Vrasja e djeshme në Tiranë, ngjarje e paralajmëruar

TIRANE,6 gusht 2013 - Fati i Dallëndyshe Jazxhi, 50 vjeç ishte vulosur nga burri i saj. Gruaja e cila u vra dje me një plumb në ballë nga i shoqi Edmir Jazxhi, 51 vjeç kishte paralajmëruar më shumë se njëherë dhunën që i shoqi ushtronte ndaj saj. 

Sipas hetimeve paraprake rezulton se drejtësia dhe policia ka qenë në dijeni të dhunës së vazhdueshme që autori i ngjarjes së djeshme, Edmir Jazxhi, ushtronte ndaj së shoqes. E përditshmja Gazeta Shqiptare zbulon se Gjykata e Tiranës madje kishte lëshuar dhe urdhër mbrojtjeje për 50-vjeçaren që kërcënohej nga i shoqi. 

Dallëndyshe Jazxhi kishte kërkuar dhe divorcin, por i shoqi nuk pranoi kurrë ta jepte. 

Burri e vrau të shoqen me pistoletë dhe më pas ka qëlluar edhe veten, duke gjetur vdekjen e menjëhershme. 

Ngjarja e rëndë ndodhi dje në orën 12:50, në rrugën “Irfan Tomini”, pranë bllokut të vilave në zonën e Selitës në Tiranë. 

Burime zyrtare nga Policia e Tiranës thanë se më datë 5 korrik të këtij viti, në orën 09:00 të mëngjesit, viktima Dallëndyshe Jazxhi kishte denoncuar të shoqin në Komisariatin Nr.2 për dhunë në familje dhe menjëherë i ishte plotësuar kërkesë-padia për urdhër mbrojtjeje. Kjo kërkesë është shqyrtuar në një seancë paraprake në Gjykatën e Tiranës të nesërmen pas denoncimit dhe është vendosur edhe një mbrojtje paraprake. Në seancën e radhës, të datës 17 korrik, gruaja ishte tërhequr dhe për shkak të mosparaqitjes së saj në Gjykatë, gjyqtarja kishte pushuar çështjen. 
Sipas Policisë, ish-gardisti Edmir Jazxhi vazhdimisht e ka kundërshtuar divorcin, madje edhe duke e kërcënuar të shoqen.Mësohet se Edmir Jazxhiu shpesh konsumonte alkool dhe ushtronte dhunë ndaj gruas. Të njohur të çiftit i kanë thënë policisë se Dallëndyshja, e cila ishte e papunë, disa herë ishte larguar nga shtëpia, por kthehej sërish për hir të dy fëmijëve. “Dy fëmijët e dajës janë të shokuar nga ngjarja. Vajza është në gjendje shoku”, tregon mbesa e viktimës Edmir Jazxhiu. Ndërsa një zyrtar i policisë tha për “GSH” se mes çiftit ka pasur probleme dhe rasti i tyre ishte trajtuar nga inspektorët. Por sikurse thekson ai, marrëdhëniet mes çiftit ishin normalizuar dhe më pas Dallëndyshe Jazxhiu ishte tërhequr nga kërkesa për urdhërmbrojtjeje. 

Urdhri i Mbrojtjes 
Në një seancë të datës 6 korrik 2013, Gjykata e Tiranës firmosi një urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje për Dallëndyshe Jazxhiun. Gjykata urdhëronte Edmir Jazxhiun të mos kryente dhe të mos kërcënonte se do të kryente asnjë vepër të dhunës në familje ndaj Dallëndyshe Jazxhi. “Urdhërohet i padituri Edmir Jazxhi, të mos kërcënojë më paditësen Dallëndyshe Jazxhi. Urdhërohet i padituri Edmir Jazxhi, të mos cenoje, ngacmojë, apo komunikojë dhunshëm me paditësen Dallëndyshe Jazxhi. Ky urdhër i menjëhershëm do të zbatohet nga data 06.07.2013 deri më marrjen formë të prerë të urdhërit të mbrojtjes”, thuhet në vendimin e gjykatës. Seanca e radhës, ku Dallëndyshe Jazxhi do të siguronte urdhrin e mbrojtjes për të shpëtuar nga dhuna dhe kërcënimet e bashkëshortit të saj, ishte caktuar të zhvillohej më datë 17 korrik 2013 ora 14:30, por në këtë datë Dallëndyshe Jazxhi nuk është paraqitur para gjykatëses Teuta Hoxha, e cila nuk kishte rrugë tjetër veçse të pushonte çështjen. “Pala paditëse (Dallëndyshe Jazxhi) nuk u paraqit në gjykim, megjithëse kishte dijeni rregullisht nga seanca e mëparshme e datës 06.07.2013 në të cilën është vendosur edhe lëshimi i urdhërit të menjëhershëm të mbrojtjes. Nga verifikimet e kryera, u konstatua se nuk ka asnjë dokument apo njoftim të depozituar nga pala paditëse për të justifikuar mosparaqitjen e saj në seancë gjyqësore. Në këto kushte vendoset pushimi i gjykimit të çështjes për shkak të mosparaqitjes në gjykim të paditëses pa shkaqe të arsyeshme”, thuhet në vendimin e gjykatës.

/balkanweb/

Na bëni like në facebook!: 
Total votes: 8