Amfiteatri i Durrësit në listën e trashëgimive evropiane në rrezik

DURRES, 18 prill 2013- Grupe me ekspertë të fushave të ndryshme, do t'i vizitojnë 14 objektet e përzgjedhura dhe do të kontribuojnë në gjetjen e zgjidhjeve.

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Monumenteve dhe Siteve të Trashëgimisë Kulturore, "Europa Nostra", zëri i Trashëgimisë Kulturore pranë Këshillit të Evropës, ka përfshirë Amfiteatrin  Durrësit, në listën e 14 objekteve të trashëgimisë evropiane në rrezik.
Programi “7 Më të Rrezikuarit” është një formë e re ndërgjegjësimi publik që "Europa Nostra" ka zgjedhur për të inkurajuar dhe mbështetur organizatat anëtare të saj, që të prezantojnë objekte të trashëgimisë të vendeve të tyre, të cilat kanë nevojë për më shumë vëmendje. “Grupe me ekspertë të fushave të ndryshme, në bashkëpunim më partnerët tanë, do t'i vizitojnë këto objekte të përzgjedhura, dhe do të kontribuojmë në gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme dhe të mundshme për të ardhmen e tyre”, shprehet Denis de Kergorlay, Presidenti Ekzekutiv i "Europa Nostra".

Programi “The 7 Most Endagared” - "7 Më të Rrezikuarit", i prezantuar në Janar të këtij viti, u adresohej  të gjitha organizatava dhe enteve publike anëtarë të Europa Nostra, të aplikojnë për objekte përfaqësuese të trashëgimisë kulturore të vendeve të tyre. kspertë të njohur të fushës, anëtarë të Bordit Këshillues Ndërkombëtar të “Europa Nostra”, kanë përzgjedhur 14 objekte të nominuara nga e gjithë Europa. Amfiteatri i Durrësit është përzgjedhur në listën paraprake, për t'u vlerësuar në një fazë përfundimtare në muajt në vijim. Lista përfundimtare,  do të shpallet me rastin e festimit të 50 vjetorit të “Europa Nostra”, në Kongresin e radhës, i cili do të mbahet në Athinë në 16 qershor 2013.

Amfiteatri i Durrësit është është një objekt unik me vlera të rralla arkitekturore, historike dhe turistike. Ende i pazbuluar tërësisht ky objekt, emblemë e një civilizimi mijëvjeçar dhe një memorie historike, shumë informuese për brezat, është pa dyshim motivi kryesor që i ka shtyrë, me sa duket, ekspertët ta përfshijnë atë në listën e 14 të nominuarve.

Na bëni like në facebook!: 
Total votes: 3