Gripi, si të parandalojmë komplikacionet

Elida Peza

Elida Peza

Sëmundja që ka shkaktuar miliona viktima në historinë e njerëzimit nuk duhet trajtuar si një gjendje kalimtare. Kujdes i veçantë ndaj personave me imunitet të dobët. Çfarë duhet të bëjmë kur konstatojmë simptomat e para dhe eliminimi i përdorimit të antibiotikëve pa rekomandimin e mjekut

Gripi i zakonshëm është një sëmundje virale, kryesisht e përhapur gjatë stinës së dimrit, megjithëse kohët e fundit për shkak të ndryshimeve klimaterike të planetit tonë dhe ndryshimit të menjëhershëm të temperaturave shfaqet edhe në stinët e tjera. Madje po t’i referohemi verës së vitit që sapo lamë pas, kanë qenë mjaft të shpeshta rastet e prekura nga gripi stinor. Simptomat e gripit janë kryesisht rinitet (rrjedhje hundësh), lotim i syve, djegie fyti, kollë, dhimbje muskujsh dhe koke dhe temperaturë e lartë mbi 38-39. Në disa raste, gripi mund të shoqërohet dhe me të përziera dhe të vjella, sidomos tek fëmijët e vegjël.

KATEGORITË

Kush rrezikon më shumë

Zakonisht sëmundjet virale prekin më shumë dhe në formë më të rëndë fëmijët e vegjël (0-12 vjeç), moshën e tretë (mbi 60 vjeç) dhe personat që vuajnë nga sëmundjet kronike. Kategoria e parë, fëmijët, janë më të predispozuar të preken, pasi imuniteti i organizmit të tyre është më i dobët, sesa i të rriturve, ndërsa tek moshat e treta gripi stinor komplikohet edhe më tepër për shkak të sëmundjeve kronike nga të cilat vuajnë shpesh të moshuarit. Tek personat me imunitet të dobët, si p.sh. ata të prekur nga HIV/AIDS ose ata që kanë realizuar transplante, sëmundjet virale mund të shfaqen në formë të rrezikshme. Gjithashtu personat që vuajnë nga bronkiti kronik apo astma mund të përkeqësohen ndërsa janë të prekur nga gripi. Duhanpirja është një tjetër faktor risku, pasi kur është e shoqëruar me sëmundje serioze rrit vdekshmërinë nga gripi.

KURIMI

Çfarë duhet të bëjmë kur prekemi?

Sapo filloni të ndjeni simptomat e para të gripit (rinite, lotim sysh, dhimbje fyti, koke apo muskujsh, kollë etj), nisni të përdorni antiviralët si aspirina C, gripostad, tylolhot, fervex, rinostop, kafetine gold, daleron gold, zerinol flu etj. Përdorimi i këtyre antiviralëve zvogëlon mundësitë e përhapjes së mëtejshme të virusit në organizëm dhe ju ndihmon të kaloni më lehtë sëmundjen. Nëse gripi shoqërohet me temperaturë të lartë, rekomandohet përdorimi i paracetamolit. Antiviralët përdoren çdo 4 apo 6 orë në varësi kjo të progresit të sëmundjes. Nëse keni temperaturë të lartë, kryeni një vizitë tek mjeku, pasi vetëm ai mund t’ju rekomandojë mjekimin e duhur. 

