Bullgari, vetitë shëruese të kërmillit

Përdoret në kozmetikë – kryesisht në krem dhe xhel me efekt regjenerues për lëkurën, gjithashtu si ushqime shtesë – shurupe të cilat luftojnë ulcerën dhe gastritin, duke regjeneruar mukozën e stomakut. Nga ekstraktet prodhohen ushqime shtesë, të cilat janë të dobishme për eshtrat dhe nyjat. Është antibakterial dhe antitumoral

SOFJE, 28 gusht 2013 – Kërmijtë në Bullgari kërkohen gjithnjë e më shumë jashtë vendit. Përdoret në përgatitjen e ilaçeve dhe produkteve kozmetike. Vetitë e kërmillit shërojnë ulcerën dhe gastritin, ndihmojnë në zhdukjen e shenjave në trup etj. Që nga kohërat e lashta njihen dobitë e kërmillit për organizmin e njeriut. Njerëzit e lashtët konsumonin mish dhe gjak kërmilli. Sot kërmijtë kultivohen në ferma për qëllime shkencore e mjekësore. Ata ushqehen me tërfil dhe bio-produkte, njofton Radioja Kombëtare Bullgare. “Është e vërtetuar se kërmijtë e zierë përmbajnë veti qetësuese, – thotë Aleksandër Dollashki nga Instituti i Kimisë Organike pranë Akademisë Bullgare të Shkencave. – Gjaku i kërmillit përmban proteinën hemocyanins. Kjo e fundit ka veti antitumorale dhe antibakteriale, si dhe forcon imunitetin e organizmit. Para disa vitesh në treg u nxor produkti kundër kancerit të fshikëzës urinare. Produkti shitet kryesisht në Evropën Perëndimore. Interesi për kërmijtë u shtua. Filloi studimi i vetive të tjera shëruese të këtij lloji butakësh. Mishi i kërmillit ka përmbajtje më të madhe të proteinave – deri 51 për qind, krahasuar me mishrat e tjerë që konsumohen. Po ashtu përmban pothuajse të gjitha llojet e aminoacideve që i nevojiten njeriut. U studiua se kërmilli lëshon sekrecion, i cili i ngjan sekrecionit të lëkurës së njeriut. Kjo do të thotë se ka efekt regjenerues për lëkurën”. Shkencëtarët në Sofje kanë zbuluar se proteinahemocyanins e kërmijve në Bullgari është më aktive në krahasim me të njëjtën e kërmijve të tjerë. 2-3 vitet e fundit shkencëtarët studiojnë jargën e kërmillit. Vetitë e kërmillit përdoren në kozmetikë – kryesisht në krem dhe xhel me efekt regjenerues për lëkurën, gjithashtu si ushqime shtesë – shurupe të cilat luftojnë ulcerën dhe gastritin, duke regjeneruar mukozën e stomakut. Nga ekstraktet e kërmillit prodhohen ushqime shtesë, të cilat janë të dobishme për eshtrat dhe nyjat. Shkencëtarët bullgarë zbuluan se jarga e kërmillit ka veti antibakteriale specifike. Në këto studime Bullgaria bashkëpunon me Gjermaninë, Belgjikën dhe Italinë. “Në Bullgari funksionojnë rreth 200 ferma, ku kultivohen kërmij. Kushtet u përgjigjen standardeve ekologjike, – sqaron Aleksandër Dollashki. – Në këto ferma kultivohen kërmij të llojit helix aspersa. Jarga e kërmillit përdoret për produktet kozmetike dhe ushqimet shtesë. Këto produkte janë të certifikuara dhe interesi për to është shumë i madh. Produktet nga kërmijtë shiten në 6 vende të BE-së. Konsumi në Bullgari gjithashtu shtohet”. Produktet nga kërmijtë janë të rafinuara dhe nuk shkaktojnë alergji.

 

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/

Na bëni like në facebook!: 
Total votes: 4