Banka e Shqipërisë bleu 11.5 mln euro të hënën, por rënia e monedhës europiane vazhdon

22/06/2021 - 09:39

As ankandet e Bankës së Shqipërisë për blerjen e euros nuk e kanë frenuar nënçmimin e monedhës europiane. Të hënën banka qendrore organizoi ankandin e gjashtë për blerje valute të parashikuar në kalendarin e këtij viti. Në total, në ankand u blenë 11.5 milionë euro.

Shuma e parashikuar për t’u blerë në raundin e parë të ankandit ishte mes 4 dhe 6 milionë eurove dhe Banka e Shqipërisë bleu shumën maksimale të programuar, 6 milionë euro. Blerjet në raundin e parë u realizuan me një kurs që ishte mes 122.69 dhe 122.78 Lekëve, me një kurs mesatar të ponderuar prej 122.74 lekësh. Banka e Shqipërisë ushtroi edhe opsionin e blerjes në një raund të dytë, për 5.5 milionë Euro të tjera. Blerjet në raundin e dytë u bënë me një kurs prej 122.74 Lekësh.

Ky ishte ankandi i dytë për këtë muaj, pas atij që ishte zhvilluar më datë 7 qershor, kur Banka e Shqipërisë pati blerë edhe 6.4 milionë euro të tjera. Në raundin e parë të ankandit, Banka e Shqipërisë vendosi të blejë një shumë prej 4.7 milionë eurosh, me një kurs që ishte mes 123.14 dhe 123.2 Lekëve. Veç 4.7 milionë eurove në raundin e parë, Banka e Shqipërisë ushtroi edhe opsionin e blerjes në një raund të dytë, për 1.7 milionë Euro të tjera. Blerjet në raundin e dytë u bënë me një kurs prej 123.18 Lekësh.

Pavarësisht kërkesës së shtuar nga Banka e Shqipërisë, me gati 18 milionë euro të blera në dy javë, nënçmimi i euros në tregun e brendshëm valutor po vijon. Euro u nisi këtë javë me rënie të mëtejshme dhe u këmbye me 122.62 lekë, duke shënuar një rekord të ri për periudhën pas pandemisë. Ky është niveli më i ulët i kursit të euros i shënuar që nga fundi i muajit shkurt 2020.

Blerjet e valutës nga Banka e Shqipërisë bëhen në funksion të menaxhimit të rezervës valutore dhe nuk kanë për qëllim të ndikojnë kursin e këmbimit valutor. Megjithatë, duke patur parasysh përmasat e vogla të tregut shqiptar mund të pritej që këto blerje të jepnin një ndikim të kufizuar dhe afatshkurtër në normat ditore të këmbimit mes lekut dhe euros. Por, një e gjë e tillë nuk ka ndodhur. Megjithëse me rregulloren e re, që ka hyrë në fuqi këtë vit, Banka e Shqipërisë mund të ftojë në ankande edhe zyrat e këmbimit valutor, përgjithësisht blerjet e valutës bëhen nga bankat tregtare, që zotërojnë edhe volume më të mëdha të valutës në treg. Sipas ekspertëve, pjesëmarrjet në ankande janë operacione që bankat i planifikojnë dhe shumat e kërkuara, me sa duket, nuk janë të tilla për të ushtruar presione mbiçmuese në kursin e euros ndaj lekut. Operatorët shprehen se tregu ka ofertë të bollshme të euros, ndërsa pritshmëritë e agjentëve ngelen në krahun rënës.

Leku ka nisur një cikël të lehtë mbiçmimi ndaj euros qysh në muajin mars, por me ardhjen e verës ky mbiçmim po ecën me hapa më të shpejtë. Ekspertët e shpjegojnë këtë forcim të lekut kryesisht me faktorin sezonal. Sezoni veror sjell një rritje të ofertës valutore në treg, kryesisht të lidhur me turizmin. Zbutja e kufizimeve të lidhura me pandeminë këtë vit ka rritur pritshmëritë për një sezon turistik më të mirë se ai i vitit të kaluar. Kjo pritet të japë ndikimet e veta edhe në kursin e këmbimit valutor, ku operatorët e tregut presin një nënçmim të mëtejshëm të euros. /Monitor

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Gjatë një konference, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sjeko, thotë se gjatë muajit prill dhe maj të këtij viti inflacioni pësoi

Ndryshimet emergjente në buxhetin e shtetit 2021 që qeveria i bëri me akt normativ, në thyerje të Ligjit Organik të Buxhetit, shkurtojnë

Procesi i fiskalizimit synon vërtetimin e transaksioneve nëpërmjet lëshimit të faturave elektronike sipas sistemit të ri.

Nga 1 korriku ka nisur faza e dytë e procesit të fiskalizimit, për transaksionet pa para në dorë ndërmjet tatimpaguesve, ku pritet të për

Depozitat e reja në euro në sektorin bankar janë në nivelin më të lartë të të paktën gjashtë viteve të fundit.

Konsumi i popullatës shfaqi dobësi në tremujorin e parë të vitit 2021 edhe pse vendi po kalonte valën e dytë të pandemisë, pa masa kufizu

INSTAT ka publikuar të dhënat e tremujorit të parë të 2021-shit, ku ekonomia është rritur me 5.5% në krahasim me një vit më parë, ku vend

U bënë shumë vite që flitet për nivelin e lartë të informalitetit në vendin tonë.

Qeveria shqiptare mori një vendim të befasishëm në shkelje të rregullave fiskale dhe Ligjit Organik të Buxhetit, duke e zgjeruar deficiti

Kriza e shkaktuar nga shpërthimi dhe përhapja Covid-19 rrënoi një pjesë të madhe të ekonomisë në Ballkanin Perëndimor më 2020.