Të jesh si Florian Tahiri!

18/03/2021 - 10:01

Nga Alket Veliu*

Kandidatët çamë  të Rilindjes “ia  bëjnë vedit me sy”, siç thonë shkodranët.

Një nga shenjat më të qarta të plakjes së trurit lidhet me kujtesën. Ata vuajnë nga humbja e ndjeshme e kujtesës afatshkurtër dhe afatgjatë. Kanë harruar përbuzjen dhe margjinalizimin e regjimit komunist, që i trajtonte çamët si qytetarë të dorës së dytë, burgosjet dhe internimet e dhjetra intelektualëve dhe kuadrove të pafajshëm, reprezaljet masive të të gjithë popullsisë çame pas inskenimit të grupit të Teme Sejkos, dhunën e paprecedentë të policisë mbi anëtarët dhe simpatizantët e shoqatës Çamëria në vitin 2004 kur u paraqit Projektrezoluta në Parlament, përsëritja e dhunës ndaj komunitetit çam në vitin 2017 dhe 2020, për t’i bërë qejfin Athinës pas pazareve dhe flirteve të Ramës kryeministër.  

Kandidatët mavi, çuditërisht për një kohë të shkurtër, kanë krijuar amnezi për shitjen e çështjes çame, heqjen e saj nga programi i qeverisë së rilindjes dhe i PS-së, zhdukjen e emrit Çamëri nga harta dhe nga tekstet shkollore.

Ndaj po u japim disa këshilla të mbajnë mendjen të freskët.

Së pari nuk besojmë që kujtesa e tyre bazohet në mekanizma të pavetëdijshëm. Rilindja dihet tashmë që premton tendera, leje ndërtime, poste publike me peshë lokale. Këto benefite kandidatët mavi i memorizojnë me lehtësi në koren e trurit dhe të hipokampit, duke ndryshuar themelin e identitetit të tyre, për të riforcuar Unin, për inat të çështjes çame(!) Hardware i tyre, pra truri, është nën trysninë e shndërrimeve. Më kryesori ndër këto shndërrime lidhet me humbjen e neuroneve, që kanë fillur t’u marrin një ritëm më të shpejtë. Truri i tyre është një organ plastik, dinamik, çka do të thotë, midis të tjerash, që një funksion i caktuar mund të rivendoset lehtësisht nga një pjesë në një tjetër të trurit, sipas rrethanave. Zhvendosja ndodh sepse disa neurone, psh ato që janë vendosur në pjesën e përparme të një zone të trurit, reshtin së kryeri një detyrë të caktuar dhe detyra e tyre merret nga neurone që lokalizohen në një zonë të prapme. Kësisoj qendrat e ligjërimit (elektoral), që te kandidatët e opozitës janë të vendosura në qendrat ballore-tëmthore, te kandidatët mavi janë zhvendosur prapa, saqë rrezikojnë një dëmtim trunor, ose iktus. Truri i tyre ka një memorje të vogël RAM. 

Magazina e kujtesës tek ta është bërë rrëmujë. Tani për tani u kanë humbur aftësitë psikomotorike, për të kuptuar se po udhëtojnë në një makinë pa timon. Hormonet u ziejnë e u gurgullojnë për 7 palë qejfe. Me mendje, thonë, jemi me Çamërinë, me zemër me Rilindjen. Dhe kështu mundohen të rregullojnë metabolizmin, pa ditur që është e vështirë të ndash mendjen nga zemra dhe nga trupi. Prandaj kanë ankth dhe pagjumësi. 

Të terrorizuar nga sondazhet që i japin PDIU-së 5 deputetë, porositin njerëz anonimë të lehin lart e poshtë nëpër rrjete sociale se PDIU po merr fund, se do të bëjnë namin në votime, se do shkallmojnë elektoratin çam dhe, pasi të mbushin një qerre apo gomone me vota, do ia çojnë Ramës drejt e në selinë mavi, që t’i mburret Micotaqisit: Qirje Miço, shiko, i bëra kashtë e koqe çamët! Nuk ka më Çamëri! Tani bëjmë çfarë të duash ti!

PDIU dhe komuniteti çam, por edhe opinion mbarëkombëtar, çuditen me këta të eksituar që u janë veshur hemisferat e trurit dhe rreken të degradojnë ADN-në çame, duke bërë padashur lojën e grekofilisë. 

PDIU ka vetëm një rekomandim: Të jesh si Florian Tahiri!

*Kryetari i Fondacionit "Hasan Tahsim"

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: