Alarmi: Autizmi pushton fëmijët e Durrësit

Dr. Irma Nasto

Dr. Irma Nasto

 

Neuropediatria Irma Nasto thotë se situata mund të konsiderohet prag epidemie. Për shkak të gjykimeve dhe niveleve në edukimin social të prindërve, shumë fëmijë janë ende të padiagnostikuar. Cilat janë disa nga shenjat që shfaqin kjo kategori fëmijësh. Shkaqet e sëmundjes dhe trajtimi i veçantë në klinika të specializuara që mungojnë në qytetin bregdetar.

 

Pediatër, psikologë, neurologë dhe neuropediatër në Durrës janë të mendimit që autizmi tek fëmijët ka marrë përmasa gjithnjë e më dramatike duke vënë në gjendje alarmante shërbimin shëndetësor dhe kujdesin social ndaj kësaj kategorie. Ata gjykojnë se duhet hapja sa më parë e qendrave për shërbim psikosocial të fëmijëve të prekur nga autizmi. Neuropediatria Irma Nasto, me një përvojë dhjetëravjeçare, ka bërë të ditur se në 5-6 vitet e fundit autizmi ka shtrirë fatkeqësisht gjeografinë e fëmijëve të prekur. Nasto ka parasysh vizitat dhe njohjen që ka për të gjithë qarkun e Durrësit dhe Kavajën së bashku me rrethinat. Ajo saktëson se familjarët me fëmijë të rriskuar dinë pak apo aspak për sëmundjen dhe thuajse asgjë për mënyrën e trajtimit të fëmijëve me autizëm. Për shkak të gjykimeve dhe niveleve në edukimin social të prindërve, shumë fëmijë janë ende të padiagnostikuar. Gjithnjë sipas informacioneve mjekësore, në Durrës mësohet se prindërit bëjnë të gjitha përpjekjet për të mbuluar problemet e manifestuara nga fëmijët dhe ata kërkojnë ndihmë tek specialistët vetëm kur autizmi ka “pushtuar” fëmijët. Gjatë vitit 2011 numri i të kartelizuarve me autizëm është 27 fëmijë, shifër kjo e cilësuar deri e pabesueshme për neuropediatrët. Më shumë se 1/3 e të kartelizuarve i përkasin pikërisht autizmit.

Vitet e fundit vërehet se fëmijët me autizëm janë shtuar. Cila është gjendja e vërejtur nga ju si neuropediatre në Durrës?

Gjendja është tepër, tepër shqetësuese. Të them të drejtën dhe për të mos qenë aspak e drojtur nga ju më duhet të pranoj me shumë keqardhje se jemi në kufijtë e një situate alarmante. Pse ta fsheh. Janë 27 fëmijë të kartelizuar me autizëm gjatë vitit 2011. Për një neuropediatër është shifër shumë, shumë e madhe. Diagnostikimi ynë është tashmë i konfirmuar edhe nga qendra e specializuar e Tiranës me të cilën kemi pasur marrëdhënie shumë serioze dhe profesionale. Pra janë 27 fëmijë në Durrës e Kavajë të prekur nga autizmi për të cilët ne kemi hapur kartelë. Rastet e para i kam vënë re para 6 vitesh. Fëmijët e parë që janë diagnostikuar me autizëm ishin nga Spitalla dhe Porto Romano. Ne si ekip mjekësor fillimisht dyshuam se shkak për këtë anomali patologjike është bërë ish-uzina kimike në Porto Romano. U thelluam edhe në botimet shkencore për autizmin dhe dyshimet tona për ndikimin e mjedisit të ndotur nga kimikatet ra. Me këtë dua të them se nuk ka një deklarim shkencor nga mjekësia për origjinën e autizmit dhe as për medikamentet që duhen përdorur. Vit pas viti të prekurit nga autizmi erdhën duke u shtuar. Viti i kaluar ka shënuar rekordin ndaj edhe alarmi ynë është i justifikueshëm. Sot disponojmë statistika shumë të sakta. Informacioni diagnostikues është i pakompletuar. Ne e kemi zgjidhur trajtimin e fëmijëve të prekur përmes ndihmës që ka afruar klinika në Tiranë edhe pse mendoj se kjo nuk është zgjidhje afatgjatë. Kur them se në vitin 2011 kemi 27 raste të fëmijëve të diagnostikuar me autizëm, duhet të saktësoj se këto janë raste të reja, pasi këtij numri i shtohen edhe fëmijët e kartelizuar vit pas viti. Pra jemi në situatë të vështirë dhe me pak informacion për mënyrën se si duhet trajtuar klinikisht. Nga ana tjetër shifra është dramatike pasi afro 50 përqind e të kartelizuarve nga ana jonë gjatë vitit të kaluar janë të kësaj kategorie. Në vitin 2011 kemi hapur 61 kartela prej të cilëve fëmijët me autizëm janë 27. Për ne kjo do të thotë situatë e vështirë, prag epidemie.

