Një sondazh online nxjerr PD-në fituese në Durrës

Sondazhet zgjedhore janë kthyer së fundmi në mjet jo vetëm për të kuptuar kahjen e rezultatit zgjedhor, po në disa raste edhe si mjet për të diktuar opinionin e që gjerësisht ka nisur të përdoret në fushatën elektorale të këtij viti. Fushata tashmë ka ndezur mirë motorrët dhe më shumë se herët e tjera ekipet e kandidatëve dhe shtabet e forcat e tyre politike kanë zbritur në bazë për të takuar elektoratin, të majtë e të djathtë, ndërsa diferencën do ta bëjnë votuesit e lëkundur. Ata që vlerësojnë kandidatët, programet dhe gjykojnë në zgjedhjen e së keqes më të vogël për vendin.

Së fundmi, një sondazh i organizuar online nga një prej faqeve më të klikuara ndër shqiptarë nxjerr fitues të zgjedhjeve parlamentare 2013 në qarkun e Durrësit, Partinë Demokratike dhe aleatët e saj në koalicionin parazgjedhor. Deri në mbrëmjen e 28 majit 54 % e votuesve online kanë zgjedhur koalicionin e djathtë dhe vetëm 40, 7 përqind kanë zgjedhur të votojnë për “Rilindjen” socialiste dhe aleatët e saj. Duke iu referuar këtij sondazhi online, PD ka marrë mbështetjen e 939 personave, PS të 744 të tjerëve, PR që ka kandidat kryesor Agron Dukën 144, LSI, listën e së cilës e kryeson kunati i Dukës, ish-kryebashkiaku i Durrësit Lefter Koka 140 vota; AK me kryesues të listës Lisen Bashkurtin ka siguruar 63 vota, FRD me Oketën në krye 54 vota; PDK 63 vota dhe PDIU 44 mbështetës.

I njëjti sondazh në shkallë vendi, nxjerr fituese PS-në dhe koalicionin e saj, në raportin 45,9 % kundrejt 45, 6 % të koalicionit të djathtë. Ky rezultat duket krejtësisht i besueshëm pasi vjen në perceptimin qytetar të mjaft votuesve shqiptarë për zgjedhjet 2013. Gara elektorale këtë herë është më e fortë dhe më e brishtë se kurrë për forcat politike kryesore, ndërkohë që aleatët e tyre të vegjël në koalicione ofrojnë një qëndrueshmëri të thyeshme në periudhën paszgjedhore, një rrugëe e çelur tashmë nga fenomeni politik LSI.

Gjithsesi, vlefshmëria e këtij sondazhi, ashtu si e shumë sondazheve të tjera të organizuara online ka përqindjen e vet të gabimit, bazuar në faktin që pjesëmarrës në të janë personat që kanë akses në internet, ndërsa ka plot votues të cilët nuk e kanë këtë mundësi. Gjjithashtu pjesëmarrës janë dhe mjaft njerëz të interesuar të diktojnë rezultatin duke çuar në angazhim të individëve, rretheve shoqërore, mbështetësve e militantëve partiakë për të votuar online. Jo pak njerëzve u ka rastisur kohët e fundit t’u kërkohet qoftë drejtpërdrejt, qoftë në linjë telefonike apo gjatë komunikimit online që të votojnë për filan kandidat e forcë, përmes shprehjes: “Na jep një votë te filan sondazh, në filan faqe”.

Pjesëmarrja e lartë e votuesve në një sondazh për shumë specialistë të fushës së anketimit çon në rezultate të përafërta me realitetin, ndërsa për të tjerë në cilësinë e një sondazhi ndikojnë faktorë të tjerë shumë më të rëndësishëm. Sondazhet online konsiderohen si sondazhe joshkencore, pasi janë të pastudiuara më parë për të tërhequr mendimin, qëndrimin e përfaqësuesve të sa më shumë kategorive sociale, grupmoshave të ndryshme ndër votues, elektoratit që jeton në zonat urbane dhe ato rurale. Pra, nuk ka përzgjedhje për një përfaqësim të tyre. Në sondazhet online ka dhe mjaft “votues” që nuk e kanë arritur moshën madhore dhe që nuk reflektojnë në rezultatin përfundimtar real të zgjedhjeve, po kanë ndikim në rezultatin e sondazheve online, ndonëse hartuesit  e këtyre të fundit deklarojnë se për të ulur marzhin e gabimit sistemi kompjuterik nuk lejon më shumë se një votim nga një IP e identifikueshme nga sistemi.

/v.q. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/

 

Na bëni like në facebook!: 
Total votes: 8