Olldashi: Më 21 Janar do isha treguar më i ashpër

TIRANE, 12 korrik 2013 - I ftuari në mbrëmjen e sotme në emisionin “Tonight Ilva Tare”, kandidati për kreun e Partisë Demokratike, Sokol Olldashi, ka deklaruar se është një person të cilit i pëlqen gara dhe se në çdo garë që futet e bënë këtë vetëm për të fituar.

Olldashi e ka nisur intervistën e tij përballë gazetares së RTV “Ora News”, duke folur për rrugëtimin e tij në Partinë Demokratike duke u shprehur se udhëtimi i tij në Partinë Demokratike është rrugëtimi tipik i një njeriu që nis nga shkalla e parë e arrin në nivele të larta.

“Për herë të parë në Partinë Demokratike jam angazhuar në Janar të vitit 1991. Rrugëtimi në Partinë Demokratike ka qënë tipik i një rrugëtimi që nis nga shkalla e parë dhe që arrinë në nivelet  më të larta.” Kandidati për kreun e PD-së ka folur gjithashtu edhe në lidhje humbjen e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 23-qershorit, duke akuzuar në me këtë rast dhe blerjen e votave gjatë këtyre zgjedhjeve nga ana e koalicionit të majtë.

“Nuk duhet toleruar fenomeni i blerjes së votave. Përmasën e blerjes së votave e pashë pas përfundimit të zgjedhjeve të 23-Qershorit. Blerja e votës ka qënë masive nga partitë e koalicionit të majtë dhe një nga arsyet kryesore që e majta morri pushtetin është pikërisht blerja e votës. Partia Socialiste nuk ka pasur ndryshim të votave gjatë këtyre zgjedhjeve, por Lëvizja Socialiste për Integrim ka patur një rritje të madhe. Votuesit e pavendosur të Partisë Demokratike kanë shkuar masivisht tek Lëvizja Socialiste për Integrim. Nëse me të vërtetë do të kishte frymë opozitare, atëherë votat duhet të vinin tek Partia Socialiste dhe jo tek Lëvizja Socialiste për Integrim”, u shpreh Olldashi.

Në lidhje me garën që po bëhet për kreun e Partisë Demokratike, Olldashi u shpreh: “Partia Demokratike është një parti që ka rreth 106 mijë anëtarë në të gjithë vendin. PD ka nevojë të fillojë përgatitjen për betejën e ardhëshme që janë zgjedhjet lokale. Në Partinë Demokratike po bëhet një garë reale për kreun e partisë.  Secili nga ne është përgjegjës për humbjen e PD-së në zgjedhjet e 23-Qershorit. Rëndësi ka që mbi gabimet të ndërtohet një eksperiencë.  Në inagurimin e tunelit të Elbasanit nuk kam qënë sepse kam qënë i angazhuar me fushatën në qarkun e Fierit. Anëtarët e Partisë Demokrtike duhet të votojnë në datën 22 Korrik midis meje dhe zotit Basha. Më pëlqen gara dhe në çdo garë që futem e bëj këtë vetëm për të fituar.”tha Sokol Olldashi.

Sokol Olldashi ka folur gjithashtu dhe në lidhje me dorëheqjen e kryetarit të Partisë demokrtaike, Sali Berisha dhe marrëdhëniet e tij me kryeministrin dhe anëtarët e tjerë të kësaj partie. “Sali Berisha është themeluesi dhe lideri historik i Partisë Demokratike. Kjo nuk është një garë që bëhet për shkak se Berisha ka gabuar, kjo është një garë që vjen si pasojë e dorëheqjes së tij. Eksperienca e Berishës në PD dhe në qeverisje është një shembull i mirë për të gjithë. Menaxhimin e zgjedhjeve për kreun e Partisë Demokratike po e realizon një komision i posaçëm dhe jo Berisha. Rrezikohen të krijohen rreshtime nga deputetët ndaj nuk ka mbështetës për njërin apo tjetrin kandidat për kreun e PD-së. Marrdhëniet e mia miqësore me njerëz brenda Partisë Demokratike nuk dua të ndikojnë për vota në favorin tim. Votat nga lidhjet miqësore janë të pashmangshme edhe pse vijnë në mënyrë subjektive. Unë nuk e kam garën me mediat dhe analistët, por me anëtarët e Partisë Demokratike. Me Lulzim Bashën kam raporte shumë të mira dhe brenda Partisë Demokratike ekziston fryma e solidaritetit”, u shpreh Olldashi.

Duke komentuar zërat se Berisha ka preferenca në këtë garë, Olldashi tha se është e kundërta.  “Vërej një monitorim të kujdesshëm të Berishës për të mos lejuar asnjë ndërhyrje në këtë proces”. Olldashi i është përgjigjur edhe komenteve të gazetës ‘55’ të Fahri Balliut, që e sulmon atë rregullisht.  “Kam kaq vite që e njoh Fahriun dhe nuk e kam kuptuar nëse është i majtë, i djathtë, i kuq, blu apo çfarë përfaqëson,” tha Olldashi.

Duke iu përgjigjur një titulli të gazetës ’55’ se përse nuk e sulmon Olldashin gazeta ‘Zëri i popullit’, Olldashi tha:“Nuk e lexoj Zërin e Popullit që kur nga kjo gazetë ka ikur Fahri Balliu. Ka qenë më interesante. Që kur ka ikur ai, nuk e lexoj”. “Unë nuk kam burim informacioni nga PS, nëse Fahriut i kanë mbetur burime aty…”, tha Olldashi.

Olldashi u tregua shumë i ashpër sa i përket 21 janarit. Ai tha se ajo ngjarje ishte një grusht i mirëfilltë shteti. “Ajo ngjarje ka qenë një grusht i mirëfilltë shteti.  Nëse do kisha qenë ministër i Brendshëm atë ditë, reagimi im do kishte qenë më i ashpër. Nuk do kisha lejuar askënd që të kalonte gardhin,” tha Olldashi, duke shtuar se “qeveria e Berishës nuk ka ndërhyrë në asnjë çështje të drejtësisë”.

 

Na bëni like në facebook!: 
Total votes: 4