Mitingu i Testamentit

Nga Mero Baze

·         Thirrjet në mitingun e PD: “Ka-qi, Ka-qi… Është fjala për Islamin” / Finalja e komentit të Mero Bazes u përdor si titull me konotacion “lapërdhar”nga portali i Mustafa Nanos “respublica.al”

Kishte një lajm në çeljen e fushatës së PD-së. Si çdo i sëmurë i pashpresë, që njerëzit e përgjojnë tek koka e që nuk jep dot lajmin e mbijetesës, e arrin vëmendjen me çeljen e testamentit. Fjalimi i Lulëzim Bashës ishte një përpjekje e mundimshme për të qenë lideri i opozitës së nesërme kundër Edi Ramës. Ky ishte dhe i vetmi lajm i mitingut të PD-së sonte në Tiranë. Nëse kish një gjë që binte në sy në mitingun e çeljes së fushatës elektorale të PD, ishte fakti që Berisha po transferonte testamentin për PD-në tek Lulëzim Basha. Disa mijëra nëpunës me fytyra të lodhura dhe militantë nga periferitë e Tiranës, ishin dekori në të cilin u krye ky rit.

Lulëzim Basha u shfaq para dëshmitarëve si njeriu që u jepte atyre shpresë të përballonte Edi Ramën në opozitë. Ai, siç e theksoi dhe vetë, do ta quante tani e tutje Edi Ramën “armik” të tij, të PD-së dhe të shqiptarëve.

Edhe pse nuk ish në gjendje të formulonte një filozofi të tij si lider i opozitës së nesërme, Basha u pa qartë se ndjehej i emëruar në detyrë qysh sonte, ndërsa fliste për suksesin e pritshëm elektoral në Tiranë. Fjalimet e tij kanë gjithnjë një boshllëk kumbues, por ky i sotmi, i vendosur në një shesh ku më shumë se fitimtari, po promovohej trashëgimtari, dukej dhe më bosh. Jozefina Topalli nxinte. Ilir Rusmali, i fundmi që nuk ka honepsur dot kurrë boshllëkun e këtij kollovari, kish refuzuar tribunën, ndërsa të tjerët ishin thjesht duke marrë kthesën t’i përshtateshin dekorit të ri.

Sali Berisha bëri kujdes të mos thoshte asgjë, veç të falënderonte Bashën që i kish marrë mandatin Edi Ramës në Tiranë. Dukej se gjithë dasma ishte përgatitur për të treguar se Familja Berisha nuk do mbetet pa dhëndër në opozitë.

Por a do t’ia dalë Lulëzim Basha të jetë opozitari i ardhshëm afatgjatë i PD-së?

Besoj se do t’ia dalë të jetë opozitari i parë i socialistëve. Mënyra si ka qeverisur këto dy vjet në Tiranë, stanjacioni që ka prodhuar dhe së fundmi shkelja flagrante e ligjit duke mos lejuar as votëbesimin e kryetarit të Këshillit, e bëjnë atë ose një kryebashkiak që do të dorëhiqet, ose një kryebashkiak që do të shkarkohet pa ardhur vjeshta. I qartë për fatin e tij nën një qeveri socialiste, i braktisur nga LSI, paterica e vetme që i prodhoi legjitimitet të dyshimtë në fitoren e vjedhur të tij, Lulëzim Basha nuk ka asnjë shpresë jo vetëm të qëndrojë në krye të Bashkisë, por dhe ta fitojë ndonjë herë tjetër atë Bashki me këtë spektër politik. Shpëtimi i tij i vetëm është të jetë në krye të një opozite të re pas 23 qershorit, në një parti te bindur, të spastruar nga personalitetet dhe kundërshtarët dhe të mbushur me nëpunës të Shkëlzenit dhe Argitës.

Ai është sot i vetmi që përmbush standardin për të qenë kundërshtar i Edi Ramës, jo vetëm se ka bërë një betejë me të, por se është i vetmi mbi të cilin pushteti dhe drejtësia do të fokusojnë vëmendjen e tyre si objekt hetimi. Lulëzim Basha, ndryshe nga çdo drejtues tjetër i PD-së, është Ministri i Brendshëm i 21 janarit, që së bashku me Sali Berishën kanë përsipër katër të vrarë dhe një proces të dështuar gjykimi për vrasjet. Lulëzim Basha do të rritet si lider opozite bashkë me fëmijët e të vrarëve prej tyre para syve, dhe do të përfaqësojë më së miri antagonizmin e ri në politikën shqiptare, e cila nuk do të jetë më ajo mes ish- komunistëve dhe antikomunistëve, por mes një brezi politikanësh që do të konkurrojnë me të vrarët e tyre dhe jo të baballarëve të njëri- tjetrit. Lulëzim Basha përmbush kriterin themelor fatal që kanë pasur shumica e politikanëve shqiptarë, atë të vrasjes për të qenë peng i politikës.

Topalli, Rusmali, Olldashi, Bode dhe të tjerë, që do flaken një nga një në rrugë, nuk plotësojnë dot këtë kriter. Ata mund të jenë dëshmitarë të heshtur krimesh, por jo kriminelë, mund të jenë dëshmitarë korrupsioni, por jo të kapur duke vjedhur, mund të jenë shërbëtorë të heshtur të fëmijëve të Berishës, por jo ortakë me ta. Lulëzim Basha është kapur duke vrarë, duke vjedhur dhe duke u mbrojtur nga Familja Berisha. Nuk ka njeri tjetër më shumë se ai që meriton të marrë peshën e krimit dhe korrupsionit që ajo parti e trashëgon tashmë si hipotekën e vetme të saj.

Mitingu i çeljes së kësaj fushate elektorale nuk ishte një miting që kërkonte të shquante fitimtarin e zgjedhjeve, por një miting që kish bërë kujdes të shquante trashëgimtarin e partisë pas humbjes. Ai ishte risia e vetme e asaj feste të zymtë. Ah, po. Ishin dhe thirrjet Ka-qi, Ka-qi… Është fjala për Islamin.

http://www.gazetatema.net/web/2013/05/13/mitingu-i-testamentit/

 

 

Na bëni like në facebook!: 
Total votes: 0