Durrësi si Dubai, po dridhet edhe Torra!

26/03/2021 - 19:23

Nga Artan Fuga

Dëgjova që porti i Durrësit kanë projekt ta kthejnë më të madhin në Mesdhe. Investime nga ata që kanë bërë gjërat më të mëdha të kësaj bote. Si porti i Dubait!

Po, mirë mo, mirë shumë, me hajër!

Por nuk kuptoj se përse na duhet një gjigandomani e tillë? Se madhësia jo gjithmonë është e mirë më vete! Janë bërë llogaritë kush do hyjë dhe dalë që andej! I madh dhe i thellë për çfarë? Se mos na e kthen gjithë zonën në depo karburantesh, Durrësin në magaze mallrash, dhe zonën Kashar - Tiranë në parking kamionash!

A ka pyetur njeri nëse janë të lumtur arabët e Dubait?

Se aty në zonat petroliere tjetër model zhvillimi ka! Ne nuk jemi si ata fare! Lëre pastaj se mos bëhemi ne si shoqëri me marrëdhënie mes sheikësh dhe gjyhnafqarësh!

Ku janë studimet- sociologjike gjeopolitike, ekonomike, ekologjike?

Apo kush po pyet!

Kush i beson këto në kohë fushatash kushdo që t'i thotë qeveria apo opozita. Se për vota për pak do të na premtohet tokë falas në Mars si kompensim ish pronarësh. Ka ikur shumë lart oferta që po na bëhet! Si duket keq puna!

Këtë duam ne! Ne duam të bëhemi si europianë, tani porti si Dubai! Apo e orientojmë universitetin e Durrësit të hapi kurse trajnimi për hamej porti!

Ne na duhen gjëra të vogla, hipermoderne, për zhvillimin tonë! Pse budallaqe janë Hollanda, Danimarka, Belgjika, etj., që nuk bëhen si Dubai.

Unë e di se çfarë ndodh, por do prisja një debat për këtë çështje mes krerëve të politikës! Të marrim vesh, se po dridhet edhe Torra në Durrës, apo nuk është zona tërmetesh!

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: