Familja në krizë, numri i divorceve rritet ndjeshëm

Nga të dhënat në Gjykatën e Durrësit bëhet me dije se numri i divorceve rritet nga 10 deri në 15% çdo vit. 500 kërkesa janë regjistruar gjatë 6 muajve të parë të këtij viti. 120 kërkesa të tjera janë mbartur nga viti i shkuar. Rreth 60% e kërkesave janë nga bashkëshortet. Vetëm 10% e tyre kanë mundur të pajtohen, duke mos u shkurorëzuar

Institucioni i familjes prej vitesh është në krizë. Numri i lartë i divorceve, sidomos në qytetet e mëdha, është dëshmi e faktit se shoqëria shqiptare ndodhet në udhëkryq dhe themelet e bërthamës së saj, familjes, janë tronditur ndjeshëm. Miti i familjes solide shqiptare po bie vit pas viti në qendrat e mëdha urbane , dhe këtë duke shkaktuar kështu jo pak probleme sociale. Nëse kohë më parë ishin meshkujt  ata që i drejtoheshin dyerve të gjykatës, tashmë shifrat flasin ndryshe. Janë femrat ato që depozitojnë numrin më të madh të kërkesave për divorc. Rastet nuk mungojnë edhe nga banorët e zonave rurale, apo nga të ardhurit vitet e fundit në Durrës.

Megjithëse deri para pak vitesh mentaliteti dhe paragjykimet i frenonin shumë prej këtyre çifteve të zgjidhnin martesën tashmë kohët kanë ndryshuar. Rreth 500 kërkesa për divorc janë depozituar në gjykatën e shkallës së parë në Durrës gjatë 6-mujorit të parë të këtij viti. Kjo shifër e rendit qytetin bregdetar ndër qytetet më numrin më të madh të divorceve. Zgjidhja e martesës së një çifti, bashkëjetesa e të cilit ka kohë që nuk funksionon është përfundimi më i mirë për ta, por jo gjithnjë proçesi i divorcit është i thjeshtë. Problematika situata paraqitet kur çifti ka fëmijë. Mbajtja dhe rritja e fëmijës si dhe traumat më të cilat ai mund të përballet gjatë ndarjes së prindërve janë fenomene që nuk gjejnë zgjidhje të lehtë dhe të shpejtë. Mos pagesa e detyrimit ushqimor është fenomen që e drejton çiftin sërish në dyert e gjyqësorit edhe pas zgjidhjes së martesës së tyre.

Fëmijët, viktimat e vërteta të divorcit

Diana Gogo asistente sociale në rajonin numër 5 dhe psikologe për të miturit në gjykatën e shkallës së parë, në një intervistë për “Dyrrah” rrëfen se pasojat që shkakton divorci tek fëmijët, i shoqërojnë ata gjithë jetën. Traumat e përjetuara pas ndarjes së prindërve janë shpesh shkaktarë që kjo kategori fëmijësh, që vijnë nga prindër të divorcuar, të jenë po kaq të prirur për divorc në të ardhmen. Fëmijët e këtyre prindërve në binomin shkak-pasojë përfshihen drejt zgjedhjeve traumatike, që nga fëmijëria, adoleshenca, por edhe rritja e tyre.

Zonja Gogo, sa problematikë janë divorcet, kur në mes janë fëmijët?

Në pjesën më të madhe të proçeseve të divorcit fëmijët luajnë një rol sa pozitiv aq edhe negativ tek prindërit. Kjo sepse prindërit për shkak të fëmijëve në jo pak raste bëjnë zgjidhje të gabuara. Por duke qëndruar tek fëmijët, ata pësojnë trauma dhe të dy prindërit që janë në proçes divorci nuk vuajnë aq shumë sa e vuajnë fëmijët ndarjen e prindërve. Në këto kushte, qëllimi në relacionin që paraqesim ne në gjykatë është në interesin më të madh të fëmijëve. Në momentin që gjykata vendos se me kë prind do të qëndrojnë fëmijët, shikohet se me cilin prind është më i përshtatshëm qëndrimi dhe ku plotësohen kushtet ekonomiko-sociale të fëmijës, si dhe  vlerësohet ana emocionale e tij.

Me çfarë problemesh përballen fëmijët pasdivorcit të prindërve?

