Durrës, qentë e rrugës pushtojnë qytetin

DURRES, 25 prill 2013- Të gjitha rrugët e Durrësit në këto ditë të ngrohta e me diell pushtohen nga qentë, të cilët janë kthyer në burim sëmundjesh dhe shqetësimesh për qytetarët durrsakë.

Pothuajse në të gjitha lagjet e qytetit qentë janë shtuar dhe mundësitë për incidente gjithashtu.

Qentë e braktisur nga pronarët, apo të lindur në rrugë, të cilët duke krijuar grupime, marrin të njëjtat karakteristika me kopenë, mbeten një rrezik për qytetarët.

Ata shëtisin ku të mundin, madje edhe përpara institucionit të bashkisë, prefekturës, pallatit të kulturës etj.

Ata kanë filluar të qëndrojnë edhe në qendrat turistike, të cilat në këtë sezon turistik janë pjesa më e frekuentuar e qytetit bregdetar.

E ndërsa, askush nuk e di me saktësi numrin e qenve endacakë që shëtisin rrugëve, shesheve apo plazheve, me të tillë situatë të rrezikshme qytetarët durrsakë dhe jo vetëm, ndeshen çdo ditë. Qentë e rrugës janë jashtë çdo kontrolli veterinar dhe preken kolektivisht nga shumëllojshmëri parazitësh, virusesh, apo bakteresh nga më të rëndomtat e deri tek ato më fatalet për jetën e qytetarit. Me përjashtim të vitit elektoral 2009, në çdo vit tjetër Bashkia e Durrësit nuk ka kryer fushata  për eliminimin  e qenve të rrugës, të rrezikshëm  për komunitetin, apo edhe vënien në zbatim  të një mënyre më të efektshme, siç është ajo e mbledhjes së qenve në vende të posaçme, në të cilët ato veç ushqimit marrin periodikisht edhe vaksinat, siç ndodh në çdo vend të bashkimit europian ku Durrësi synon të integrohet.

Vendimi i qeverisë: Të sterilizohen qentë e rrugëve

Para pak kohësh qeveria shqiptare mori një vendim që përcakton mënyrën se si duhet vepruar me qentë dhe macet e rrugëve. Pas identifikimit të tyre nga njësitë vendore, sipas udhëzimit më të fundit duhet të organizohet sterilizimi. Më pas kafshët dërgohen në një pikë të caktuar, miratuar më parë nga njësia vendore. Qeveria ka përcaktuar gjithashtu edhe rastet kur këto kafshë eliminohen me eutanazi.

Njësitë e qeverisjes vendore kryejnë eliminimin e qenve dhe maceve të rrugës vetëm në rastet kur:

- shfaqin shenja klinike të sëmundjeve infektive

- gjatë kontrollit për sëmundjeve zoonotike, kafsha paraqet rrezik për jetën e njeriut

- kafsha është treguar tepër agresive dhe e egër si dhe ka sulmuar njerëzit

Këto janë rregullat e reja të vendosura nga qeveria për  shërbimit veterinar si dhe për pushtetin vendor, duke përcaktuar mënyrat e identifikimit, sterilizimit dhe eliminimit të qenve dhe maceve të rrugës si dhe ato të që braktisen nga pronarët. Pra, në  rastet e eliminimit, qentë nuk do të vriten më me çifte apo me armë zjarri, një metodë kjo e përdorur rëndom deri para pak vitesh nga bashkitë e mëdha, por do të ngordhin me injeksion nga veterinerët. 

I pyetur për vendimin më të fundit të qeverisë, kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako hezitoi të japë një përgjigje konkrete, por deklaroi se do të merren të gjitha masat e duhura në drejtim të sigurisë së jetës dhe shëndetit të qytetarëve durrsakë. 

/e.a. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/

Na bëni like në facebook!: 
Total votes: 1