Sulejman Maliqati, legjenda e portës shqiptare që nuk luajti kurrë me doreza: Përse gjermanët më quajtën “macja e zezë”

Maliqati me figura te sportit

Sulejman Maliqati, portieri i mirënjohur i ekipit të Partizanit dhe kombëtares shqiptare të futbollit në vitet ’49-’65, është një nga legjendat e gjalla të futbollit shqiptar. Fjala legjendë në fakt është mjaft e madhe, por për Sul Maliqatin, kjo është mëse e përshtatshme. Dhe kjo jo vetëm për atë që ai ka dhënë për futbollin shqiptar. Sul Maliqati edhe pse i ka kaluar të tetëdhjetat flet me pasion për futbollin dhe ngjarjet që kanë ndodhur para 50-60 vitesh i kujton mjaft mirë. Sul Maliqati tregon midis të tjerash për pasionin e madh që ekzistonte në atë kohë tek futbollistët, pasion të cilin ai për fat të keq nuk e sheh tek brezi aktual. “në një ndeshje me Besën e Kavajës kam lajtur vetëm me një kurabie 4 lekëshe, asgjë tjetër. Të tilla ishin kushtet atëherë, dhe as nuk bëhej fjalë që pas ndeshjes të laheshim në dushe”, kujton Sul Maliqati me nostalgji. Maliqati është ndoshta i vetmi portier që nuk ka përdorur asnjëherë dorezat në fushën e lojës, gjë që në kohët e sotme as që mund të imagjinohet. Sul Maliqati e dashuron futbollin, ai asnjëherë nuk ka munguar në stadiumin “Niko Dovana”  të qytetit të Durrësit për të ndjekur ndeshjet e Teutës. Në një turne që u zhvillua në Gjermaninë Lindore, Sul Maliqati bëhet i pakalueshëm nga sulmuesit e skudrave të famshme dhe për këtë shtypi i kohës e  krahasonte me një mace që nuk lë top të kalojë në rrjetë. Sul Maliqati ka fituar pothuajse të gjithë titujt për aktivitetin e tij në fushën e sportit.

Si kanë qenë fillimet tuaja si futbollist dhe ku u aktivizuat ?

Fillimisht kam luajtur me Besën në vitin 1947. Unë dhe mjaft djem të rinjë në atë kohë ndiqnim stërvitjet dhe ndeshjet e Besës dhe kisha qejf të luaja. Kështu pak nga pak fillova të luaj me skuadrën e Bashkimeve Profesionale, e cila ishte e klasifikuar në një grup ose kategori ku bënte pjesë edhe skuadra e Shiijakut, Lushnjes, Durresit, Peqinit etj. Duke luajtor me këto skuadra, më panë tek Besa dhe më thirrën të shkoja atje. Në atë kohë kisha fizik të dobët, isha i imët dhe i gjatë. Ka qenë fundi i vitit 1947 dhe fillova të aktivizohesha rregullisht tek Besa. Në atë kohë ajo kishte lojtarë të mirë si Demir Karriqin, Shyqyri Nerjakun, Dem Maliqatin, Maliq Carën etj. Ishte skuadër që luftonte me dëshirë për të fituar. Tek Besa luajta tre vjet si portier dhe në 1949 shkova tek kombëtarja si portier i dytë. U grumbullova em kombëtaren kur isha 19 vjec dhe një vit më vonë, në 150 u bë një turne miqësor futbolli me pjesëmarrjen e katër skudrave, Shqipërisë, Hungarisë, Rumanisë dhe Çekisë. Ky ishte turneu i parë për mua dhe në fakt ka qenë turneu më fatkeq për futbollin shqiptar.

Përse e cilësoni në këtë mënyrë, çfarë ka ndodhur në atë turne?

