Cara: Kandidatët për deputetë në Durrës, aktorë të dështuar

DURRES, 7 qershor 2013 - Takimet e radhës të kandidatit për deputet në qarkun e Durrësit Igli Cara, njëherazi edhe kryetar i partisë Demokratike të degës së Durrësit, janë përqëndruar në zonën e ish Kënetës, përkatësisht në skolinat  një dhe dy.

Duke qenë se kjo është një zonë informale dhe në urbanizim e sipër, Cara u foli banorëve për procesin e legalizimeve, atë të përmirësimit të infrastrukturës rrugore, si edhe përmirësimin e rrjetit të kanalizimeve.

Sipas njoftimit të Alda Dalushit, ndër të tjera Cara përmendi edhe investimet e qeverisë në këto 8 vjet qeverisje, duke i cilësuar ato, si investimet që jo vetëm e bënë Shqipërinë të ecë përpara.

“Asnjë arritje e Shqipërisë në fusha të ndryshme, nuk mban emrin dhe firmën e një qeverie të majtë. Anëtarësimi në NATO, liberalizimi i vizave mbajnë firmën e qeverisë Berisha”, u tha Cara, banorëve.

Nga ana tjetër, ai ju kujtoi banorëve se sa shumë ka humbur Shqipëria nga humbja e statusit të vendit kandidat për në BE, miliona euro investime, të cilat do të shkonin në investime, hapje të vendeve të reja të punës dhe do të përmirësonin cilësinë e jetës së çdo shqiptari.

Cara u foli banorëve edhe për taksat, duke u ndalur më konkretisht në taksimin e “xhepit” të çdo shqiptari.

“Nuk është e vërtetë që kemi taksim jo të ndershëm dhe se ai që fiton më pak, taksohet më shumë. Të gjithë paguajmë 10% e fitimeve tona e për rrjedhojë kush merr më shumë, paguan më shumë dhe kush fiton më pak, taksohet më pak”, tha Cara.

Kandidati për një mandat të dytë për deputet, Igli Cara i është bashkuar më pas, takimit në lagjen 11 të qytetit, së bashku me kandidatët e tjerë Eduard Halimi dhe Oerd Bylykbashi.

Duke u kujtuar banorëve të kësaj lagjeje, gjendjen e mjerueshme të disa prej rrugëve të brendshme të qytetit, Cara u shpreh se mënyra e duhur për t’i dhënë fund papërgjegjshmërisë së pushtetit lokal, është përmes ndërhyrjes në ligjin për autonominë vendore.

“E gjetëm Durrësin në 2005, një vatër të krimit të organizuar dhe ia kthyem indentitetin dhe vlerat e qytetarisë. Investuam në shkolla, ujësjellës dhe urbanizimin e zonave informale. Nëse do të dilni jashtë qytetit, të shihni rrugët e komunave të shtruara e të asfaltuara dhe t’i krahasoni me rrugët e Durrësit, është turp. Papërgjegjshmërisë së bashkisë dhe kryetarit të saj, do t’i japim zgjidhje në shtator, kur përmes amendimit të ligjit për pushtetin vendor, do të bëjmë të mundur ndërhyrjen në administrimin e granteve të pakushtëzuara që qeveria I jep bashkisë. Kështu, ajo ç’ka është e destinuar të shkojë për inevstime ne rrugë, shkolla dhe shërbime publike, të mos keqpërdoret për xhepat e punojësve të bashkisë”, ka thënë Cara.

Duke folur me banorët e lagjes 11, Igli Cara u shpreh duke thënë se artikulimi i shpeshtë nëpër media dhe ambientet politike për rotacion, është i pakuptimtë dhe absurd, për aq kohë sa përballë qëndrojnë dy forca politike, të cilat e kanë treguar veten përpara shqiptarëve, në gjithë këto vite.

Cara i quajti kandidatët për deputetë në Durrës, aktorë të dështuar, të cilët shqiptarët do t’i dënojnë me votën e tyre, ashtu sikurse bënë në 2005 dhe 2009.

Na bëni like në facebook!: 
Total votes: 0