Basha mund të bashkëpunojë me Ramën vetëm jashtë politikës!

15/04/2021 - 14:07

Nga Andi Bushati

Edi Rama e ka shqiptuar në vetë të parë atë që e thonë nëpër studio televizive njerëzit pranë tij, pra se ai është i gatshëm të bashkëpunojë me Bashën pas 25 prillit. 

Nuk ka dyshim se kjo ofertë që bëhet në emër të kurimit të dasive 30 vjeçare, është një taktikë e vogël mashtruese.

Me anë të saj kryeministri kërkon makiavelikisht të krijojë idenë se nuk ka ndonjë ndryshim të madh mes tij dhe konkurentit kryesor politik. Në anën tjetër ai e përdor atë, ashtu si në zgjedhjet e katër viteve më parë, kur arriti të krijojë përshtypjen e një koalicioni të mundshëm mes dy partive të mëdha, gjë që i shtyu shumë votues të djathtë të bojkotonin procesin. Ndërsa pjesa më meskine e kësaj oferte është shantazhi fëmijënor për të përçarë opozitën, sipas një modeli ku Rama vendos se kush janë të mirët dhe kush të këqinjtë brenda saj.

Natyrisht cilido që e ka ndjekur trajektoren e Edi Ramës në politikë nuk e ka të vështirë të kuptojë se ai është i paaftë të ndajë pushtet. Që, në shekullin e kaluar, kur mori në dorë bashkinë, ai i përjashtoi socialistët nga vendimmarrja, për të kontrolluar lejet e ndërtimit vetëm me klanin e tij. Të njëjtën gjë bëri më pas me PS, nga e cila eleminoi gjithë figurat tradicionale dhe zhduku gjithë kritikët

Edhe pasi mori pushtetin me ndihmën e aleatëve, mezi priti katër vite për të kërkuar tepsinë i vetëm. Ai u tregua i gatshëm të bënte marrveshje me Avdylajt dhe çamët e Dibrës vetëm për të fituar pa koalicione.

Pra, çdo njeri me mend në kokë e ka të qartë se oferta dashamirëse e Edi Ramës për bashkëqeverisje është një spekullim. 

Po le të ndalemi për një moment dhe ta marim këtë hipotezë seriozisht. Le të supozojmë për një çast se tekat zgjedhore nuk do ti lënë asnjë partie mundësinë e krijimit të qeverisë. Le të imagjinojmë se vendi do të gjendej përballë dilemës, ose një koalicion i madh, ose përsëri zgjedhje.

Sërish, në këtë rast oferta e Ramës do të qe e pamundur të realizohej. Edhe nëse numrat i impononin bashkëqeverisje, PD nuk mund të jepte kurrë votat e saj për të ribërë kryeministër dikë që shqiptarët nuk e kishin votuar si të tillë. Qëndrimi i PD mund të qe: pranimi i një koalicioni, po pa Edi Ramën kryeministër. Pra edhe nëse do të mund ta pranonte herezinë e bashkëpunimit me rilindjen, opozita do të ishte e dënuar për të kërkuar largimin nga froni të njeriut që e ka vizatuar si baronin e kimit, drogës dhe korrupsionit. Nëse nuk do donte të shkrihej apo të shkërmoqej, PD nuk mund të përkulej para pushtetit të Ramës. 

Por, një formulë e tillë as që do i interesonte një njeriu që e do pushtetin vetëm për vete. Ai do e refuzonte atë. Kjo kuptohet, që tani, kur Rama flet për veten dhe jo për PS-në. Ai fton personalisht Bashën për bashkëpunim dhe jo përtinë që ai përfaqëson. Qëllimi i tij është një dhe i vetëm, të mbetet në zyrën me flutura.

Nga ana tjetër, nëse opozita e bashkuar nuk arrin ti fitojë zgjedhjet ndaj Ramës (e këtu përfshij edhe manipulimet monstruoze që po përgatiten), Lulzim Basha nuk do ta kishte fuqinë ta përfaqësonte i vetëm atë. Ai më shumë do të duhej të mendonte për dorëheqjen personale, sesa për krijimin e një qeverie koalicioni.

Prandaj, ftesa që bën Rama edhe sikur të qe e sinqertë, është praktikisht e pamundur. Edi dhe Luli mund të bashkëpunojnë një ditë, por vetëm pasi të kenë dalë nga politika. Askush nga të dy nuk e ka luksin të bëhet shtojcë e tjetrit pas 25 prillit. /Lapsi

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: