Sondazhi për zgjedhjet: E majta kryeson me 2 mandate në Tiranë, në nivel kombëtar me 4,5%

 Në sondazhin e dytë të IPR Marketing ndarja e  mandateve në Tiranë është 17 me 15 në favor të aleancës së majtë, nëse zgjedhjet do të zhvilloheshin sot më 21 Maj. Ky ka qënë rezultati i sondazhit të IPR Marketing, bërë publik në “Tonight Ilva Tare” në Ora News.  Gjithsesi PD dhe PS janë në kuota të barabarta, secila prej tyre sipas sondazhit merr numër të barabartë votash prej 38 % dhe marrin secila 14 mandate.

Diferenca mes dy koalicioneve bëhet nga mandatet e LSI. Aleanca e majtë arrin në 17 mandate falë 3 mandateve të LSI, e cila ne zgjedhjet e vitit 2009, mori  4 % të votave në Tiranë, ndërsa nëse zgjedhjet do të zhvilloheshin sot sipas sondazhit do të arrinte të merrte 8 % të votave , duke e dyfishuar rezultatin.

Ndërkaq PDIU merr 1 mandat dhe e çon aleancën e djathtë në 15 mandate në Tiranë.

Në sondazhin për Tiranën bie në sy se FRD nuk merr asnjë mandat.  Sipas sondazhit  në Tiranë,  Aleanca për Shqipërinë Europiane merr  49.5 % të votave, ndërsa Aleanca “Punësim, Mirëqënie  dhe Integrim” merr 45 % të votave.

Ndërkaq pyetjes se kush po e drejton në mënyrë më bindëse fushatën elektorale 36 %  mendojnë se  Rama, 25 % mendojnë se fushatë më bindëse po bën Berisha, ndërsa një shifër akoma më e lartë shprehet indiferent ndaj kësaj pyetje, ku  38 % e të intervistuarve janë shprehur se nuk e dinë dhe nuk u intereson kjo gjë. 

Ndërkaq nga rezultati i sondazhit në rang kombëtar vihet re se koalicioni i  Ramës kryeson me 4.5 pikë më shumë se ai i Berishës.

Koalicioni i Ramës nga 46 % arrin në 48 %, duke fituar kështu dy pikë krahasuar nga sondazhi i parë. Koalicioni i Berishës nga 41.5 % në sondazhin e parë arrin në 43. 5 %.

Koalicioni i majtë ka rreth 4.5 pikë më shumë se ai i djathtë , por ka një rezultat kokë më kokë mes dy partive të mëdha, PD dhe PS me  38 % të votave.

Ndërkaq sipas këtij sondazhi sa LSI ka shënuar rritje nga 5.5 % në 6.5 %. Një rritje të lehtë kanë shënuar edhe PR dhe PDIU.

FRD dhe AK kanë shënuar  rënie nga  sondazhi i parë . Kështu FRD nga 4.5 % në sondazhin e parë arrin në 3.5 % të votave në sondazhin e dytë. Ndërsa AK nga 5 % ka rënë në 4 %.  

Në sondazhin e IPR Marketing u intervistuan 1002 persona në rang kombëtar të ndarë në mënyrë proporcionale në qarqe sipas popullsisë përkatëse dhe në të njëjtën mënyrë edhe 1000 persona vetëm në qarkun e Tiranës. Janë pyetur 565 persona në zonat urbane dhe 437 persona në zonat rurale.

 

Na bëni like në facebook!: 
Total votes: 0