrat shkruhen në fletë e fletore sa për të kaluar rradhën, nuk shoqërohen me  shpjegues e rekomandime dhe as nuk ndiqet ecuria e pacientit. Të gjithë i dinë këto abuzime të hapura. I di drejtori, kryetari i bordit të spitalit, ministri, drejtorët e drejtorive, deputetët, qarku, prefektura, politikanët, shoqatat. Asnjëri prej tyre nuk ngre zërin. Të gjithë heshtin përballë këtij fenomeni.

Ankohen qytetarët me zë e nën zë, me fjalë të mëdha e me të vogla, me të sharë e me të mallkuar. Mijëra e mijëra lekë të shpenzuara për të mbushur xhepat e disa mjekëve. Një pjesë e tyre japin leksione, janë në disa komisione shtetërore a private, ndjekin e “kujdesen” për shëndetin e punëtorëve në konfeksione, duke marrë edhe atje jo pak lekë. Në klinika private bëhen jo vetëm vizita e analiza, por edhe ndërhyrje. Për cilësinë e këtyre të fundit nuk është folur ndonjëherë. Prokuroria e Durrësit ka disa dosje në dorë e të tjera në sirtarë. Këto dosje duhet të zbardhin përgjegjësinë dhe pozicionin e mjekëve në rastet e humbjes së jetës së pacientëve.

Skaneri i Pizës nuk do të vijë asnjëherë në Durrës

Skaneri i paketuar që prej më shumë se 5 vitesh në Piza të Italisë, si dhuratë për spitalin rajonal të Durrësit, nuk do të vijë asnjëherë. Kanë qenë autoritetet spitalore të Durrësit ata që kanë pohuar faktin, nisur nga deklarimet e ardhura nga qendra spitalore universitare e Pizës. Burime shumë të sigurta dhe të besueshme pohojnë se skaneri pasi ka qëndruar i paketuar në një mjedis të veçantë në Piza, është shitur. Ka qenë pritja e gjatë dhe përgjigjet gjithnjë të ftohta e negative nga spitali i Durrësit dhe Ministria e Shëndetësisë ato që kanë shtyrë spitalin e Pizës t’i japë fund mbajtjes peng të pajisjes moderne. Edhe pse skaneri ka qenë dhe mbetet mjaft i kërkuar në Durrës, dhurata e Pizës është refuzuar. Skaneri në inventar kap vlerën 250 mijë euro dhe sipas mjekëve të interesuar, ka qenë në gjendje shumë të mirë pune. Spitali italian ia ka bërë dhuratë Durrësit, në kohën që Piza ndërroi të gjitha pajisjet e veta. 

Pajisja moderne është e markës SIEMENS dhe në bazë të marrëveshjes mes dy spitaleve do të ofrohej për shërbimin diagnostikues në Durrës për t’i dhënë fund ecejakjeve të pacientëve nga Durrësi për në Tiranë. Por realisht tani gjithçka është mbyllur, ngaqë spitali i Pizës ia ka shitur skanerin një kompanie të huaj. Pas të gjithë kësaj loje qëndrojnë interesat e privatit. Prej disa vitesh, nisur nga kërkesat e shumta, fare pranë spitalit, për të mos thënë ngjitur me të, është instaluar një skaner privat e pas tij qëndron një kirurg i cili ka mundur të gjunjëzojë të gjithë drejtorët e spitalit të Durrësit. Pacientët, në mungesë të një shërbimi të tillë shtetëror, detyrohen të paguajnë tek privati nga 15 mijë deri në 25 mijë lekë për të bërë një skaner. Në bazë të tarifave të vendosura nga Ministria e Shëndetësisë po të realizohet në mjediset e spitalit pacienti paguan jo më shumë se 2 mijë lekë. Një çështje e tillë njihet më së miri edhe nga Ministria e Shëndetësisë e cila ka heshtur duke mos reaguar për shqetësimin qytetar. Të gjitha përpjekjet, madje edhe deklarimet e forta të krerëve të spitalit në Durrës, janë shkërmoqur një nga një. Kjo vetëm ngaqë askush deri tani nuk ka qenë në gjendje të ndalojë këtë fenomen. Ministria e Shëndetësisë, sipas burimeve nga drejtoria spitalore në Durrës, ka gati tenderin për blerjen e një skaneri. Këtë herë kjo pajisje moderne do të merret në Austri. Por pohime nga bluzat e bardha kanë thënë se edhe po nuk u pengua dot ardhja e skanerit të ri, do të gjendet një mënyrë a formë për ta nxjerrë atë jashtë funksionit. Ministria e shëndetësisë ka pohuar se së bashku me skanerin do të tenderohet edhe blerja e aparaturës për rezonancën magnetike, pajisje këto të premtuara nga dikasteri mjekësor prej më shumë se 3 vitesh.