Sepse në këtë turne skuadra jonë pësoi 21 gola dhe shënoi vetëm 2 në tre ndeshje. Skuadra jonë kombetare kishte 6 muaj që stërvitej për këtë turne në Pogradec. Ajo përbëhej nga Pal Mirashi, Vasil Biçaku, Loro Boriçi, Qamil Teliti, Tish Parapani, Bule Vathi, Bari Kavaja, Sllave Llambi, Muhamet Dibra, Rexhep Spahiu, Qemal Vogli, unë dhe më pas rezervat. Trainer kishim Bik Jakovën. Erdhi koha që të niseshim për në Hungari dhe sapo shkuam në portin e Durrësit, Vasil Biçaku, Qamil Teliti dhe Pal Mirashi nuk u lejuan të niseshin. Po kështu gjatë rrugës që udhëtonim me një vapor, Mehmet Dibra u dëmtua nga fucitë e ziftit që kishet ngarkuar vapori, ndërsa Bule Vathi dhe Bari Kavaja,  arratisën pa mbërritur në Hungari. Pra skuadrës tonë i ikën 6 lojtarë të formacionit kryesor dhe ne po shkonim të ndesheshim me Hungarinë që ishte në kulmin e formës së saj dhe që para pak kohësh kishte mundur Anglinë në fushën e vet 5-1 dhe Italinë në Romë 6-1. Gjatë stërvitjes kishim qenë të gjithë bashkë dhe kishim ndërtuar skemat e lojës. Lojtarët që ikën, u zëvendësuan, por pa rezultat. Ne nuk ksihim mundësi tëmbërrinim në kohë, sepse nuk kishim avion dhe madje u diskutua që ndeshja që Hungaria do të bënte  me ne, të zëvendësohej me Austrinë, por ndërhyri Rakoshi (sekretar partie) dhe u zhvillua ndeshja. Duka pasur parasysh mungesat, ne luajtëm kudër Hungarisë me lojtarë shumë të rinj, shumica 19 vjecarë. Në sulm kishim Rrem Karanxhin dhe Skënder Jarecin. Ndeshja përfundoi 12 me zero dhe 8 gola i pësoi pjesën e parë Qemal Vogli, 4 unë në pjesën e dytë. Në fakt ka qenë formacioni më i famshëm hungarez, i cili do të ishte nënkampion bote pas katër vitesh me Groçiç, Buzanski, Lantosh, Lorenc, Bozhiç, Koçiç, Cibor, Pushkash, Idekut, Poletash dhe Budaj. 20 minutat e para ekipi ynë luajti shumë mirë dhe ne goditëm dy shtylla me Zihniun dhe Loro Boriçin. Në këtë kohë unë isha në stol dhe shihja tifozët që fërshëllenin vazhdimisht. Stadiumi ishte plot e përplot. Seria e golave të hungarezëve u hap nga Pushkash nga 22 m larg dhe më pas shënuan edhe shumë të tjerë. Nga ky sulm i furishëm, Loro Borici u detyrua të kthehej në qendërmbrojtës. Kjo bëri që pas ndeshjes, gazetat të shkruanin se “Hungaria në rast se do të kishte edhe Loro Boricin, do të munde të gjithë botën”. Më pas humbëm edhe me Çekinë dhe Rumaninë dhe kur u kthyem në Shqipëri, shteti mori masë disiplinore duke na dënuar me 5 vjet që të mos luanim jashtë me kombëtaren.

Çfarë ndodhi më vonë, ku u aktivizuat ?

Që nga koha që u futa në kombëtare, isha edhe portier i parë tek Partizani për 15 vjet rresht dhe kam ndërruar katër breza lojtarësh në këtë skuadër, madje edhe brezin që fitoi Ballkaniadën në 1953, iku dhe brezi i ’50 kur erdhi Refik Resmja, më pas Panajot Pano, të cilët që të dy fillimisht kanë qenë portierë. Në vitet 50-53 ishte Dinamo kampione e vendit, por në 1954 del Partizani në kohën që e mori Myslim Alla duke u shpallur kampion për shumë vite rresht. Me kombëtaren kam qenë rezervë deri në 1956, kohë në të cilën Qemal Vogli u arratis në Gjermani. Kur u kthye në Shqipëri me dëshirën e vet, ai u dënua me 15 vjet burg, por 10 vjet ia hoqën. Në vitin 1956 ne u nisëm për një turne në Bashkimin Sovjetik dhe aty arritëm rezultate të mira.

