Klodiana Spahiu, mjekja e përkushtuar ndaj politikëbërjes

Nga Vali Qyrfyçi

Sapo ka mbushur 40 vjeç. Me një pamje dhe zë të brishtë, po të vendosur mjekja kardiologe Klodiana Spahiu e përqëndruar në politikë synon të fitojë mandatin e dytë, në zgjedhjet e këtij qershori. Në një shoqëri patriarkale që transformon në gra-burra ato që përfshihen aktivisht në politikë, ajo duket se ia ka dalë mbanë. Të paktën deri tani. Ka mbetur grua, pa humbur elementet e përkatësisë gjinore në këtë përfshirje, tashmë 4-vjeçare, të saj në politikë, të cilën e konsideron si sfidën e jetës së vet. Një sfidë të vështirë, po të bukur, ndërsa profesionin e dashuron. Ishte pjesë e shoqërisë civile dhe ftesa e socialistëve e hodhi në krahët e politikës. Në këtë ndërmarrje, ajo ka mbështetjen e bashkëshortit, Eduardit, por edhe mbështetja e shumë njerëzve të tjerë i jep kurajo për të vazhduar më tej. 

Si për çdokënd tjetër, edhe për të familja mbetet më e rëndësishmja dhe pse e ndjen që angazhimi politik ia ka kufizuar shumë kohën e qëndrimit me të. Ka dy fëmijë që ndajnë mes tyre një diferencë moshe gati 9-vjeçare. E bija këtë vit është maturante dhe përpos intensitetit të aktivitetit politik, takimeve të ngjeshura elektorale, ajo mbetet një nënë me shqetësimin e vazhdimësisë së edukimit të mëtejshëm të së bijës, që tani është në prag të jetës universitare dhe pse ethet e provimeve nuk kanë kaluar ende. Klodiana e konsideron veten një nënë të butë, larg dhunës verbale që rëndom karakterizon marrëdhëniet prind-fëmijë. Ajo beson se mënyra më e mirë është bindja, bashkëbisedimi, tregimi i udhës së duhur dhe lënia e fëmijëve të lirë në veprime, qoftë dhe ndonjëherë duke i lënë të gabojnë për të mësuar nga gabimet dhe marrë vendimet e duhura.

E ndërsa është larguar nga profesioni i vet, për shkak të mungesës së kohës fizike dhe jo dëshirës për të qenë pranë pacientëve, përfshirja në politikë e mban të lidhur në një mënyrë tjetër me profesionin, të cilin e sheh nga një tjetër aspekt. Është një nga hartueset e programit të Partisë Socialiste për shëndetësinë. Ka një synim, dhënien e kontributit në hartimin e politikave shëndetësore që të mundësojnë mbarëvajtjen e shëndetit publik dhe institucioneve shëndetësore. Ajo e konsideron të hidhur realitetin e sotëm, prandaj ndjehet gjithnjë e më shumë e angazhuar për të kontribuar personalisht, nën çadrën e forcës politike që përfaqëson, për krijimin e një sistemi të ri shëndetësor kombëtar.

Shtimi i numrit të grave në parlament, për Spahiun është një domosdoshmëri dhe ndikon në frymën e përgjithshme të veprimtarisë së legjislativit shqiptar dhe niveleve të tjera të pushtetit dhe shoqërisë. Nga përvoja e mandatit të parë ajo vlerëson se një bashkëpunim më i ngushtë mes grave deputete të forcave të ndryshme politike do të ishte mjaft pozitiv dhe me ndikim të drejtpërdrejt në çështje të rëndësishme sociale dhe ekonomike.

Situata, pozicionimi i grave dhe vajzave në familje dhe shoqëri është një shqetësim i saj. Duke u ndalur në situatën e qarkut të Durrësit, ajo shprehet se sipas statistikave 1 në 3 gra është viktimë e dhunës dhe në raport me popullsinë kjo shifër arrin në afro 66 mijë gra. Shqetësim serioz për të mbetet edhe punësimi i grave dhe sipërmarrja private nga gratë. Me programin e Rilindjes dhe zhvillimin e arsimit profesional dhe zgjerimin e vëndeve të punës në sektorë që janë lënë mbas dore, si ai i turizmit, fasonet dhe administrata publike, ajo beson se do të ndryshojë dhe situata e vajzave dhe grave në qark dhe në të gjithë vendin.

Spahiu tashmë është angazhuar të përcjellë programin për Rilindje të PS-së me grupe të ndryshme interesi dhe individë, pasi për të: “Ky program është një kontratë me çdo qytetar.”. Dhe ajo zotohet të jetë një zë i fortë dhe i palodhur në Kuvendin e Shqipërise, që kjo kontratë të zbatohet përpikmërisht.

Kush është

Klodiana Spahiu ka lindur në Durrës më 22 maj 1973 dhe është zgjedhur deputete për Qarkun e Durrësit në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009. Ajo është diplomuar për Mjekësi në Universitetin e Tiranës dhe për kardiologji në Qendrën Universitare “Nënë Tereza”. Ka punuar si pedagoge në Universitetin e Tiranës, si kardiologe në Spitalin e Durrësit dhe ka kryer disa specializime në këtë drejtim. Klodiana Spahiu është docente pranë Universitetit “Zonja e Këshillit të Mirë”, Tiranë. Ajo është anëtare e Komisionit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë në Kuvendin e Shqipërisë. Është e martuar me mjekun specialist Eduard Spahiu dhe ka 2 fëmijë: një djalë dhe një vajzë.

 

Na bëni like në facebook!: 
Total votes: 6