Shkëmbi i Kavajës, ballkoni nga shijohet Durrësi

 

Gjiri i Durrësit shtrihet nga të gjitha anët duke formuar një hark që duket se zgjatet deri atje ku toka, deti dhe qielli shkrihen në një të vetëm. Nga maja e këtij shkëmbi të duket vetja sikur je në një ballkon gjigand, nga i cili ke fatin të shikosh qytetin deri në zemër të tij dhe detin deri në pafundësi, aty ku nanuritet bashkuar e kaltra e detit dhe qiellit. Është magjike panorama që të ofron syri

Shkëmbi i Kavajës është një prej monumenteve natyrore më të rëndësishme të qytetit, një pikë strategjike, nga maja e të cilit Durrësi duket si në pëllëmbë të dorës. Për të shkuar deri në majë të tij të duhet të kalosh nëpër një rrugë gjarpëroshe dhe të ngushtë, prej disa kilometrash, thuajse tërësisht e amortizuar dhe e braktisur nga banorët. Rruga kalon përmes fshatit të Shkallnurit, emri i të cilit vjen nga shkallët apo rrëpira në të cilën banorët kanë ndërtuar shtëpitë e tyre shumë vite më parë. Shoqëruesi ynë është Durimi, një meso burrë nga ky fshat, i cili nget një makinë 4x4 me kujdes të madh. Ai i di shtigjet e kësaj zone e cila mbart një bukuri përrallore, shumë pak të njohur nga durrsakët apo dhe turistët.

Sapo kemi ngjitur rrugën e shtruar, një rrugë e ngushtë, e cila vitet e fundit ka parë asfaltin e parë, aksi ndahet në dy degëzime, një prej të cilëve,ai në të djathtë ngjitet në majën e Shkëmbit të Kavajës, ku gjendet një shesh i mbuluar nga gjelbërimi, ndërsa degëzimi tjetër, në të majtë shkon tek “Kodra e Kalit”. Destinacioni ynë është maja e shkëmbit kështu që i drejtohemi degëzimit të parë. Janë dhe tre apo katër kilometra të tjerë, në një rrugë të ngushtë hijerëndë, për shkak të pemëve që kanë gjelbëruar dhe frutave që varen nga degët. Shtëpitë janë krejtësisht bosh. Banorët e tyre janë larguar në emigracion vite më parë dhe gjithçka është e kyçur aty, ndërsa shtëpitë vit pas viti kanë shkuar drejt rrënimit. Është një kontrast i thellë, midis pamjes që ofron panorama e një zone kaq të bukur dhe të veçantë, me bollëkun e madh që i ka falur natyra dhe braktisjes që i kanë bërë banorët asaj. Rruga që të çon drejt majës të jep përshtypjen e një vendi të shkretë, diku në veri dhe jo atë të një vendi që ndodhet vetëm 30 minuta larg plazheve e rrjetit të rrugëve nacionale që lidhin veriun me jugun e vendit. Banesat janë tërësisht të heshtura, e hap pas hapi të shoqëron një përshpirtje e thellë, teksa portat e gurta qëndrojnë të mbyllura, ndërsa banorët i kanë rrethuar ato me driza për t’i ruajtur nga keqbërësit. Drizat plot gjëmba çjerrin edhe llustrën e makinës, që me vështirësi lëviz midis kësaj rruge që dikur ka qënë sokak me kalldrëm, e plot jetë.

Durimi thotë se banorët kanë ikur një e nga një emigrantë dhe më pas kanë tërhequr edhe familjarët, çka solli braktisjen e zonës. Ata kanë emigruar dhe punojnë në sektorin e turizmit, në qytetin e Riminit, në restorante si kuzhinierë, baristë,etj., punë të cilën mund ta bënin në vendlindjen  e tyre. Realisht ndjen keqardhje teksa sheh që gjithçka këtu ëhstë e braktisur, ndërsa duhet të kishte ndodhur e kundërta, duhej të ishte vënë në shfrytëzim të plotë, jo vetëm, për thithjen e turistëve për ekspedita, por edhe për t’u treguar atyre historitë e lashta që mbart ky vend, që prej periudhës romake e deri në ditët e sotme. Ndërsa automjeti vazhdon rrugëtimin jo më shumë se 500 metra para nesh shfaqet një shesh i madh, në të cilin duket mjaft qartë një portë hekuri, e vendosur vite më parë e që tregon se ajo ka qënë apo vazhdon të jetë pronë private. Vapa dhe temperaturat e larta kanë shterruar çdo rezervë uji. Gjarpërinjtë kanë dalë nga strofkullat e tyre në kërkim të burimeve. Duhet kujdes për të shëtitur.

