Basha vs Olldashi/ Diferenca në CV-të zyrtare të kandidatëve

TIRANE, 6 korrik 2013 -Partia Demokratike ka publikuar CV-të zyrtare të dy kandidatëve për garën e nisur, që do të kurorëzojë më 22 korrik fituesin që do drejtojë selinë blu.

Ndërsa CV e Sokol Olldashit është shumë teknike dhe relativisht e varfër, CV e Lulzim Bashës është e mbushur me lavdërime dhe plot ngjyra për jetën e kryebashkiakut.

Kështu, nëse Olldashi pretendon se ka shumë vite në PD, nuk mbetet mbrapa as Basha, që e ka nisur shumë herët me protestat e para rrugën e tij në PD.

Në CV-në e Olldashit për këtë periudhë thuhet: 

“Anëtar i Partisë Demokratike, dega Durrës, që në dhjetor 1990. Anëtar i mbledhjes themeluese të FRPD-së”.

Kurse në CV-në e Bashës për këtë periudhë, thuhet:

“Lulzim Basha u angazhua që në dhjetorin e 1990 bashkë me të rinj të tjerë gjimnazistë të Tiranës përkrah studentëve dhe Partisë Demokratike të sapothemeluar. Pjesëmarrës aktiv në protestat para dhe pas zgjedhjeve të Marsit 1991, gjatë zgjedhjeve të 1992 ai ishte vëzhgues i Partisë Demokratike në KQZ”.

Por ndërsa Sokol Olldashi thotë se e ka kartë të fortë faktin që ka qenë në opozitë përgjatë tetë viteve, edhe Basha krenohet për këtë periudhë të jetës së tij.

Në CV-në e Olldashit për këtë periudhë, thuhet thjesht:

“Maj 2002 – Shtator 2007, Kryetar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike (FRPD)

Maj 2005 – Maj 2009 Kryetar i Partisë Demokratike të Tiranës

Anëtar i Kryesisë së PD-së që nga viti 2002

Qershor 2001 – Maj 2005, Deputet i Kuvendit të Shqipërisë, (lista shumëemërore)”

Kurse në CV-në e Bashës thuhet se: 

“Në vitin 1999 Lulzim Basha u bë pjesë e skuadrës që përgatiti akt-akuzën për krime lufte ndaj Sllobodan Millosheviçit në Gjykatën Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në ish Jugosllavi. Ai më pas shërbeu në Misionin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, ku ndihmoi në krijimin e Ministrisë së Drejtësisë në Kosovë”.

Por CV e Bashës vjen e bëhet bombastike sa i përket periudhës në pushtet të PD-së. Kurse CV e Olldashit mbetet sërish e varfër.

Në CV-në e Olldashit thuhet:

“2005 – 2007 Deputet i Kuvendit të Shqipërisë, zgjedhur në zonën elektorale 26, Durrës

2009 – 2013 Deputet i Qarkut Fier

2013 e në vazhdim Deputet i Qarkut Fier

2005 – 2007 Ministër i Brendshëm

2007 – në vazhdim Ministër i Punëve Publike dhe Transportit”

Kurse CV e Bashës nuk njeh fund:

 “Në korrik 2005 Lulzim Basha u zgjodh deputet në Kuvendin e Shqipërisë si një nga përfaqësuesit e qytetit të Tiranës. Fitores së një prej zonave të vështira elektorale për Partinë Demokratike në Tiranë i parapriu angazhimi i Bashës si Koordinator i Komitetit të Orientimit të Politikave, Zëdhënës i Fushatës 2005 dhe pjesëmarrja e tij në dhjetëra debate televizive përballë përfaqësuesve të mazhorancës socialiste.

Në qeverinë e re të Kryeministrit Berisha, Bashës iu besua fillimisht detyra e Ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit. Në këtë detyrë ai nisi punimet për ndërtimin e Rrugës së Kombit, autostradës Durrës-Kukës-Morinë, vepra më e madhe infrastrukturore e ndërtuar ndonjëherë në Shqipëri e cila bashkoi Shqipërinë me Kosovën.

Në maj 2007 Basha u zgjodh Ministër i Jashtëm i Shqipërisë, në një kohë kur për herë të parë Shqipërinë e vizitoi një President në detyrë i SHBA-së, Xhorxh Bush. Gjatë drejtimit të diplomacisë nga Lulzim Basha, Shqipëria mori ftesën dhe një vit më pas u anëtarësua në NATO, hapi negociatat për liberalizimin e vizave me zonën Shengen, iu pranua aplikimi zyrtar për anëtarësim në Bashkimin Europian, dhe Kosova u shpall e pavarur.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 Lulzim Basha kryesoi fushatën elektorale në Qarkun e Elbasanit ku Partia Demokratike shënoi një rezultat historik duke marrë 7 nga 14 mandate në krahasim me 2 mandate në vitin 2005.

Në qeverinë e re Bashës iu besua portofoli i Ministrit të Brendshëm. Nën drejtimin e tij u përmbushën të gjitha kriteret teknike për liberalizimin e vizave në zonën Shengen, si dhe u arritën standarde të reja në luftën kundër krimit, aseteve kriminale dhe bashkëpunimit në fushën e rendit dhe sigurisë. Këto hapa bënë të mundur vendimin e Komisionit Europian për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë në dhjetor 2010.

Në vitin 2011, Lulzim Basha kandidoi kundër ish kreut të Partisë Socialiste Edi Rama. Fushata e Tiranës u konsiderua fushata më e mirë që Partia Demokratike kishte zhvilluar ndonjëherë. Fitorja e Bashës riktheu Partinë Demokratike në pushtet në Bashkinë e Tiranës pas 11 vitesh.

Gjatë më pak se dy viteve në drejtim të Bashkisë Tiranë, kryebashkiaku Basha ka udhëhequr një proces transformimi të kryeqytetit shqiptar. Zhvillimi ekonomik dhe punësimi, përmirësimi i cilësisë së jetës për qytetarët e Tiranës dhe zbatimi i një numri projektesh strategjike për ta shndërruar Tiranën në një qytet modern dhe Europian janë shtyllat kryesore të këtij transformimi të përditshëm dhe të prekshëm për qytetarët e Tiranës dhe të gjithë vizitorët e kryeqytetit shqiptar”.

Kur lexon këtë CV të Bashës nuk e kupton pse humbi PD kaq thellë në zgjedhje. E ka fajin populli!

 

 

Na bëni like në facebook!: 
Total votes: 6