Përhapja

Gripi është një sëmundje virale aerogene, pra përhapet me anë të ajrit dhe, për këtë arsye, në vendet ku janë të përqendruar një numër i madh personash (shkolla, reparte apo zyra me shumë punonjës) shtohet në mënyrë progresive mundësia që virusi të përhapet më shpejt sesa në ambiente me pak njerëz. Nëpërmjet teshtitjes apo kollitjes, personi i infektuar mund të përhapë në ajër virusin, i cili mund të bjerë menjëherë në kontakt me hundën, sytë apo gojën e personit të shëndoshë. Për të mos u prekur nga sëmundjet virale, këshillohet larja e shpeshtë e duarve me sapun, sidomos nëse ndodheni në ambiente me persona të sëmurë. Jetëgjatësia e virusit në sipërfaqe të caktuara varion; kështu në objekte si metale apo plastikë ai mund të mbijetojë deri në dy ditë, por mund të mbijetojë vetëm 15 minuta në sipërfaqe letre dhe 5 minuta në lëkurë. Nëse qëndroni për një kohë të gjatë në një ambient me një person të prekur nga gjendja virale, mundësia për t’u prekur rritet ndjeshëm. Zakonisht simptomat e para të gripit shfaqen brenda 24 orëve, pasi organizmi është prekur nga virusi dhe ato vazhdojnë për rreth 5-7 ditë. Gjendja gripale paraqitet më e theksuar ditën e dytë dhe të tretë pas infektimit, ditë kur zakonisht shfaqen edhe ethet e temperatura e lartë. Në shumicën e rasteve gjendjet virale neglizhohen nga të prekurit, pasi mendojnë se është një sëmundje që kalohet lehtë. Por kujdes, pasi gripi mund të shoqërohet me komplikacione të rënda shëndetësore, të cilat mund të përkeqësohen aq shumë saqë të çojnë deri në vdekjen e të sëmurit. Në rastet kur gripi prek një person me imunitet të dobët apo që vuan nga sëmundje kronike, duhet pasur shumë kujdes, pasi mund të përballemi me pasoja shumë të rrezikshme. Virusi i gripit, kur prek organizmin, tenton të godasë organet me imunitet më të dobët e për pasojë, një grip i thjeshtë mund të krijojë dëme të shumta, duke rrezikuar dhe jetën e njeriut. Ka mjaft raste gripi që, kur nuk marrin mjekimin e duhur, kalojnë në ftohje e deri bronkopneumoni, që kërkojnë një mjekim mjaft të kujdesshëm dhe shumë më të gjatë.

Vaksina antigrip

Vaksina antigrip këshillohet të merret nga të gjitha moshat, po kryesisht nga fëmijët, të moshuarit dhe të sëmurët kronikë në periudhën kohore fundi i muajit shtator – fillimi i tetorit, që përkon me kohën kur nisin ndryshimet e para të temperaturave dhe shfaqen simptomat e sëmundjeve virale. Për shkak të mutacioneve që mund të pësojë virusi, vaksina nuk jep efekt për më shumë se një vit. Për këtë arsye Organizata Botërore e Shëndetësisë parashikon se cilët viruse do të qarkullojnë në ajër vitin e ardhshëm e pas kësaj lejon shoqëritë farmaceutike të krijojnë vaksinat që garantojnë mbrojtjen më të mirë ndaj këtyre viruseve. Në rast se e bëni vaksinën për herë të parë duhet ta bëni atë dy herë; një herë në periudhën e përmendur më lart dhe herën e dytë, pas një muaji, pra në fillim të muajit nëntor. Vaksina antigrip përmban rreth 5-6 lloje virusesh virale që janë shfaqur në vende të ndryshme të planetit tone një vit më parë. Bërja e vaksinës nuk të bën imun ndaj gripit, pra nuk nënkupton se nuk do të prekeni nga gripi, por garanton një prekje më të lehtë nga virusi. Nëse një person që nuk e ka bërë vaksinën i ndjen pasojat e gripit përreth 4-5 ditë, një person i vaksinuar i ndjen ato përreth 1-2 ditë. Tek fëmijët 0-3 vjeç duhet të injektohet vetëm gjysma e dozës që merr një person i rritur.

