Durrës, kompania italiane hap çerdhe dhe kopësht për fëmijët e punonjëseve

DURRES, 09 mars 2013 – “Zëri i Amerikës” i ka kushtuar një reportazh të veçantë një kompanie italiane që ushtron aktivitetin e saj në qytetin e Durrësit. E veçanta e këtij biznesi është fakti se kompania e huaj është përpjekur të përmirësojë në mënyrë të ndjeshme trajtimin e punonjësve të saj. Për këtë arsye ajo ka hapur pranë ambienteve të ndërmarrjes një çerdhe dhe një kopësht për fëmijët e punonjëseve duke i ndihmuar ato në këtë mënyrë që të jenë të sigurta për mirërritjen e fëmijëve. Gjatë intervistës së dhënë për “Zëri i Amerikës” punëdhënësi italian Carmine Cipro ka shpjeguar se me këtë gjetje ata kanë arritur të përmirësojnë ndjeshëm trajtimin e punonjëseve, që përbëjnë 90% të stafit të punësuar aty si dhe kanë evituar largimin e punëtoreve të kualifikuara për shkak të fëmijëve.

Kujdesi më i madh social dhe ekonomik ndaj punëtoreve i ka sjellë menjëherë frytet e veta në firmën e biznesmenit italian që thotë se prodhimet e firmës së tij tashmë shiten në tregjet e Bashkimit Europian, ndërsa porositë dhe prodhimi janë shtuar. 
“Rreth 90 përqind e punëtorëve të firmës janë gra të reja në moshë. Ne humbisnim mjaft punëtore kur ato martoheshin dhe bëheshin me fëmijë, sepse nuk kishin ku të linin fëmijët. Ato trajnoheshin, pastaj lindnin dhe nuk vinin më këtu. Por edhe shumë nga punonjëset ekzistuese e kishin merakun dhe mendimet e tyre gjithë ditën në shtëpi ku kishin lënë fëmijët. Kjo është arsyeja që ne ngritëm çerdhen dhe kopshtin e fëmijëve pranë firmës tonë dhe punëtorët i kanë fëmijët të sigurtë dhe shumë pranë. Po ashtu ne siguruam edhe një  sërë shërbimesh të tjera sociale për gratë, shërbime mjekësore, ekzaminime laboratorike etj” - thotë ai.
 
Firma ka rreth 300 punëtore femra dhe shumë prej tyre pohuan se janë të kënaqura me këtë vendim të firmës, që të kujdeset për fëmijët e tyre, dhe ato punojnë më të qeta, kur e dinë se fëmijët janë aty pranë.

Firmat italiane zënë pjesën dërrmuese të firmave të huaja që ushtrojnë aktivitetin në zonën e Durrësit. Ato po punojnë në Shqipëri, ndërsa ekonomia italiane është përfshirë në krizën e eurozonës. Biznesmenët italianë po përpiqen të përshtaten sa më mirë me kushtet e favorshme që ofron Shqipëria si krahu i lirë i punës, përhapja e gjuhës italiane dhe afërsia me vendin fqinj përtej detit Adriatik. 

/"Zëri i Amerikës"/

Video: 
Na bëni like në facebook!: 
Total votes: 10