 

61 kartela janë hapur nga institucionet shëndetësore për fëmijët. Shifra është dramatike pasi afro 50 përqind e të kartelizuarve gjatë vitit të kaluar janë të kategorisë së fëmijëve që vuajnë nga autizmi. Specialistët thonë se sëmundja nuk trajtohet me preparate, por me shërbim social e psikologjik dhe për këtë duhet një klinikë e specializuar

27 fëmijë rezultojnë të prekur deri më sot nga sëmundja e frikshme në Durrës e Kavajë. Shifra konsiderohet alarmante nga specialistët, por mendohet që rastet të jenë edhe më të shumta. Kjo pasi disa prindër nuk i kuptojnë problemet shëndetësore të fëmijëve të tyre ose përpiqen të mbulojnë problemet e manifestuara 

Cilat janë disa nga shenjat që shfaqin kjo kategori fëmijësh?

Në fillimet e jetës bebet nuk e manifestojnë problemin. Nënat e kanë të vështirë ta veçojnë sëmundjen. Jemi mësuar të dëgjojmë për fëmijë që nisin e flasin vonë, për të tjerë që zënë këmbë pas bashkëmoshatarëve, të tjerë fëmijë që manifestojnë indiferentizëm ndaj këshillave etj. Këto e ndërlikojnë problemin. Fëmijët me autizëm kanë çrregullime të sjelljes. Ata izolohen në vetvete, tërhiqen nga jeta aktive, “mbyllin” gojën, u pëlqen të qëndrojnë në guaskën e vet, jeta e izoluar manifestohet gjithnjë dhe më shumë, nuk kryejnë nevojat personale në mënyrë të kontrolluar, s’u pëlqen shoqëria etj. Këta fëmijë nuk kanë qenë të tillë në fillimet e jetës. Ka prindër që e kapin shqetësimin që në fillesë dhe vinë e këshillohen me ne. Të tjerë e lënë mënjanë për shkak të halleve të tyre apo edhe të mendimit se fëmija ka tekat e veta dhe se me kalimin e viteve gjërat do të ndryshojnë për mirë. Unë sot jam bërë gjyshe dhe kam një nip disamuajsh. Ndoshta edhe për shkak të njohjes dhe ndeshjes me problemin, jam shumë e shqetësuar deri sa të vërej se nipi im gëzon shëndet të plotë. Në fillimet e veta fëmijët janë socialë, me emocione, flasin, dëgjojnë muzikë, lozin me kukulla. Pastaj nis stopimi i cili vjen nganjëherë edhe i shpejtë. Fëmijët nuk thërrasin më si më parë “Mami”, “Babi”, nuk belbëzojë dhe as nuk artikulojnë fjalë gjysma-gjysma. Deficiti i krijuar vjen dhe thellohet edhe për shkak të pasivitetit të treguar nga prindërit. Pra problemi duhet marrë me shumë seriozitet nga nënat e reja, prindërit apo edhe mjekët pediatër. Autizmi nuk është patologji mjekësore dhe kjo e komplikon më tej sepse duhet integruar me të dhënat shkencore të pareshtura në këtë fushë. Fëmijët shfaqin bllokim të çeljes trunore, pra kthen në pasivë apo bëjnë veprime të cilat ose janë thjeshtë imitim, ose manifestim i gjestikulacioneve pa ndonjë vlerë edukative. Fëmijët me autizëm diagnostikohen si të tillë në moshë shumë të vogël. Një pjesë e rasteve, kur prindërit janë edhe të arsimuar, konstatimet bëhen në moshën 1 vjeç apo diçka më vonë. Kjo na lehtëson pasi që këtu zë fill puna jonë për t’u marrë me trajtimin specifik të fëmijës i cili rezulton se ka shumë më pak probleme sesa fëmijët e diagnostikuar në moshën 5, 6 apo 7 vjeç. Jemi gati në një epidemi të frikshme dhe kjo duhet të na ndërgjegjësojë të gjithëve për të mos lejuar që fëmijët autistikë dhe familjet e tyre të vuajnë gjithë jetën.

Mund të flitet sot për shkaqet që çojnë në autizëm?