Eliminoni përdorimin e antibiotikëve

Në asnjë rast antibiotikët nuk duhen përdorur pa rekomandimin e mjekut. Shumë persona, në rastet kur konstatojnë se janë prekur nga gripi nisin të mjekojnë veten me antibiotikë pa u konsultuar më parë me mjekun personal. Një gjë e tillë është mjaft e dëmshme për organizmin pasi gripi është një sëmundje virale dhe viruset nuk janë të ndjeshëm ndaj antibiotikëve. Përdorimi pa vend i tyre ul imunitetin e trupit të njeriut duke ndihmuar kështu në përparimin e virusit. Antibiotikët përdoren vetëm në rastet kur influenca virale është e shoqëruar me komplikacione, por dhe në këto raste rekomandohet gjithnjë vizita më parë tek mjeku, i cili është i vetmi person që mund të rekomandojë përdorimin e një antibiotiku të caktuar për kurimin e sëmundjes.

Kurimi

Personat e prekur nga gripi këshillohet të pushojnë, të qëndrojnë në shtëpi për 1-2 ditë, të pijnë shumë lëngje, të evitojnë pirjen e alkoolit apo duhanit dhe të përdorin paracetamol për të ulur temperaturën dhe për të pushuar dhimbjen e muskujve. Fëmijët dhe adoleshentët që shfaqin simptomat e gripit duhet të evitojnë përdorimin e aspirinës, pasi ajo mund të shkaktojë sindromën Reye, një sëmundje shumë e rrezikshme për mëlçinë. 

PANDEMITË

Miliona viktima nga sëmundja

Në rastet kur gripi përhapet me një shpejtësi të madhe, prek një numër shumë të madh njerëzish dhe shkakton mjaft viktima atëherë kemi të bëjmë me pandemi. Pandemia më e rëndë e gripit e regjistruar deri tani në historinë e njerëzimit është ajo e viteve 1918-1919, e njohur ndryshe si gripi spanjoll. Ky grip (i tipit A, H1N1), megjithëse nuk dihet saktësisht sesa jetë njerëzish mori, mendohet se ka shkaktuar vdekjen e 20 deri 100 milion njerëzve. Ai u quajt ndryshe holokausti më i madh mjekësor në histori dhe shkaktoi më shumë të vdekur sesa lufta e parë botërore, që sapo kishte përfunduar. Në muajt e parë të përhapjes së tij, gripi u ngatërrua me sëmundjen e kolerës, pasi dhe simptomat që ai shfaqte ishin të ndryshme nga ato të gripeve të mëparshme. Sipas dokumenteve të asaj kohe, shumë prej të prekurve shfaqnin komplikacione që shoqëroheshin me hemoragji nga hundët, stomaku apo zorrët. Gjithashtu raste të shumta janë verifikuar me gjakrrjedhje nga veshët apo hemoragji të lëkurës. Gripi spanjoll pati një përhapje globale, nga Arktiku e deri tek ishujt e Paqësorit. Shumë prej të prekurve vdiqën nga komplikacionet shëndetësore si pneumonia bakteriale, një infeksion dytësor i shkaktuar nga gripi. Një tjetër anomali që shfaqi kjo pandemi në krahasim me rastet e tjera të gripit të njohura kudo në botë ishte numri i lartë i vdekshmërisë mes popullsisë me moshë 20-40 vjeç. Në të gjitha rastet e tjera kjo grupmoshë i ka përballuar simptomat dhe komplikacionet e gripit të zakonshëm më lehtë sesa dy grupmoshat e tjera të rrezikuara; fëmijët e vegjël dhe të moshuarit. Sipas statistikave mendohet se në vitet 1918-1919, rreth 2.5 deri 5% e popullsisë botërore gjeti vdekjen si pasojë e kësaj pandemie. Pandemitë e tjera të gripit, gripi aziatik (i tipit A, H2N2, i shfaqur në 1957) dhe gripi i Hong Kongut (i tipit A, H3N2 i shfaqur në 1968) nuk qenë kaq të rënda sa ato të gripit spanjoll. Megjithëse nuk patën fuqinë e gripit spanjoll edhe prej tyre gjetën vdekjen miliona njerëz. 

Na bëni like në facebook!: 
Total votes: 21