Si u krijua epiteti macja e zezë për ju ?

Ka qenë turneu i Ushtrive Popullore në 1958 dhe zhvillohej në Gjermaninë Lindore me pjesëmarrjen e skuadrave nga vendet komuniste si Kina, Vietnami, Korea, Bullgaria, Rumania, Hungaria, Polonia, Çekia, Bashkimi Sovjetik dhe RDGJ-ja. Ne i fituam pa përjashtim të gjitha ndeshjet në grup dhe ato me eleminim më pas. Mundëm Vietnamin 2-0, Rumaninë 1-0, Kinën 2-0, Cekinë 1-0, Hungarinë 1-0, RDGJ 2-0, BS 1-0 dhe në finale do ndesheshim me Bullgarinë. Ajo ka qenë ndeshje e fortë dhe 7 min para përfundimit Niko Bespalla humbet në rast të pastër i vetëm para portës. Aps 5 minutash, kur duheshin edhe 2 min që të përfundonte loja, mbrojtësi i famshëm bullgar Rakorovi, çan mbrojtjen dhe shënon golin e vetëm që kam pësuar në atë turne. Gjatë gjithë atyre ndeshjeve unë u cilësova nga gazetat e shumë vendeve pjesëmarrëse si “macja e zezë” për shkak edhe të uniformës që mbaja, mbathje dhe fanelë e zezë.

Ju nuk keni përdorur asnjëherë doreza në portë. Ka qenë e vështirë ?

Për mua jo. Në kohën që luaja unë nuk kishte doreza dhe ato dolën më vonë. Disa portierë filluan ti përdorin, kurse unë jo. Nuk i doja, sepse nuk kishin ndjeshëmri duart dhe gishtat. Edhe kur mi sillnin, unë nuk i vishja. Gishtat e mi tashmë janë deformuar, por ata kanë prekur miliona topa futbolli. Në çdo stërvitje unë nuk dilja pa 2000-3000 prekje të topit me duar. Kushtet i kishim të këqija, nuk kishim fare dushe. Mbaj mend se kur mbaronte ndeshja, shkonim e laheshim tek mulliri i Lushes. Atje kishte një tub që nxirrte ujë të ngrohtë kur punonte mulliri.

Cila ka qenë ndeshja më e bukur për ju ?

Ka qenë një ndeshje që Vllaznia ka luajtur kundër Drozhe të Budapestit në 54 ose 55 dhe unë isha në portën e Vllaznisë. Kjo skuadër ishte shumë  e fortë, kombëtaren tonë e kishte mundur dy herë 3-0 dhe 4-0, megjithëse në portë ishte Qemal Vogli, portier shumë i mirë. Në këtë ndeshje pati sulme të fuqishme nga hungarezët, megjithatë ndeshja përfundoi 0-0. Në portë më kanë ardhur mijëra topa dhe ia dola të mos lejoj të shënohet gol. Në fund të ndeshjes në fushë hynë tifozët shkodranë dhe më morën në krahë nga fusha deri tek Kafja e Madhe. Ka pasur sulmues mjaft të rrezikshëm që ishin mjaft problem kur i afroheshin portës, Pushkash, Masapustika, por edhe Refik Resmja ishte mjaft i rrezikshëm nga goditjet standarte. Ato vite kanë qenë të paharruara. Punohej shumë nga të gjithë. Dua të them se në kampionatin më të keq timin, kam pësuar maksimumi 7 gola, madje ka pasur edhe kampionat që kam pësuar vetëm një gol nga fillimi deri në fund, edhe këtë me penallti. Kampionatet tona ishin mjaft të vshtira, megjithëse rreth 8 skuadra serioze kanë qenë në ato vite.