Në pikën më të lartë të Shkëmbit, gjendet një shesh i madh, ndërsa në fund të tij, panorama që shfaqet është një mrekulli e vërtetë. Gjiri i Durrësit shtrihet nga të gjitha anët duke formuar një hark që duket se zgjatet deri atje ku toka, deti dhe qielli shkrihen në një të vetëm. Nga maja e këtij shkëmbi të duket vetja sikur je në një ballkon gjigand, nga i cili ke fatin të shikosh qytetin deri në zemër të tij dhe detin deri në pafundësi, aty ku nanuritet bashkuar e kaltra e detit dhe qiellit. Është magjike panorama që të ofron syri. Freskia, ajri i pastër që të mbush kraharorin, cicërimat e zogjve dhe zhurma që lëshojnë gjethet e pemëve ndërsa i lëkund era të falin një paqe shpirtërore që s’ka të paguar. Teksa hedh vështrimin poshtë, aty ku zien me forcë jeta urbane, të duket e pabesueshme sesi disa qindra metra lartësi mund të të dhurojnë një parajsë të vërtetë tokësore. Mijëra njerëz, punëtorë, makina, lëvizin për pushime apo për punë në një destinacion të papërcaktuar përgjatë bregdetit. Lokalet disa katëshe poshtë nesh janë plot.

Zona turistike

Në vijën bregdetare të Shkëmbit të Kavajës janë ndërtuar mbi 1 mijë  objekte turistike, 40% e tyre e klasit të parë. Komuna ka një shtrirje shumë të madhe. Në përbërje të saj janë mbi 20 fshatra, të cilat e kanë lidhur jetën e tyre me turizmin dhe agro-turizmin. "Nëse do të marrësh një kokërr rërë nga Shkëmbi i Kavajës dhe do ta shtrydhësh fort, ajo do të kullojë flori",- thotë kryetari i kësaj komune, Hysen Gashi. Rekordi i turizmit është arritur në vitin 2010,  me 500 mijë pushues. Në 1 maj fillojnë të vijnë turistët e parë, ndërsa ata të fundit largohen në 15 shtator. Por edhe pas shtatorit pushimet në fundjavë nga grupe që vijnë nga Kosova dhe Maqedonia i japin  gjallëri zonës. Shkëmbi i Kavajës është njëkohësisht dhe një lagje në miniaturë e Tiranës. Në këtë vend, shumë nga banorët e Tiranës zbarkojnë çdo të shtunë dhe të dielë, duke i dhënë një frymëmarrje shumë të madhe biznesit. Banorët e kësaj komune kanë një nivel jetese nga më të lartët në vend, kjo për shkak të bukurive që u ka ofruar natyra si dhe të shumë resurseve të tjera në agrokulturë, bujqësi etj. Të 20 fshatrat që përfshin kjo komunë ndodhen në rrjetin e një infrastrukture shumë interesante. Kreu i komunës së Rrashbullit, Hysen Gashi, na tregon se pikërisht në këtë shesh i cili ka një sipërfaqje jo më pak se 2 mijë metra katror në vitin 1996 iu dha leja e ndërtimit për një kompleks vilash kompanisë “Vefa Holding”, e cila nuk i nisi dot punimet për ndërtimin e tyre. Një kompleks vilash për pushuesit në këtë vend, do t’i jepte zhvillim të gjithë zonës. Nga ajo kohë ka mbetur vetëm porta e hekurit që e mban të rrethuar këtë vend, që me shumë dëshirë e kemi pagëzuar “Ballkonin e Durrësit” për vetë pozicionin e tij strategjik që ka mbi Adriatik. 

