8 Marsi – Festa e gruas dhe përmbysja e stereotipeve

08/03/2021 - 11:39

Nga Gladiola Jorbus

8 Marsi - një ditë që vazhdon të tregojë, se gratë ende nuk i gëzojnë të gjitha të drejtat e tyre.

Ndonëse e vërtetë që pabarazia gjinore ka pësuar përmirësime, sërish mbetet i pamohueshëm fakti që zonjat janë subjekt i diskriminimit, i paragjykimit apo i dhunës për faktin e thjeshtë të të qenit gra. Pritshmëritë për gruan kanë qenë të kufizuara në të qenit shtëpiake dhe nënë. Ajo duhet t'i bindej fillimish të atit, e më pas të kalonte nën tutelën e të shoqit. Ky është stereotipi më i njohur.

Në familje, të drejtat e grave dhe të vajzave mund të përmbushen, por edhe të shkelen. Familja mund të jetë oazi i shprehjes së dashurisë dhe përkujdesjes, ose të shndërrohet në burgun ku shkelen të drejtat e grave, ku zëri i tyre meket dhe mbizotëron dhuna e pabarazia.

 Dita ndërkombëtare e gruas është çasti i duhur për të reflektuar mbi arritjet e kryera, për të kërkuar më shumë ndryshime, për të pretenduar më shumë nga vetja, për të nxjerrë në pah guximin dhe vendosmërinë e grave të zakonshme, që kanë luajtur një rol kryesor në komunitetet e tyre.

Edhe pse teknologjia në botë ka përparuar duke synuar majat, (të mendosh që para një gjysmëshekulli kemi prekur Hënën), asnjë vend nuk ka arritur tërësisht barazinë gjinore.

Ende ka kufizime ligjore, që parandalojnë miliona gra në botë që të kenë të njëjtën mundësi si burrat. Në vitin 2019, më pak se 25% e parlamentareve ishin gra. Ndërkohë në botë një në tri gra përjeton dhunë gjinore.

Pjesëmarrja e barabartë e grave në jetën politike dhe publike është thelbësore, ama të dhënat tregojnë se gratë janë të nënpërfaqësuara në të gjitha nivelet e vendimmarrjes kudo në botë, kurse arritja e barazisë gjinore në jetën politike duket një ëndërr e largët.

‘Atlasi i Grave’, një libër luftarak i shkruar nga feministja Joni Seager, tregon në më shumë se 200 infografi se si jetojnë (ose detyrohen të jetojnë) gratë në botë. Seager ka kryer një rishikim feminist të botës, përmes një lenteje që ilustron se si gratë jetojnë në kontinente dhe kultura të ndryshme. Bëhet fjalë për një analizë gjithpërfshirëse, koherente dhe të përditësuar të profilit të gruas sot, arritjet kryesore dhe rrugën që i mbetet të përshkojë akoma.

Pavarësisht se një numër i konsiderueshëm zonjash gëzojnë tituj shkencorë, shënojnë suksese profesionale dhe kontribuojnë për një botë më të mirë, ekziston edhe ana tjetër e medaljes: 520 milion gra nuk mund të lexojnë; 47% e vajzave indiane martohen para 18- vjetorit të lindjes; një grua vritet nga partneri i saj çdo tri ditë në Francë dhe çdo 30 orë në Argjentinë.

Përsa i përket pagesës, duhet theksuar se gratë fitojnë më pak se burrat, pavarësisht se mbulojnë të njëjtat pozicione apo mbajnë të njëjtën përgjegjësi si ata. Përveç kësaj, më pak se një e treta e pozicioneve drejtuese përmbushet nga gratë, duke iu referuar të dhënave të Kombeve të Bashkuara.

Gjithsesi, pabarazia gjinore mbetet një problem që prek gratë anembanë botës në aspekte të ndryshme të jetës: në shtëpi, në shkollë, në punë, në rrugë. Të dhënat që vijnë nga Kombet e Bashkuara tregojnë se pabarazia gjinore ka lëshuar rrënjë në të gjitha kontinentet, por në rajonet më pak të zhvilluara e më të varfra, vajzat dhe gratë janë më të prekshme.