Me se u morët pasi e latë futbollin ?

Deri në 1965 kam luajtur me Partizanin dhe kombëtaren njëkohësisht. Më pas më caktuan kapter tek kavalishenca e ushtrisë, por nuk pranva. Pas kësaj më propozuan mësues dhe trainer në Shijak dhe aty ndenja 9 vjet deri në 1974. Kam marrë ekipin e Erzenit dhe e nxorëm në kategorinë e parë në 1965. në 1973 Ilia Reka më thoshte se “nuk kemi mundësi të mbajmë gjithë këtë skuadër dhe këta lojtarë, prandaj hiq dorë dhe mos qëndro më”. Më detyruan në një farë mënyre që të ikja. Me këtë skuadër kanë dalë lojtarë mjaft të mirë si Gim Murati dhe Kristaq Toçi. Në 1973 erdha trainer i të rinjve tek Lokomotiva deri në 1976 dhe më pas në klasën sportive. Në këto vite unë evidentova lojtarët që më pas u bënë të njohur si vëllezërit Manushi, Kel Furxhiu, Gim Çela, Haxhi Ballgjini etj.

Çfarë duhet të kenë parasysh portierët e sotëm ?

Unë shoh shumë ndeshje futbolli dhe zakonisht ndjek më shumë portierët. Unë personalisht kam ndjekur me kujdes portierët e huaj të famshëm rusë, si Jashini dhe nga ata kam marrë dhe kopjuar shumë gjëra që nuk i kam ditur. Kishim edhe problemet tona që sëtrvitjet nuk na i bënin njerëz që dinin dhe merrnin vesh nga teknikat e reja. Në 1950 unë dhe Qemal Vogli mësuam nga Groçiçi i Hungarisë se si të hidheshim tek këmbët e sulmuesit. Na u desh 5 muaj kohë që të mësonim sistemin dubël V. Sot shoh tek shumë portierë që derdhin shumë pak djersë në stërvitje. Shoh edhe të tjerë që nuk dinë të bëjnë ndërrimin e këmbëve, disa të tjerë që ulin duart deri afër gjunjëve dhe nuk arrijnë ti ngrejnë ato lart në 1/10 e sekondës. Ka edhe nga ata që nuk dinë të bëjnë lëvizjet se si duhet të qëndrojnë në portë. Ne prisnim 2000-3000 topa në çdo stërvitje. Kush nuk i di këto gjëra, le të vijë tek unë. Pas stërvitjes  ne luanim basketboll, volejboll edhe pingpong. Unë personalisht pas cdo stërvitje mbaja Mico Papadhopulin, Refik Resmjen dhe Panajot Panon të cilët më gjuanin në portë. Një portier vetëm një gabim mund të bëjë brenda një kampionati, një portier që nuk komandon mbrojtjen, nuk është portier. Por futbolli do sakrificë të madhe në rast se do të bëhesh dikushi. Duhet sakrificë e madhe edhe nga familja dhe sidomos nga gruaja. Unë jam martuar një të dielë, në fillim luajta kundër Tiranës në 1954 dhe me fashë në kokë, sepse u çava, vajta tek nusja.