Shkenca mjekësore po kërkon gjithandej. Ne jemi në kontakt me informacionet e herëpashershme. Deri më tani nuk ka ndonjë konkluzion shkencor. Ka dyshime të cilat mbesin në kuadër të hamendësive dhe kaq. Më sipër unë thashë se ndotja mjedisore dhe jeta në mjedise të ngarkuara me kimikate ka jo pak risk. Nga ana tjetër flitet se stresi tek çiftet mund të jetë shkak në lindjen e bebeve me autizëm. Ka mendime që kequshqyerja. Po të merret në konsideratë mendimi im unë të veçoja ndikimin që kanë ushqimet OMGJ. Neuropediatrit e çojnë mendjen gjithandej për të zbuluar të fshehtën. Pra janë shumë drejtime nga ku po punohet për të shkuar fillimisht drejt zbulimit të shkaqeve dhe më pas për të përcaktuar medikamentet apo terapinë e duhur. Shifrat aspak pozitive janë jo vetëm tek ne por edhe në vendet e zhvilluara. Madje atje diçka më të larta në numër popullsie. Në profesionin tim si neuropediatre kam mësuar jashtëzakonisht shumë nga psikiatri shumë i njohur Gazmend Drishti, i cili ka dhënë ndihmesë të veçantë në Qendrën spitalore universitare në Tiranë në shërbimin e psikiatrisë infantile për diagnostikim të plotë. Në këtë qendër shërbejnë specialistë të mirëfilltë dhe ata synojnë të arrijnë në përgjigjen e pyetjes suaj por është ende herët pasi edhe autizimi është kapur vitet e fundit si sëmundje. 

Trajtimi këtyre fëmijëve kërkon edhe mjekë të kualifikuar. Janë mundësitë për t’u mbikëqyrur në Durrës kjo kategori fëmijësh?

Fëmijët me autizëm kërkojnë shërbim multidisiplinor. është e vërtetë që duhen zgjedhur mjekët por jo vetëm kaq. Gjithçka nis tek familja, tek prindërit dhe cikli mbyllet po atje. Unë kam një përvojë prej 30 vitesh si neuropediatre dhe vitet më kanë dhënë shumë të drejtë të gjykoj me profesionalizëm në këtë drejtim. Kur i shikon nga paraqitja fizike këta fëmijë me autizëm nuk identifikon asgjë. Ata janë të shëndetshëm, të qeshur, të hijshëm, lozin, ecin, manifestojnë veprime tërheqëse. Por sapo futet brenda sëmundjes dhe nis diagnostikimin kupton se ata janë të privuar nga shumë gjëra, dallohen nga bashkëmoshatarët. Që këtu nis e mendon jo vetëm si mjek, si specialist por edhe si prind, si edukatore. Për fëmijët e prekur nga autizmi nuk ka rigjenerim të plotë në masën njëqind për qind. Megjithatë fëmija, në sajë të një regjimi të përditshëm, manifeston përmirësime dhe jeta tij bëhet më aktive. Kur mbahen nën kujdes, këta fëmijë nuk urinojnë më në mënyrë të pavullnetshme, nisin e artikulojnë fjalë e shprehje, zgjidhin ushtrime e probleme të thjeshta, bëjnë gjimnastikë, lozin e ndjekin emisione të ndryshme. Pra jeta për ta bëhet më e kuptimtë. Të parët që duhet të jenë të ndërgjegjësuar për të ndihmuar fëmijët duhet të jenë prindërit. Pastaj është shteti e shoqëria. Fatkeqësisht kemi ndeshur dhe ndeshemi në raste kur prindërit e mbajnë të fshehtë problemin që ka fëmija por kjo nuk mund të shkojë pambarimisht, ndërsa sa më vonë këshillës mjekësore, aq më pak shanse për rehabilitim ka fëmija. 

Ju thoni se është koha e hapjes së një qendre klinike në Durrës për trajtimin e fëmijëve të prekur nga autizmi...