Protokolli

Drejtoria e Përgjithshme e Qendrës Universitare në Piza me vendim numër 1244, datë 16 dhjetor 2003, ka zyrtarizuar pjesëmarrjen në programe bashkëpunimi ndërkombëtare në fushën e mjekësisë. Afro një vit më vonë, me vendim nr. 973, datë 23 tetor 2004, kjo qendër e madhe universitare spitalore ka miratuar bashkëpunimin me Shqipërinë. Palët nisën bisedimet për të nënshkruar protokollin lidhur me programin e bashkëpunimit italo-shqiptar duke vendosur që Piza të binjakëzohej me Durrësin. Në datë 31 mars 2005, në Pisa të Italisë është nënshkruar protokolli në prani dhe me firmë të drejtorit të përgjithshëm në Pisa, dr. Enrico Desideri, përfaqësuesit të qarkut të Toskanës, dr. Enrico Rossi, ministrit të Shëndetësisë, dr. Leonard Solis dhe drejtorit të spitalit të Durrësit, dr. Kristo Huta.  Palët vendosën që marrëveshja të rifreskohej një herë në dy vjet pas një analize profesionale të protokollit. Qendra në Piza do të ofronte për spitalin e Durrësit fuqizim dhe vendosje të shërbimeve të reja në kardiokirurgji, ortopedi, onkologji, anatomi patalogjike, nefrologji, kardiologji, neurologji, endokrinologji, diabetologji, fizikë shkencore, disiplina tekniko-administrative etj. Ajo që është vënë në dukje dhe që është cilësuar si arritje e madhe ka të bëjë me faktin se ekipet do të ishin me mjekë, specialistë e ndihmësmjekë shqiptarë e italianë, pra ekipe të përbashkëta në të gjitha vlerësimet klinike të pacientëve të prekur nga patologji të vështira dhe në ndërhyrje të të gjitha llojeve. Paraprakisht qendra e madhe në Piza mori përsipër kualifikimin e personelit të lartë e të mesëm të Durrësit në disa specialitete. Ndërmarrja Universitare e Pizës ndër më të kualifikuarat në Evropë, në këtë kuadër, trajnoi mjekët e Durrësit, organizoi konferenca shkencore kryesisht për përmirësimin e diagnozave të terapisë së rehabilitimit dhe të follow-up (pas ndërhyrje), ndërkohë që bashkë me mjekët e Durrësit ndërmorën veprimtari kërkimore-studimore dhe telemjekësi në rrjet telemetik Durrës-Piza (on line). 

Programet me Pizën

Pas marrëveshjes së nënshkruar nisi hartimi i programeve operative për ortopedinë, nefrologjinë, dializën, kardiologjinë diagnostifikuese hemodinamike, kirurgjinë e fizikën shkencore. Projektet, sipas përpilimit, zgjasnin nga disa muaj deri në dy vite. Në to u aktivizuan ekipe me mjekë e teknikë shqiptarë e italianë. Në ortopedi u kryen 40 shërbime në vit, 32 proteza të koksitit dhe 8 të tjera të ndryshme. Secili shërbim kushton 2500 euro dhe në dy vite për shërbimet e ofruara u kursyen 200 mijë euro. Piza ofroi në marrëveshje të parin shërbim nefrologjik, dializën në Durrës duke marrë përsipër kryerjen e 1944 shërbimeve në vit me kosto 80 euro për shërbim dhe me një vlerë në dy vite prej 311.040 euro. Ky shërbim nisi dhe u ndërpre për shkak të mosnënshkrimit të marrëveshjes. Nga fshatrat e Krujës, fshatrat e Durrësit deri në Kavajë e Rrogozhinë numërohen më shumë se 130 pacientë, që detyrimisht duhet të bëjnë dializë një herë në dy ditë. Pas trajnimit disamujor të kardiologëve e kirurgëve shqiptarë dhe të infermierëve të qendrës spitalore të Pizës, mjekët shqiptarë e italianë kryen koronografi e angioplastika, ndërkohë që projektet parashikuan që në tre vite të financohej për 900 shërbime shuma prej 1.86 milionë euro. Në marrëveshje është cilësuar se sëmundjet kardioçirkolatore janë përgjegjëse për më shumë se 50% të vdekjeve, ndërkohë që Durrësi ka nevojë për afro 2.000 koronografi dhe 700 ndërhyrje kardiokirurgjikale. Reparti i radiologjisë si dhe personeli i radiologëve, në sajë të teknologjisë së re të ofruara nga Piza do të ishin lehtësisht të survejuar. Programet parashikuan deri në detaje kohëzgjatjen, koordinatorët, përgjegjësit e projektit, ekipin e mjekëve dhe ndihmësve, personelin teknik shqiptar dhe të huaj.

