Lulja e lotusit – simboli i ringjalljes dhe i meditimit

10/05/2021 - 21:37

Nga Gladiola Jorbus

Lulja e lotusit është e pranishme në të gjithë botën. Çuditërisht ajo mbin nën ujin e ndotur të liqeneve ose pellgjeve të vogla, e rrethuar me baltë, nën torturat e peshqve apo insekteve.

Kjo lule kryen një përpjekje të madhe për të dalë mbi sipërfaqen e ujit. Në këtë fazë, ajo përbëhet nga një kërcell me disa gjethe dhe një bisht i vogël. Petalet e saj hapen njëra pas tjetrës me fytyrë nga dielli. Sapo lulja çelet plotësisht, në të nuk mbetet asnjë copëz balte ose papastërtie.

Historia e Lotusit i ka rrënjët në Azi dhe kuptimi i saj do të thotë pastërti shpirtërore. Në simbolikën budiste, kuptimi më i rëndësishëm është pastërtia e trupit dhe e shpirtit. Uji i ndotur dhe me baltë që strehon bimën, asociohet me lidhjen pas jetës tokësore dhe dëshirave të mishit, ndërsa lulja e papërlyer që çel në ujë, në kërkim të dritës është premtimi i pastërtisë dhe i ngritjes shpirtërore.

Simbolikisht lulja e Lotusit lidhet me figurën e Budës dhe mësimet e tij, ndaj ajo konsiderohet lule e shenjtë. Në letërsinë klasike të shumë kulturave aziatike, lulja e lotusit simbolizon elegancën, bukurinë, përsosjen, pastërtinë dhe hirin duke iu atribuuar kështu idealet femërore.

Lulet e Lotusit gjithashtu kanë frymëzuar jogën (yogën), pasi pozicioni i lotusit - Padmasana - është pozicioni tradicional i meditimit në të cilin personi kryqëzon këmbët, secila këmbë vendoset mbi kofshën e kundërt dhe duart vendosen mbi gjunjë. Lulja e lotusit është një simbol i pastërtisë dhe bukurisë së madhe të brendshme. Pozicioni i lotusit është më i përshtatshmi për meditim sepse nxit përqendrimin. Duke medituar i/e vendosur në këtë pozicion, mund të praktikohet qetësimi i mendjes.

Nisur nga kjo pikëpamje, kuptimi që derivon prej lules së lotusit do të ishte: që të rritesh dhe të fitosh pastërti e mençuri, së pari është e nevojshme të kapërcesh mbi baltën, fatkeqësitë, pengesat në jetë, trishtimin, humbjet dhe sëmundjet.

Sipas orientalëve, lulja e lotusit është simbol i bukurisë dhe pastërtisë, një simbol i qiellit dhe i tokës, pra i vetë krijimit, andaj ajo përfaqëson jetën e transmeton spiritualitetin.

Një legjendë rrëfen se cilido që thith aksidentalisht parfumin e saj, përhumbet në harresë. Simetria dhe ngjyrat e kësaj luleje mbeten të mrekullueshme, por nën pjesën e jashtme delikate të lotusit qëndron një kuptim më i thellë, pothuajse i lashtë sa bota. Jo më kot, lulja mban peshë të madhe simbolike në shumë kultura lindore dhe konsiderohet si një nga bimët më të shenjta në botë.

Lotusi, përndryshe i njohur si zambaku i ujit ka një cikël jetësor të veçantë nga çdo bimë tjetër. Me rrënjët të përmbyllura në baltë, ai zhytet çdo natë në ujin e lumit dhe për mrekulli rilulëzon mëngjesin tjetër, me shkëlqim të pastër. Ky proces i përditshëm e lidh lulen me rilindjen dhe ndriçimin shpirtëror, thënë ndryshe me: ciklin e jetës, vdekjes dhe ripëtëritjes. Ringjallja e përditshme e lules lotus është interesante. Ajo ka një vullnet magjepsës për të jetuar. Një farë zambak uji mund të përballojë mijëra vjet pa ujë, dhe është sërish në gjendje të mbijë edhe pas dy shekujve.

Lulja e lotusit ka ndikuar si një simbol i fuqishëm në kultura të ndryshme për të personifikuar koncepte të tilla si pastërtia, fuqia e ndryshimit, vetëdija, transformimi.

Në Japoni lulja e lotusit quhet Hasu, kurse në Indi njihet me emrin  Renge, shkurt lule Ren. Për egjiptianët, lotusi përfaqëson universin. Në kulturën hindu, thuhet se perënditë dhe perëndeshat u ulën në fronet e lotusit. Ndërkohë një histori e gjatë Budiste rrëfen se Buda u shfaq në majë të një lotusi lundrues dhe hapat e tij të parë në Tokë, lanë pas lulet e lotusit.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Ka mëse dy javë që qytetarëve durrsakë, por dhe vizitorëve të këtyre ditëve, ju tërheq vëmëndjen një objekt i ri në gjirin e Durrësit.

Falë astrologjisë ne mund të orientohemi në shumë fusha të jetës: dashuria, arritjet e karrierës, e ardhmja dhe sigurisht financat.

Në Shqipëri e njohim si "Dita e Gënjeshtrave", por nëpër botë njihet si "Dita e Budallenjve" (Fool’s Day).

Muzeu i Louvrit për shkak të mungesës së vizitorëve në këto kohë të vështira pandemie, për herë të parë, bën të disponueshëm online dhe f

Artistët japonezë i kanë kushtuar mijëra vargje dhe piktura lules së qershisë (sakura) dhe një numër festivalesh pranverore janë organizu

Për shkak të ndjenjës së mprehtë të vëzhgimit, njerëzit e këtyre katër shenjave kapin gjithçka që ndodh rreth tyre edhe kur dikush po për

Le të flasim pak për përputhshmërinë mes shenjave dhe në veçanti me ato që do të ishin të lumtura vetëm me një person të lindur nën të nj

Presidenti rus Vladimir Putin, presj disa ditësh po shijon pushimet në Siberi së bashku me ministrin e tij të mbrojtjes Sergei Shogu.

Megjithëse 22 marsi nuk është Dita e Ashures, shqiptarët festën e Sulltan Nevruzit nuk e kalojnë pa e përgatitur.