Shifrat flasin vetë. Sëmundja nuk trajtohet me preparate, sot për sot, por me shërbim social e psikologjik. Kjo do të thotë se duhet shkollë, auditor, bankë, leksione, mësim për të gjithë ata që merren me këta fëmijë. Fëmijët duhen integruar për të bërë një jetë sa më të qetë e aktive ndonëse jo në mundësitë e rehabilitimit të plotë. Por ata nuk kanë pse të transformohen në të vobektë, në fëmijë-barrë në familje, apo të lënë mënjanë e pas dore deri në përbuzje nga shoqëria. Në fund të fundit nuk është se do të na kushtojë shumë edhe nga ana financiare. Fëmijët që vuajnë nga autizmi në botën e qytetëruar kanë jo vetëm mësues të veçantë por edhe program të veçantë. Në të tilla klinika kërkohet të ketë në organikë detyrimisht neuropediatër, psikolog, punonjësve sociale, logopedist, terapist okupacional. Ne i kemi në Durrës dhe ata marrin përsipër edhe edukimin e kualifikimin e prindërve. Durrësi duhet të merret seriozisht me këta fëmijë. Ne si mjekë e specialistë kemi jo vetëm detyrimin profesional por edhe dëshirën e madhe për t’u marrë me këta fëmijë. Jam e bindur se, po të ketë një qendër të tillë në Durrës, do të kemi shifra edhe më të larta të fëmijëve që vuajnë nga autizmi, pasi prindërit do të heqin dorë nga fshehja problemit, por nga ana tjetër do të mundësojmë edhe trajtim shumë të kualifikuar e cilësor.  

 

Shkaqet:

- Baza gjenetike

- Ndryshimet biokimike

- Problemet në perceptimin e botës së jashtme

 

Manifestimi:

- Të folurit pak apo asgjë

- Aftësia e të kryerit veprime pak apo shumë e kufizuar

- Izolimi në vetvete

 

MENDIMI I SPECIALISTEVE

Dr. Baku: Durrësi duhet të mendojë për klinikë

Kemi disa vite që e studiojmë patologjinë e sëmundjes së shfaqur. Një ekip me pediatër, psikologë, neurolopsikiatër dhe neuropediatër janë vënë në investigim të plotë të situatës. Durrësi ka shumë për të dëshmuar në drejtim të kësaj patologjie. Sot për sot është ende herët të flasim dhe të deklarojmë shumë gjëra që lidhen me çështjen shumë të diskutuar. Më shqetëson fakti se mjekët specialistë janë tejet të preokupuar në këtë drejtim. Kategoria e fëmijëve të prekur nga autizmi kanë shfaqje interesante të të sjellurit në familje, në shoqëri dhe kjo për ne është pikë e fortë e studimit. Ata vijnë nga një realitet shumë i panjohur psikologjik e social. Njohja e sjelljeve të tyre është një nismë më vete për ne si specialistë. Mjekët psikopediatër na kanë vënë në dijeni se fenomeni sa vjen e bëhet gjithnjë e më shqetësues dhe kjo për ne është sinjal alarmant. Një ditë më vjen për vizitë, me fëmijë për dore, një prind i cili më bën të ditur se fëmija e tij kishte humbur interesimin për t’iu bindur këshillave dhe se kishte shfaqur shenja të indiferentizmit. Kisha lexuar për të sëmurët autistikë, por për një çast nuk e lidha shqetësimin e mësipërm me rastin në fjalë. Çifti Joni, me banim në Plazhin e Durrësit në sektorin Hekurudha, sot jeton në Kanada. Fëmija e tyre ishte dikur 3-4 vjeç dhe manifestonte probleme të cilat më pas u klasifikuan në patologjinë e të prekurve nga autizmi. Pasi komunikova lidhur me problemet dhe pasi iu bëra të ditur prindërve se fëmija e tyre mund të ishte objekt i klinikave që merren me fëmijë të prekur nga autizmi, ata më bënë të ditur se një të tillë përgjigje ua kishin dhënë edhe mjekët në Kanada. Pra ne si specialistë ndanim të njëjtit mendim me mjekët kanadez dhe kjo sigurisht na bëri besues në vetvete. Fëmija për ne ishte klasifikuar me autizëm dhe ashtu rezultoi edhe nga klinikat e specialistët e huaj. Specialistët neuropsikiatër dhe neuropediatër kanë vënë re se rastet janë shtuar. Ata kanë përgatitur relacione dhe jemi në fazën e nisjes së një fushate ndërgjegjësimi. Para së gjithash kërkohet që prindërit e fëmijëve të jenë të ndërgjegjshëm se jo pak nga fati i fëmijëve varen nga duart e tyre, nga ndërhyrja dhe vendimet që ata marrin. Dua të them se nuk janë të paktë prindërit që heshtin për të marrë në “mbrojtje” fëmijët, duke bërë çfarë është e mundur të fshehin problemet e autizmit tek fëmijët. Ka ardhur koha që shoqëria, familja dhe shërbimi shëndetësor të përgatiten për të pranuar këtë sëmundje, e cila ende ka shumë të fshehta por që po vjen gjithnjë dhe më kërcënuese. Për shkak të numrit gjithnjë e në rritje të të prekurve nga autizmi mendoj se është bërë domosdoshmëri hapja e një klinike të veçantë për trajtimin e fëmijëve të prekur si dhe për kualifikimin e prindërve të këtyre fëmijëve apo edhe të personelit edukativ. Bota civilizuar dhe vendet e zhvilluara investojnë shumë në drejtim të hartimit të projekteve për të parandaluar dhe evidentuar që në embrion sëmundshmërinë, ndërkohë që në vendin tonë investohet shumë për terapinë e cila është shumë, shumë e kushtueshme.