Urgjencat pa ilaçe

Gjatë këtij viti spitali i Durrësit ka pasur probleme të manifestuara thuajse gjatë tërë periudhës 10-11 mujore lidhur me mungesën e medikamenteve mjekësore në depot dhe shërbimet e tyre. Bëhet fjalë për ilaçe bazë, mungesa e të cilave ua vështirëson pa masë punën bluzave të bardha. Shkak për këtë gjendje është bërë shtyrja herë pas here e tenderit për blerjen e ilaçeve, tender që duke u zhvilluar on-line skualifikon nga gara firmat edhe për ndonjë mangësi të vogël në dokumentacionin e dosjes. Në farmacinë e pediatrisë, pathologjisë dhe maternitetit të spitalit rajonal në Durrës ka munguar deri edhe alkooli, aparati i serumit, pimperani, ultrakorteni, buskopani dhe medikamente të tjera, të cilat edhe pse nuk janë të kushtueshme, kanë munguar në inventarin e repartit të pranimit të urgjencave. Këto ilaçe janë më se të domosdoshme për rastet, kur pacienti ka shenja helmimi, dhembje të forta të kokës, ethe, bark, të vjellta, migrenë, aksidente rrugore e të tjera. Një pimperan kushton vetëm 50 lekë, kurse buskopani 80 lekë, por edhe këto kanë munguar. Kjo është shfrytëzuar më së shumti nga farmacitë. Lokale me të tilla medikamente mjekësore ose kanë pronar një mjek, ose janë të lidhur ngushtësisht me bluzat e bardha. Madje ka shumë zëra që thonë se mjekët marrin përfitime, rrogë nga farmacitë duke ua shtuar atyre detyrimin për të adresuar pacientin tek farmacitë me justifikime se medikamentet mungojnë në shërbimin spitalor. Ndërsa ka edhe pohime të tjera që theksojnë se depot e spitalit nuk kanë qenë asnjëherë bosh me ilaçet bazë. Pra disa mjekë e kanë shfrytëzuar rastin e shtyrjes së tenderit duke detyruar pacientët të marrin ilaçe në farmacinë e rekomanduar nëse do të kërkonin shërbim nga mjeku. Të tilla kushtëzime kanë ulur dukshëm performancën e spitalit të Durrësit. 

Pagova nën dorë për analiza të pasakta

Një qytetare e Durrësit ka denoncuar shërbimin shëndetësor në Durrës, pasi për çdo analizë të bërë asaj i është kërkuar para, ndërsa treguesit e analizave të bëra janë të pasakta. Violanda Shoshaj, 61 vjeçe, banuese në lagjen numër 17 të Durrësit ka thënë se bluzat e bardha e kanë detyruar të ofrojë para nën dorë për çdo injeksion, në përpjekje për të mësuar rezultatet e një analize diabeti. Shoshaj është e sëmurë kronike dhe vuan nga diabeti, tromoflebia dhe tensioni i lartë për të cilën është kuruar si në Itali edhe në Shqipëri. Shoshaj ka numër libreze shëndetësore 10266289 dhe njihet nga specialistja si e sëmurë kronike. Pasi ka paguar shumën 200 lekë sapo ka hyrë në ambulance, ajo është futur në laboratorin e klinikës biokimike dhe aty i është dashur të paguajë lekë të tjera sa herë që i është bërë injeksion. Por kjo është fare pak. Në analizën e paraushqimit Clicemia esëll është 210, pas ushqimi 340, ndërsa mjekja ka hedhur dyshime lidhur me rezultatet e analizave. 61-vjeçarja Violanda Shoshaj ka thënë se mjekja i ka deklaruar se analizat në poliklinikë nuk janë të sakta dhe se nuk duhen marrë në konsideratë. Në poliklinikën e Durrësit ka bërë 3 analiza në një kohë të shkurtër dhe në asnjërën nuk përputhen treguesit. Në Itali diabeti nuk i ka shkuar mbi 140, ndërsa analizat që bën në Durrës në vende të ndryshme herë tregojnë Cliceminë 210-250 dhe herë 350 duke vënë pacienten në dilemën e përdorimit të medikamenteve.

