Shijak. Kapet Rudin Çalliku, prej 11 vitesh i kërkuar në Apenine

·      Rrezikon dënim deri 24 vjet heqje lirie për trafik droge, tentativë vrasjeje dhe pjesëmarrje në organizata kriminale mafioze

DURRËS, 30 janar 2014 –  Një tjetër “VIP” i krimit në Apenine, shijakas që fshihet prej 11 vjetësh, është kapur nga blutë bregdetarë për llogari të drejtësisë “trengjyrëshe”. Drejtoria e policisë së shtetit e qarkut të Durrësit njofton se në mesditën e 30 janarit 2014 është kapur në qytetin e Shijakut shumë i kërkuari Rudin Çalliku, 40 vjeç, me banim në qytetin buzë Erzenit. 40-vjeçari u shpall “wanted” nga zyra qendrore kombëtare Interpol Tirana më 26 qershor 2012. Po sipas këtij burimi zyrtar, Interpol Roma ka njoftuar homologët shqiptarë se autoritetet gjyqësore të Gjenovës në Itali kanë lëshuar ndaj Çallikut urdhër arresti qysh më 18 mars 2002. Togat e zeza të “Çizmes” e kanë akuzuar për trafik droge, tentativë vrasjeje dhe pjesëmarrje në organizata kriminale mafioze. Maksimumi i dënimit arrin në 24 vjet heqje lirie. Bëhet e ditur se vazhdojnë procedurat për ndalimin me qëllim ekstradimi të këtij shtetasi drejt Italisë.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/

 

Na bëni like në facebook!: 
Total votes: 20