Nis që nga shkolla, vendi ku ai e shikon veten e tij jo të barabartë me fëmjët e tjerë, të cilët vijnë nga familje normale. Fëmija reagon fillimisht me nivelin e ulët që tregon gjatë proçesit mësimor, si pasojë e traumës që i shkaktohet. Ka fëmijë që në këto raste kalojnë në logo terapi, duke kaluar edhe në probleme patologjike, të cilën e pasqyrojnë edhe nënat apo prindi që e ka fëmijën. Problemet lidhen pastaj ngushtë edhe me moshën e fëmijës.

Cilat janë post traumat që kalon fëmija i një çifti të divorcuar?

Premisat për të qënë më jetëshkurtër, jo i shëndetshëm dhe për t’u prirur drejt divorcit në të ardhmen i kanë pikërisht këta fëmjë. Ata në adoleshencë bien pre e fenomenit të drogës. Ata nuk kanë përkujdesin e prindit. Pas divorcit, kur një prej prindërve interesohet dhe tjetri jo, këta fëmijë do të kenë probleme të mëdha gjatë gjithë jetës. Figura e babit, është figurë shumë e rëndësishme në jetën e fëmijës, ashtu sikundër edhe e nënës. Në mungesë të kësaj figure ai nuk ka kujdesin e duhur në këtë moment.

Pse kemi shtim të numrit të divorceve?

Shkaqet janë të ndryshme, por ato sociale dhe ekonomike janë të parat, në një kohë kur familja përballet me fenomenin e papunësisë. Në zonat rurale, faktor i divorcit është tradita, kultura e ndryshme në çift, zakonet e ndryshme që kanë. Njëri prej bashkëshortëve nuk adaptohet dot me kulturën e qyteteve në zhvillim. Ndikim në rritjen e numrit të divorceve në gjykatën e Durrësit kanë edhe shkurorëzimet që bëhen nga emigrantët, të cilët vite më parë kanë emigruar jashtë vendit. Një numër i madh i tyre bëjnë divorcin në këtë gjykatë. Kemi patur disa raste të muajve të fundit, ku shkaqet e divorceve nga emigrantët jashtë vendit kanë qënë për mosadaptim me jetën jashtë vendit, të kërkuar kryesisht nga meshkujt.

Cilat janë moshat që divorcohen?

Janë mosha të ndryshme. Ka raste edhe martesa të hershme 30 apo 35 vjecare. Por ajo që bie në sy në divorcet e këtij viti janë moshat e ditëlindjeve 1974 dhe 1984, midis moshave 25 deri në 40 vjeçare. Kjo është mosha më e predispozuar për t’u divorcuar. Familja nuk është më si dikur solide dhe këtu ka ndikuar jo pak emancipimi i shoqërisë.

Duke parë numrin e lartë të kërkesave në gjykatë të bëra nga femrat, a mund të shihet ky fenomen si emancipim i gruas?

Natyrisht ka emancipim, por që të kesh emancipim nuk do të thotë të mos kuptosh arsyen e një divorci. Ka raste kur shkaqet mund të zbuten brenda familjes. Po marr një shembull konkret. Në Durrës, pjesa më e madhe e popullsisë ka migruar në 22 vitet e fundit nga zonat rurale të vendit. Divorci i tyre nuk vjen në mënyrë të emancipuar, por pas dhunës së ushtruar. Mënyra sesi këto çifte i kanë ndërtuar marrëdhëniet e tyre nuk është e emancipuar. Një individ i rritur në një vend të zhvilluar edhe mënyrën e të arsyetuarit e ka të zhvilluar. Një faktor tjetër që ndikon tek këto çifte është papunësia e cila sjell si pasojë probleme të rënda ekonomike në një familje. Nëse palët e përfshira në proçes divorci do të ishin të punësuar, natyrisht që divorci shmanget në masë të madhe. Por papunësia e cila shkakton ndarjen në një pjesë të mirë të rasteve, bëhet më pas edhe mollë sherri, sepse një nga prindërit ka detyrim pensioni për fëmijën. Në zyrat përmbarimore, shumica e kërkesave janë pikërisht për prindërit që nuk japin pensionin mujor.

Ndër rastet e divorceve që keni kaluar në duar cilët janë ata që ju kanë mbetur në mendje?