Sulejman Maliqati: Ja si ja mësuam himnin kombëtar danezëve

Legjenda e futbollit shqiptar Sulejman Maliqati, portieri i famshëm të cilit gjermanët në kohën kur luante me kombëtaren shqiptare e etiketuan “macja e zezë” rrëfen një histori mjaft interesante për ndeshjen Shqipëri Danimarkë të 1963 ku Shqipëria u mund 4-1 në Danimarkë dhe në ndeshjen e kthimit në Shqipëri fitoi 1-0 gjë që ishte një fitore historike me golin e shënuar nga Panajot Pano. Maliqati tregon me buzëqeshje dhe me një lloj krenarie sesi ai kapiteni i kombëtares shqiptare në 29 qershor 1963 kur luanin në Danimarkë përballë kombnëtares daneze i mësoi himnin kombëtar shqiptar drejtuesit të bandës muzikore i cili ndodhej në vështirësi të madhe. Ja si tregon këtë ngjarje i mirënjohuri Sul Maliqati: “Luanim në Danimarkë në vitin 1963 në një ndeshje zyrtare për eliminatorët e evropianit përballë Danimarkës. Të them të drejtën në atë ekip unë isha kapiten dhe të gjithë në ekip ishim tepër të përqëndruar sepse edhe niveli ynë në atë kohë ishte mjaft i mirë dhe në përbërje të ekipit tonë kombëtar përvec meje në portë ishin Frashëri, Kasmi, Vorfi, Bushati, Bukoviku, Pano etj. Mbaj mend që vetëm 25 apo 30 minuta përpara fillimit të takimit kur ne nodheshim në dhomat e zhveshjes vjen aty një danez me një uniformë shumë të bukur që dukej si ushtarak nga larg por kur u afrua kuptuam që ishte drejtuesi i bandës muzikore e cila do të ekzekutonte përpara fillimit të ndeshjes himnet e dy vendeve të Shqipërisë dhe Danimarkës. Ai afrohet në dhomën tonë të zhveshjes dhe na drejtohet ne me disa fjalë në gjuhën e tij që nuk i kuptonim. Përkthyes nuk kishim dhe kështu që ata të sigurimit që nuk na ndaheshin në asnjë ndeshje jashtë vendit duke kujtuar se ai kërkonte të komunikonte me ne i treguan me shenja të dilte jashtë sepse nuk pranonim të komunikonim dhe kështu e nxorën jashtë danezin. Por ky dirigjent i bandës i ndodhur në hall të madh troket sërish në derë dhe tenton të hyjë brenda duke folur dhe dukej që kërkonte dicka por përsëri përfaqësuesit e organeve shtetërore që në fakt ishin të sigurimit e nxjerrin jashtë. Madje situata u bë fare komike kur ata të lemerisur na thonin se cfarë do ky danez tek ne dhe mos është ndonjë spiun, fjalë të cilat ne na bënin për të qeshur por sigurisht qeshnim me vete dhe jo hapur. Gjithsesi situata ishte fare qesharake vetëm disa minuta përpara fillimit të takimit ku në vend që të bënim qyfyre duhej të ishim të përqëndruar. Trajneri Loro Boriçi u zu ngushtë e nuk dinte si të vepronte. Ai po bisedonte me drejtuesit duke thënë se ndoshta duhej dëgjuar se cfarë kërkonte ky danez. Megjithatë vetë dirigjenti i bandës muzikore erdhi për herë të tretë brenda dhe me fjalë e me gjeste u mundua të shpjegonte se si e kishte problemin. Atëherë kuptova i ndihmuar edhe nga intuita se ai kërkonte melodinë e himnit. U thashë drejtuesve dhe shokëve atë që kërkonte danezi dhe duke ja bërë edhe atij me shenja të gjithë arritën më në fund të kuptonin se ai si drejtues i bandës muzikore nuk e kishte himnin shqiptar dhe se ndeshja nuk mund të fillonte pa u ekzekutuar himnet e të dy vendeve. Tashmë që zgjidhëm problemin e parë dhe sqaruam atë që donte danezi problem mbetej se cili nga ne merrte vesh nga muzika për ti