Klinika me liçensë pa personel të kualifikuar

Loja me liçensën e farmacive dhe klinikave dentare është më se e njohur. Hapja e një lokali të ri të këtyre shërbimeve kërkon paraprakisht një sërë garancish dhe dokumente pa fund. Kjo është ana që shëron.  Pjesa e formalitetit të domosdoshëm të dokumentacionit. Ajo që qëndron në anën tjetër ka të bëjë me personelin që shërben. Në të dy rastet, si në farmaci, edhe në një klinikë stomatologjike lipset që personeli detyrimisht të jetë i specializuar, të ketë mbaruar detyrimisht arsimin përkatës si dhe të ketë licensë. Ligji lejon që një farmacist apo dentist të ketë më shumë se një klinikë, më shumë se një farmaci. Ajo që krijon pasigurinë ka të bëjë me faktin se në farmaci e në kliniken dentare shërbejnë persona të paarsimuar dhe të afërm të familjes apo fisit. Sot në derën e farmacive shikon edhe fëmijë të blejnë ilaçe dhe farmacisti nuk reagon fare. Në klinika dentare shërbejnë studentë apo personel i mesëm, që nuk duhet të lejohen të realizojnë ndërhyrje të vogla apo të mëdha. Bëhet fjalë për një fenomen tipik dhe jo për raste sporadike, që konstatohen në qendër të Durrësit, në Spitallë, Kënetë, Shkozet, Plazh, si dhe fshatra të ndryshëm.

Në farmaci shërbejnë djali, burri, nusja, një fëmijë apo një i rritur edhe pse nuk kanë arsimin e duhur dhe as nuk janë të liçensuar. Madje, duke qenë në zona periferike, kjo kategori pa marrë parasysh se mund të lozë me jetën e qytetarit, rekomandon medikamente pa asnjë recetë apo konsultë paraprake me mjekun. Në DSHP është thënë se nuk ka informacione për raste të tilla, por realisht qytetarët e dinë shumë mirë se në lagjen e tyre një farmacist me licensë lë në punë për të shitur ilaçe një pjesëtar të familjes. Në bazë të detyrimeve që ka farmacisti, ai duhet të kontrollojë recetën e lëshuar nga mjeku dhe ta rikthejë nëse doza e përcaktuar apo medikamenti i lëshuar nuk mund të përdoret nga pacienti për arsye të ndryshme. E njëjta pamje manifestohet edhe nga disa klinika stomatologjike. Ato nuk plotësojnë as kriteret më minimale për të qenë të tilla. Kështu nuk kanë pajisjen e sterilizimit të pajisjeve, nuk kanë higjenë në lokal, u mungon uji i freskët etj. Në të tilla klinika dentare shërbimi rrezikon përhapjen e infeksioneve të ndryshme, madje edhe të rrezikshme për jetën. Edhe në këtë rast klinika ka liçensë, por në të shërben një person i pakualifikuar.

Ka në Durrës raste që klinika është hapur nga një dentist, i cili është transferuar në një qytet tjetër, kurse në klinikën e tij me dokumente të rregullta punëson dikë të pakualifikuar. Klinika të tilla nuk afrojnë asnjë lloj shpjegimi dhe argumenti të shëndoshë lidhur me mbetjet. Asnjë klinikë private në Durrës nuk ka furrë asgjësimi të mbetjeve të rrezikshme, mbetje që hidhen në mbeturinat urbane. Farmacitë e klinikat bëhen shpesh herë objekt kontrolli si të dokumentacionit për ushtrim profesioni, por edhe për mënyrën e funksionimit. Në rastet kur ato bëhen objekt kontrolli, ose vjen vetë i zoti, ose klinika e farmacia ulin qepenin. Në raste të tilla, të daljes në terren të kontrollit, ata që njoftojnë këtë kategori personash janë vetë agjentët e kontrollit. Deri tani në Durrës nuk ka asnjë të ndëshkuar për asnjë nga rastet e bëra publike.

 

Na bëni like në facebook!: 
Total votes: 11