Resurse për turizmin malor

Në pjesën e tij të sipërme dhe në shumë nga pjesët anësore vertikale Shkëmbi i Kavajës është i mbuluar me shkurre e pemë. Vetëm se  gjelbërimit të barit po i vjen fundi si pasojë e temperaturave të larta që vazhdojnë prej rreth 20 ditësh. Forma e veçantë, gjelbërimi i përhershëm, figurat që janë krijuar nga gërryerjet miljona vjeçare të agjentëve atmosferikë dhe pozicioni ku ndodhet i japin Shkëmbit te Kavajës një pamje tërheqëse dhe krijojnë një peisazh të veçantë për turistët që pushojnë në plazhet pranë tij si dhe për udhëtarët e shumtë që kalojnë në rrugën nacionale buzë Durrës-Kavajë. Pozicioni i tij i veçantë e ka bërë që të jetë edhe një pikë e rëndësishme strategjike. Nga maja e Shkëmbit, në pjesën veriore, mund të shikosh pa fund plazhet që janë gjallëruar me pushues, ndërsa në tre këndet e tjerë pamja është po kaq e bukur, por në ndryshim,  kodrat e buta të gjelbëruar janë krejtësisht të virgjëra nga ndërtimet dhe dora e njeriut nuk ka shkuar ende. Janë jo më shumë se 30 minuta larg prej qëndrës urbane dhe freskia e hijeve e ajri i pastër tregojnë se ky vend me potenciale të mëdha për turismi malor mbetet ende i pashfrytëzuar. Pasi kemi soditur për gati një orë pamjen piktoreske marrim një udhë tjetër, atë që banorët e kanë pagëzuar me emrin “Kodra e Kuajve”. Nuk e dimë nga ka ardhur ky toponim, por një lokal i madh është në ndërtim e sipër, dhe para tij gjendet një pistë kuajsh. Pronari i saj ka vetëm pak ditë që e ka hapur këtë resort, pamja e të cilit shtrihet nga rezervuari i Manskurisë. Na tregon se i janë dashur mbi 10 vjet që të hapë vendin dhe të ndërtojë lokalin, i vetmi në këtë zonë, i mbuluar nga gjelbërimi, por me një problem të madh, sepse mungon uji i pijshëm. “Nëse do të ndërtonin ujësjellësin e Manskurisë edhe ne do t’i ndihmonim financiarisht për tubat dhe pompat, vetëm të kemi ujë. Nëse kjo zonë do të kishte ujë të pijshëm atëherë askush nuk kishte për t’i braktisur shtëpitë, por të gjithë do të ktheheshin, dhe do të viheshin në shërbim të turismi”,- na thotë pronari që kujdeset edhe për disa kuaj të cilët për çdo mbrëmje argëtojnë të apasionuarit që vijnë deri këtu me guxim. 

Popullimi i zonës bregdetare

Zbresim sërish poshtë dhe pas 30 minutash jemi në bregdet, aty, ku jeta urbane është në ritmet e saj më të larta. Janë mijëra pushues që kanë  tejmbushur bregdetin e kësaj zone e cila ofron kushte komode në hoteleri, por edhe në shërbimet e tjera. Përgjatë bregdetit, ku është përqendruar numri më i madh i hoteleve dhe resorteve turistike, pushojnë turistët kosovarë dhe ata maqedonas, që në masë të madhe e popullojnë këtë zonë. I gjithë plazhi, i cili shtrihet në një sipërfaqje prej 21 mijë metra katrorë, në pikun e sezonit veror numëron deri në 500 mijë pushues. Plazhi shtrihet mes Durrësit dhe Kavajës dhe që sipas shumicës së pushuesve me të cilët folëm është një prej perlave që ofron bregdeti i Adriatikut. Çmimet në plazhin e zonës variojnë. Gjithsesi këtë sezon veror rezulton të ketë një uljetë çmimeve krahasuar me një vitmë parë ndoshta edhe prej krizës që ka përfshirë të gjithë vendet e rajonit. Në hotele çmimet variojnë nga 30 deri në 50 euro nata ku përfshihet edhe vaktet për person, ndërsa në lokale të tjera çmimi është më i ulët, por ka diferencime për vaktet e ushqimit. Pushuesit shprehen se në të stinë çmimet janë mjaft të ulëta dhe shërbimi hotelier është në nivele shumë të mira.

 

Na bëni like në facebook!: 
Total votes: 34