treguar melodinë dhe duke qenë se isha edhe kapiten mora përsipër ta bëja vetë këtë gjë dhe ti tregoja himnin danezit. Dola bashkë me të nga dhomat e zhveshjes dhe shkuam në drejtim të bandës muzikore e cila ndodhej në afërsi ta hyrjes për në fushë. Të them të drejtën në fillim u shtanga e më pas u skuqa dhe u emocionova pasi në bandë kishte edhe disa vajza që ishin veshur me minifunde dhe unë ishte hera e parë që shihja vajza kaq “të zhveshura” e madje kjo më bllokoi disi në fillim por e mora veten dhe mora pamje serioze në ato momente pasi përfaqësoja një komb të tërë në sytë e danezëve. Shkova tek një anëtar i bandës që mbante dy kapakët metalikë që bëjnë atë zhurmën e famshme në bandë dhe që mbajnë ritmin. Fillova ta këndoj himnin me zë të lartë dhe në pjesët ritmike të refrenit përplasja dy kapakët metalikë të bateristit. Vura re që gjatë gjithë kësaj kohe jo vetëm dirigjenti i bandës por e gjithë banda po më dëgjonte me kureshtje dhe nuk buzëqeshnin aspak përkundrazi qëndronin seriozë ndërkohë që unë në fillim mendoja se ata do të talleshin me mua pasi nuk është se isha muzikant. Megjithatë jam i bindur që hymnin shqiptar në atë kohë e këndova mjaft mirë dhe i rashë më pas edhe daulles për ta bërë më të qartë ritmin. Danezi që drejtonte bandën e kuptoi menjëherë vijën melodike dhe më ma bëri me shenjë për të pyetur sa herë përsëritej refreni dhe pasi e mori edhe këtë përgjigje bëri një provë të menjëhershme me bandën në praninë time. U habita sa shpejt që e kuptuan duke qenë se sic e thashë unë isha sportist e jo muzikant. Nga mënyra si ata ekzekutuan dukej sikur i kishin përpara notat e himnit. Më pas drejtuesi i bandës më pyeti nëse kishin qenë në rregull dhe pasi unë ja bëra me shenjë se ishin shumë mirë ai mu hodh në qafë tepër i gëzuar sikur ta kisha shpëtuar nga ndonjë problem i jashtëzakonshëm. Natyrisht ky përqafim u prit me shtrembërime fytyrash nga shoqëruesit tanë, që ishin sigurimsa, por tashmë donte edhe 10 minuta të fillonte ndeshja kështu që askush nuk e mori mundimin të më bënte moral politik.” Pas këtij episodi Maliqati rrëfen disa nga emocionet e kësaj ndeshjeje që përfundoi me fitoren e Danimarkës me rezultatin 4-1: “Ajo ishte një ndeshje shumë e bukur dhe e fortë por për fat të keq gjyqtarët i kishim kundër. Të parët që shënuam ishim ne me 11 metërsh që e realizoi Frashëri dhe e pamë veten në avantazh por më pas gjyqtari i jep 11 metërsh edhe danezëve. Unë arrita ta pres herën e parë por gjyqtari bëri shenjë të përsëritej dhe unë e prita prapë dhe prapë u përsërit gjersa ata shënuan. Natyrisht ne ishim një vend i vogël dhe gjyqtarët mbajtën Danimarkën në atë ndeshje dhe danezët fituan e kështu ne vërtet humbëm në Danimarkë por dolëm me kokën lart sepse luajtëm mirë por njëkohësisht edhe me krenari sepse i mësuam atyre himnin tonë të flamurit. Madje gjatë ndeshjes kur kishte ndërprerje loje drejtuesi i bandës luante ndonjë ritëm 5 sekondësh për të më përshëndetur dhe ma bënte me dorë ndërsa në fund më shtrëngoi dorën dhe më uroi për lojën që bëmë.”

 

 

Maliqati_macja_e zeze
Vllaznia_dozha_e_budapestit
Sul Maliqati me mjeshtrat e medhenj te sportit Petrit Murzaku dhe Mirban Kadiu
sulejman maliqati me qemal voglin
Na bëni like në facebook!: 
Total votes: 11