 

Dr. Gjergo: Një në 150 fëmijë është me autizëm

Autizmi është barrë e rëndë sociale. Kemi disa vite që ndihemi të shqetësuar nga kjo sëmundje e cila ende nuk ka të dhëna për origjinën, simptomat dhe diagnostikimin me medikamente mjekësore. Shifrat së paku të deklaruara deri më tani janë shqetësuese deri dramatike. Duhet më parë të ndërgjegjësohet shoqëria, e cila duhet të përgatitet për shifra edhe më alarmante sesa ne afrojmë sot. Nisur nga të dhënat paraprake në vendin tonë në çdo 150 fëmijë të ardhur në jetë, një është i prekur nga autizmi. Nuk është pak, madje është për t’u shqetësuar. Durrësi ka peshë të konsideruar. Të gjithë janë të kërcënuar, dikush nga barku, të tjerë nga gjaku e fisi. Një në 150 fëmijë është shumë. Ne kemi neuropediatre me stazh dhe kualifikim shumë të lavdëruar, e cila ka të dhëna të sakta dhe informacione të mjaftueshme për të krijuar idenë se ka ardhur koha të merret seriozisht ky shqetësim. Autizmi është problem edhe për vendet e zhvilluara, por tek ne ka një dallim, pasi familjet tona për shkak të kufizimeve dhe statusit shoqëror dhe etik e kanë më të vështirë ta pranojnë autizmin tek fëmijët e tyre. Fshehja na ndëshkon të gjithëve, por më shumë se këdo tjetër vetw të prekurit. Nëna është ajo që ka më shumë detyrime në trajtimin e fëmijës për faktin se edhe fëmijët e kësaj kategorie janë më afër nënës sesa pjesëtarëve të tjerë. Por kjo nënë duhet kualifikuar, trajnuar, ndërgjegjësuar për faktin me të cilin është përballuar familja saj dhe fëmija. Ne si repart i pediatrisë informojmë në mënyrë të vazhdueshme drejtorinë spitalore për shifrat, problemet, përpjekjet dhe idetë tona lidhur me vizionin në trajtimin e të sëmurëve me autizëm. Jemi në fazën e përgatitjes së një materiali shkencor që do e referojmë në kuadër të seminareve që organizohen nga medikokirurgjia. Neuropediatrët dhe neurologët tanë janë të gatshëm të referojnë në sesione të tilla shkencore për të dëshmuar hap pas hapi për fenomenin që na shqetëson vitet e fundit dhe që ka marrë përmasa në rritje. 

 

Historiku i sëmundjes

Fëmijët me autizëm kanë një rreze të kufizuar interesash. Gjithashtu shfaqin sjellje dhe mënyra të sjelljes përsëritëse. Ekzistojnë dy lloje të autizmit:

a. Sindroma e Apsberkut e cila veçohet me një formë më të lehtë të simptomave ku edhe shanset e shërimit janë më të mëdha.

b. Sindroma e Kanerit vjen nga emri i studiuesit amerikan që bëri analizën e parë dhe është cilësuar si autizmi i hershëm fëmijëror. Kjo sindromë veçohet si më problematike dhe mundësia e shërimit është minimale. Në dukje fëmija i shëndoshë fillon të stonojë në aspektin e sjelljeve, të komunikimit, të përqendrimit të lojës, të interesimeve të pazakonshme të fëmijës, të ushqimit, çka do të thotë se fëmija nuk sillet në mënyrë të zakonshme. Fëmija largohet nga çdo lloj kontakti me sy, shikon anash ose lart mbi kokën e personit kontaktues.

Simptomë tjetër është pagjumësia. Fle vonë në mbrëmje apo zgjohen shumë herët në mëngjes. Tek mënyrat e të ushqyerit, fëmijët me autizëm, duart e tyre shkaktojnë probleme të mëdha. Fëmija bën lëvizje të dorës në mënyrë rrethore apo lëvizjen e gishtërinjve në mënyrë të tendosur. 

 

Na bëni like në facebook!: 
Total votes: 8