Duke pasur parasysh mungesën e burimeve, familjet u japin përparësi arsimimit të djemve, ndërsa vajzat i mbajnë në shtëpi për t'u kujdesur për familjen. Në të gjithë botën, rreth 120 milion fëmijë dhe adoleshentë nuk shkojnë në shkollë: më shumë se gjysma e tyre janë vajza. Dihet që mungesa e arsimit, redukton ndjeshëm mundësitë për të pasur një të ardhme më të mirë. Paramendohet që përreth vitit 2030, djemtë dhe vajzat do të mund të kenë, të njëjtën qasje në arsimim.

Nëse vajzat dhe gratë do të gëzonin të njëjtat shanse si burrat, ekonomia globale do të rritej dhe do të minimizoheshin konfliktet shoqërore. Sidoqoftë, probleme të tilla si dhuna me bazë gjinore, martesa e vajzave të mitura ose abuzimi seksual ndodhin, pasi në botë vazhdon të ekzistojë perceptimi i gabuar se gratë janë qenie më të brishta dhe nuk meritojnë të njëjtin respekt si burrat.

 Aktualisht ligjet ndërkombëtare i njohin gratë si të barabarta me burrat, por në praktikë, këto ligje nuk zbatohen gjithmonë.

Gratë shpesh i nënshtrohen abuzimit, diskriminimit dhe shkeljes së të drejtave të tyre, për të njëjtin motiv si shekuj më parë, thjesht sepse janë gra.

Po risjell në vëmendje se në epokën e artë të teatrit elizabetian, kur spikati dramaturgu më i famshëm në planet Uilliam Shekspir, gratë nuk lejoheshin të ngjiteshin në skenë. Në veprat e tij, ato gëzonin më pak liri sesa homologët meshkuj, madje rolet më të mirënjohura femërore si Desdemona, Ledi Makbeth apo Xhulieta, janë performuar nga burra. Tradita e meshkujve që mishërojnë rolet e femrave në skenë rrjedh nga teatri i grekëve të lashtë. Ndër motivet kryesore për zhvillimin e kësaj tradite, ishte perceptimi për rolin e gruas në shoqëri. Gratë, jo vetëm që konsideroheshin inferiore ndaj burrave, por quheshin e trajtoheshin si pronë e tyre: nga baballarët, të cilët vendosnin për të ardhmen dhe martesën e vajzës, kalonin tek burrat, të cilëve gratë duhet t'u shërbenin e t'u bindeshin.

Një perifrazim i kësaj mendësie është fraza që shkroi lideri protestant John Knox: "Gruaja në përsosmërinë e saj më të madhe u krijua që t'i shërbejë dhe t'i bindet burrit". Kisha e mbështeti këtë besim dhe garantoi vazhdimësinë e këtij parimi.

Mosbindja e grave ndaj anëtarëve meshkuj të familjes konsiderohej si krim. Ato ndëshkoheshin ashpër, deri në rrahje, pra dhunë fizike. Vajzat nuk kishin të drejtë të trashëgonin titujt e etërve të tyre. Gjithçka u trashëgohej vetëm meshkujve të familjes.  

Edhe gratë e lashta greke, si shumë gra në Anglinë elizabetiane të Shekspirit, nuk kishin të drejtë vote, nuk zotëronin pronë dhe qëndronin në shtëpi duke rritur fëmijët. Në Biblën e shenjtë, Eva simbolizon tipare negative të cilat iu atribuan grave, aq sa historia e saj u përdor për të justifikuar ndëshkimin ndaj tyre, gjatë rrjedhës së historisë së njerëzimit.

Ndaj Dita Ndërkombëtare e Gruas përkujtohet si një ditë e rëndësishme për të evidentuar pozitën e gruas në shoqëri, për të përmbysur stereotipet, për të rritur ndërgjegjësimin mbi pabarazinë gjinore, për të transformuar realitetin ku jetojmë dhe për të promovuar një shoqëri të drejtë dhe të barabartë.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: