Groshë, oriz dhe makarona në galerinë arteve pamore

-         10-vjeçarët e një klase sfidojnë piktorët politikanë

DURRËS, 24 maj 2013 – Grosha, orizi dhe makaronat, të cilat nga tavolinat e familjeve, nxënësit e klasës së katërt të shkollës “Jusuf Puka” i kanë “transferuar” artistikisht përballë gjykimit të vizitorëve në një ekspozitë në galerinë e arteve, njofton korrespodenti i njohur i ATSH-së Gëzim Kabashi.

12 fëmijë bashkëmoshatarë kanë përuruar mbrëmjen e së enjtes një ekspozitë “ndryshe” në galerinë e arteve pamore “Nikolet Vasia” të Durrësit.

Kolektivja e 10-vjeçarëve durrsakë pason atë të piktorëve politikanë nga vendi ynë dhe Evropa, e cila qëndroi e hapur afro dy javë në galerinë qendrore të qytetit.

Tablotë e modeste të fëmijëve mbështeten te ... grosha, orizi dhe makaronat, të cilat nga tavolinat e familjeve, nxënësit e klasës së katërt të shkollës “Jusuf Puka” i kanë “transferuar” artistikisht përballë gjykimit të vizitorëve të ekspozitës.

Ema Alliu, një nga piktoret shkollare thotë se tabloja e saj “Mollakuqe” është përgatitur nga një grusht makaronash “babole”, të cilat ajo vetë i ka ngjyrosur me bojwra uji, duke e sjellë “fluturakun fat-sjellës” në një version ushqimor.

Edhe punimet e tjera modeste të bashkënxënësve Anri Taqe, Regis Kasemi, Arjan Baraku, Rexhina Mehmeti, Klajdia Reçi, Rigers Ajazi, Ardian Ibraj, Ersilda Sorra, Antonio Risto dhe Enkelejda Kollçaku kanë në qendër vetëm kafshë dhe shpendë, duke nisur te kanarina, ketri e kërmilli e deri te mbreti i pyllit, luani.

45 tablo gjithsej, të gjitha të mbështetura te groshët, orizi dhe makaronat e ngjyrosura, të cilat të rikthejnë buzëqeshjen dhe admirimin e vizitorëve për punën e fëmijëve dhe të mësueses së pasionuar Gentiana Pipa.

Aq më tepër, që piktorët e vegjël kanë sfiduar në garë artistët me përvojë, që i janë futur edhe politikës në Shqipëri dhe në Evropë.

Tablotë e tyre në galerinë publike të arteve në Durrës kanë zëvendësuar punimet e eurodeputetit Hannes Swoboda, kreut të PSSH, Edi Rama, etj, të mbledhura në ekspozitën “Europa është kulturë”, shkruan Kabashi.

Maji parazgjedhor 2013 në galerinë e arteve “Nikolet Vasia” do të mbahet mend edhe për konkurrencën e piktorëve VIP me 10-vjeçarët e shkollës “Jusuf Puka”.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/

 

Na bëni like në facebook!: 
Total votes: 3