Në përpilimin e relacionit, fokusi është në marrëdhënien që ka çdo prind kundrejt fëmijës. Në rastet e divorceve, sidomos mes çifteve ngazona e Dibrës, ka pasur vështirësi të mëdha. Kanë përdorur madje edhe Kanunin e Lekë Dukagjinit. Familja e burrit ka mbajtur fëmijën e vogël, pavarësisht se ai duhet të qëndrojë me nënën deri në një moshë të caktuar. Nëna është privuar nga kjo e drejtë, sepse sipas kanunit gruaja dibrane pasi ndahet duhet të kthehet mbrapsht pa fëmjë. Fakti është që një fëmijë një muajsh na mbeti në derë të gjykatës, sepse nëna nuk mund ta mbante dhe të kthehej në shtëpinë e prindërve me vogëlushin. Nëna ndodhej përballë një problemi të madh, siçështë mungesa e zhvillimit kulturor. Në atë zonë vijon të zbatohet kjo traditë. Na është dashur që fëmijën ta çojmë tek familja e gjyshërve nga babai, në të cilën po rritet, sepse i vogli u braktis në gjykatë.


 

Shkaqet e divorceve

  • shkaqet ekonomike
  • mospërputhja e karaktereve
  • dhuna fizike apo psikologjike
  • tradhëtia bashkëshortore

 

Ndue Gjura

Divorcet, një pjesë mund të shmangen

Ndue Gjura është një  prej gjykatësve të  Gjykatës së Durrësit, me një eksperiencë shumëvjeçare mbi shpinë përsa u përket çështjeve civile dhe konkretisht divorceve. “Janë burrat ata që nuk përmbushin detyrimet ndaj familjes, si para ashtu edhe pas divorcit. Divorcet bëhen për shkak se gjinia mashkullore pas martese, ‘harron’ detyrimet karshi familjes bie pre e veseve siçjanë alkooli, bixhozi etj. Kjo kategori edhe pas divorcit nuk përmbush detyrimet për rritjen e fëmijës”. Gjura thotë se divorcet me mirëkuptim midis palëve janë të pakët, madje në gjykatë palët vijnë pas konflikteve të thella, që shoqërojnë të dy familjet e çiftit. Madje konflikti vazhdon edhe më tej, sepse pak çifte janë të civilizuar për t’u ndarë në mënyrë “moderne”, ku çdo palë përmbush detyrimet që i cakton vendimi i gjykatësit. 

Pjesa më e vështirë sipas gjykatësit është kur transferojnë konfliktin mes tyre në marrëdhënien me fëmijët. “Përmbushja e interesit më të lartë të fëmjës nuk është thjesht prezenca e nënës apo babait. Janë disa faktorë, që i përmenda më sipër dhe janë shumë të rëndësishëm. Unë personalisht nuk jam i prirur për ta mbaruar sa më shpejt gjyqin, sepse çifti në një moment ekstrem merr një vendim ekstrem, pas një konflikti të çastit, i cili pas pak kohësh edhe mund të fashitet, gjë e cila ka ndodhur. Duhet të gërshetosh të gjithë faktorët ekonomikë, psikologjikë, socialë. Kur ka konflikt të ashpër ne thërresim palët për të bërë ndërmjetësimin për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Ka patur raste që është arritur marrëveshje, në lidhje me ushtrimin e përgjegjësisë prindërore. Por ka raste kur asnjë prej prindërve nuk i përmbush detyrimet dhe ky është një nga rastet me të cilin po punoj.

Palët kishin arritur marrëveshje në zyrën e ndërmjetësimit dhe fëmja do të qëndronte me babain. Kur palët erdhën në gjykatë, pamë se babai nuk mbushte asnjë prej kushteve për rritjen e fëmjës. Në gjykatë babai u pyet se si do ta rriste këtë fëmijë, ku do ta mbante, në çfarë kushtesh do ta rriste sepse ishte i papunë, i pastrehë. Na u desh që ta kthenim sërish çështjen nga fillimi dhe u thirr psikologu”. Gjykatësi thotë se ka një problem të madh në zgjidhjen e divorceve. Pika kulmore është kur njëra palë pa vënë në dijeni palën tjetër kërkon divorcin në gjykatë dhe përballja në sallën e gjyqit konsiderohet tepër konfliktuale. “Ne kemi patur raste kur pala tjetër ka ardhur të eleminonte dhëndrin dhe ne jemi detyruar që t’i fusim palët nga dyer të ndryshme. Pasi i kemi marrë veçe veçkemi shmangur konfliktet që vijnë si pasojë e divorcit. Në rastin në fjalë babai i vajzës e pranoi divorcin e kërkuar nga dhëndri, dhe palët u divorcuan”. Gjykatësi Gjura nënvizon se pas divorcit gati 50% e çështjeve rikthehen sërish në gjykatë, por për një shkak tjetër. Pjesa më e madhe e baballarëve nuk përmbushin detyrimin mujor që u ka caktuar gjykata në lidhje me mirërritjen e fëmijëve.

 

 

Na bëni like në facebook!: 
Total votes: 16