23 vende pune në bashkinë Durrës, Xhaferaj: Pune edhe mund të ketë, por vendi është i zënë!

23/05/2021 - 08:06

Nga Ferdinand Xhaferaj

Punë edhe mund të ketë, por vendi është i zënë!

Po denoncoj bëmën e rradhës së zëvendëskryetares së Bashkisë Durrës, e cila vërteton për ndonjë skeptik që mund të ketë ngelur, se mandati i tretë i Rilindjes do të vazhdojë me të njejtin trend si dy të parët: shërbim vetëm karshi interesave klienteliste e jo karshi qytetarëve. Denoncimi lidhet me shpalljen fiktive të 24 pozicioneve qartësisht të paracaktuara.

Kjo histori e ka zanafillën kur zëvendëskryetarja, në kundërshtim me kodin zgjedhor, në mes të fushatës zgjedhore duke shtuar numrin e punonjësve, miratoi strukturën e ndryshuar të Bashkisë Durrës me Vendimin e saj nr.29 datë 09.04.2021, veprim që u denoncua edhe në KQZ https://www.oranews.tv/anetarja-e-kqz-denoncon-ne.../. Kështu pra, zëvendëskryetarja tejkaloi hapur kompetencat e saj duke ndryshuar strukturën organizative të institucionit të Bashkisë në shkelje të legjislacionit për qeverisjen vendore.

Më tej, më datë 20 Maj 2021, ka vendosur të vërë në zbatim planin për punësime ku në faqen zyrtare të Shërbimit Kombëtar të Punësimit është publikuar shpallje për lëvizje paralele të cilat mund të konfirmohen në linkun http://www.shkp.gov.al/.../bashkia-durres-vend-i-lire.../

Në këtë shpallje përvec pasaktësisë së publikimit ka edhe shumë probleme të tjera, disa prej të cilave po i listoj:

- Janë 23 pozicione të reja për konkurim vetëm “lëvizje paralele” në kundërshtim me legjislacionin në fuqi (pika 1, kreu II e VKM Nr. 243, datë 18.03.2015) pasi pozicionet ekzekutive (specialist) duhet të publikohen edhe për procedurën e pranimit nga jashtë shërbimit civil. Kjo shkelje ligjore është një pengesë mjaft e madhe për ata të diplomuar që duan të konkurojnë ndershmërisht për të filluar një punë.

- Brenda të njëjtës shpallje, e cila është cilësuar si lëvizje paralele, ka edhe një shpallje të 24-të për pranim nga jashtë shërbimit civil (Specialist në Sektorin e Menaxhimit të Gjeoinformacionit, Drejtoria e Planifikimit dhe Kontrollit te Zhvillimit te Territorit, prane Bashkise Durres). Kjo shpallje e kamufluar nuk është bërë për asnjë qëllim tjetër vecse për të facilituar vendosjen e të paracaktuarit.

- Tjetër shkelje janë afatet e shkurtuara në kundërshtim me ligjin për dorëzim dokumentacioni. Publikimi në Shërbimin Kombëtar të punësimit, ai që njihet nga ligji, është kryer me datë 20 Maj 2021. Në bazë të pikës 10 të VKM 243 datë 18.03.2015, afati për dorëzimin e dokumentacionit nuk duhet të jetë më pak se 15 ditë kalendarike nga data e shpalljes. Pra, jo më parë se data 4 Qershor 2021. Por, nga ana e Bashkisë , në shpallje kjo datë është vendosur 28 Maj. Pse ky nxitim në kundërshtim me ligjin?

- Më tej, në pozicione të ndryshme, në saktësimin e kritereve të cilat shumica janë krejt absurde, përvec dy diplomash të përshtatshme, është vendosur edhe “etj.”. Përshembull, tek pozicioni Inspektor Transporti në Sektorin e Transportit Publik pranë Drejtorisë së Shërbimeve Publike, kërkohet kandidat me arsim të lartë: Ing.Mekanik, Ing.Transporti etj. Kështu pra sigurohen se persona të papërshtatshëm për pozicione të caktuara e kanë të hapur rrugën për to përsakohë përmbushin kritere partiake pa asnjë lidhje me ato të pozicionit.

Kërkoj nga institucionet përkatese ((si Komisioneri i Shërbimit Civil) të marrin masa kundrejt këtyre shkeljeve flagrante të ligjit dhe punësimit të paracaktuar në institucione thelbësore.

Zëvendëskryetarja e Bashkisë Durrës ka miratuar një listë emërore, të cilën e ka firmosur e vulosur, ku të gjithë këto pozicione të shpallura fiktivisht e kanë nga një emër të paracaktuar se kush do punësohet ku. Për një verifikim të mëtejshëm pas shpalljes së “fituesve”, po ju bëj me dije se:

- Specialist në Sektorin e Integrimit Evropian Ndihmës së Huaj dhe Diasporës pranë Drejtorisë së Politikave të Zhillimit dhe Integrimit Evropian do punësohet A.B.

- Specialist në Sektorin e Analizës Statistikës dhe Planifikimit Afatmesëm pranë Drejtorisë së Politikave të Zhillimit dhe Integrimit Evropian do të punësohet V.H

- Specialist në Sektorin e Promovimit të Qytetit pranë Drejtorisë së Turizmit do të punësohet R.T

- Specialist në sektorin e Politikave të Turizmit do punësohen B.H dhe F.K

- Inspektor Transporti në Sektorin e Transportit Publik pranë Drejtorisë së Shërbimeve Publike do punësohet I.K

- Specialist në Sektorin e Pronave Publike dhe Menaxhimit të Aseteve pranë Drejtorisë Ligjore do të punësohet A.M.

- Specialist Jurist pranë Drejtorisë së Projekteve dhe Infrastrukturës Publike do punësohet L.S.

- Përgjegjës në Sektorin e Mbrojtjes së Mjedisit pranë Drejtorisë së Planifikimit dhe Kontrollit të Zhvillimit të Territorit do punësohet Sh.Ç.

Qartësisht, punësimi në Rilindje është vecse partiak dhe klientelist, pa asnjë hapësirë për meritokracinë.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: