Qemal Kërtushës i dorëzohet titulli “Mjeshtër i madh”

 

Para se të linte detyrën presidenti Bamir Topi i akordoi këngëtarit të njohur durrsak Qemal Kërtusha titullin “Mjeshtri i madh i punës”. Në pamundësi për t’ia dorëzuar personalisht këtë titull të lartë, Topi ia ngarkoi detyrë bashkisë së Durrësit dorëzimin e titullit të mirënjohjes.

Me këtë rast në teatrin “Aleksandër Moisiu” u zhvillua një mbrëmje festive ku Kërtusha iu dhuroi edhe njëherë familjarëve, miqve, shokëve, por edhe artdashësve durrsakë magjinë e zërit të tij, që megjithëse në prag të përvjetorit të 81 të lindjes vazhdon të buçasë dhe të dhurojë tinguj brilantë. Në fillim të mbrëmjes për të pranishmit u shfaq një material i shkurtër filmik dedikuar jetës dhe krijimtarisë artistike të Qemal Kërtushës.

Përmes galerisë së fotove që shfaqeshin në ekran para syve të të pranishmëve u shfaq jeta e një artisti që u ngjit në skenë në moshë mjaft të re dhe që ende sot e kësaj dite vazhdon të impresionojë publikun me zërin brilant. Në material nuk u harrua pa u përmendur dhe dashuria e jetës së tij, bashkëshortja e tij Meremja, një dashuri që vazhdon prej 60 vjetësh dhe që duket se nuk do të reshtë kurrë.

Pas shfaqjes së materialit filmik, Kërtusha u ngjit në skenë për të përshëndetur publikun që kishte mbushur sallën e teatrit dhe nën duartrokitjet e spektatorëve rrëmbeu mikrofonin dhe nisi të këndojë. Kënga e ka shoqëruar gjatë të gjithë jetës Qemalin dhe i është kthyer në një shoqe të pandarë që e ka shoqëruar ngado, qoftë nëpër skena anekënd Shqipërisë apo dhe jashtë saj, qoftë në gëzime familjare e në rrethe të ngushta shoqërore.

Megjithëse në moshë të thyer, me një fizik për tu pasur zili dhe një zë potent, Qemali dukej atë natë në skenë sikur e kishte ndalur kohën duke e mbajtur veten përherë të ri dhe mjaft elegant, ashtu siç e kujtojnë të gjithë. Krahas këngës, Kërtusha shpesh shkëmbeu batuta me moderatorin e mbrëmjes duke treguar shpirtin e tij alegro dhe humorin e hollë, që miqtë e afërt si dhe dashamirësit ia njohin mjaft mirë. Gjatë një karriere shumë të gjatë në skenë Qemal Kërtusha ka bërë shumë miq në rrethin e artistëve.

Shumë prej tyre kishin ardhur për të qenë të pranishëm në koncertin dhe nderimin e Qemalit. I mirënjohuri Tonin Tërshana, mik i vjetër i Kërtushës u shpreh se ajo që i kishte bërë përshtypje që në fillim të njohjes së tij me Qemalin ishte zëri i tij prej baritori, me nota lirike mjaft të ngrohta e potente. “Përveçse një këngëtar i talentuar Kërtusha ishte dhe një mik mjaft i mirë me të cilin kemi ndarë shumë gjëra. Më vjen mirë që jam sonte në këtë skenë dhe shoh gjithë këta njerëz që janë mbledhur për të. Ai e meriton këtë nderim, sepse gjithë jetës i është përkushtuar këngës, skenës, publikut”,- tha Tërshana.

Pas fjalëve të ngrohta të mikut të tij, Kërtusha doli sërish në skenë për të interpretuar para publikut që aq shumë e ka duartrokitur ndër vite disa prej këngëve më të njohura të repertorit të tij si: “Ti o det”, “Të falem i bukuri Durrës”, “Ne jemi tre” etj. Vlen për t’u theksuar fakti se megjithë moshën e thyer Kërtusha performoi live, i shoqëruar nga djemtë e ansamblit të qytetit duke dhuruar emocione të veçanta para të pranishmëve.

Të mësuar shpesh të dëgjojmë këngëtarët e rinj të performojnë para publikut në playback, Kërtusha tregoi se komercializmi dhe këngëtarët e katapultuar në muzikën e lehtë shqiptare në ditët tona, janë shumë larg zërave të mrekullueshëm që vite më parë, por edhe tani, dinë të ngrenë peshë publikun dhe të shpalosin cilësinë dhe potencialin artistik që zotërojnë.

Momenti kulmor i mbrëmjes ishte dorëzimi i titullit “Mjeshtri i madh i Punës”, një nderim për karrierën e pasur artistike të artistit durrsak.

Curriculumi artistik i Q. Kërtushës

Nisi karrierën artistike në vitin '46 me grupet amatore të Durrësit. Në vitin 1948 bë pjesë e Filarmonisë Shqiptare. Në vitet '51-'53 ishte angazhuar në Ansamblin e Ushtrisë. Në vitin 1953 u caktua aktor në Teatrin "Aleksandër Moisiu" në Durrës, por pasioni i Kërtushës për këngën e shtyu që të shkëputej nga teatri dhe të bënte dy vite kurs me këngëtaren e madhe Marie Kraja. Në vitin 1958 u testua në Konservator nga një juri prej 20 vetash, të gjithë emra të njohur. Iu rekomandua të këndonte në ansambël si artist lirik. Në vitin 1962 merr pjesë në festivalin e zhvilluar në Radio Tirana, ku u nderua me çmime të para për të tre këngët që interpretoi.

Në '63-in jep koncertin e parë recital me një repertor prej 20-23 këngësh. Jep koncerte jo vetëm në qytetin e tij të lindjes, por edhe në Tiranë dhe Shkodër.

Gjatë karrierës së tij ka kënduar jo vetëm në gjuhën shqipe, por siç e pranon dhe vetë në plot 12 gjuhë të botës, duke përfshirë këtu edhe gjuhën kineze.

 

Na bëni like në facebook!: 
Total votes: 2